“O dajë, për hajër na qoftë lufta” - Këto ishin fjalët e fundit që Adem Jashari, ia kishte thënë në telefon dajës së tij

Aktuale

“O dajë, për hajër na qoftë lufta” - Këto ishin fjalët e fundit që Adem Jashari, ia kishte thënë në telefon dajës së tij

Më: 7 mars 2023 Në ora: 14:02
Shani Geci

“O dajë, për hajër na qoftë lufta”, këto ishin fjalët e fundit që komandanti legjendar, Adem Jashari, ia kishte thënë në telefon dajës së tij, Shani Gecit.

Ky e kishte thirre në telefon nipin pasi kishte marrë një telefonatë nga Mitrovica se forca të mëdha serbe janë nisur në drejtim të Skenderajt.

Madje Geci në shenjë paralajmërimi për rrethimin nga ushtria serbe, kishte shtënë në ajër.

“….Më ka telefonuar edhe njëherë Ademi. Folëm tha dajë kjo koka perime, pak ma ndryshe se ditët tjera, për hajr na koftë lufta, edhe tha Zoti na ndihmoftë, 3 herë edhe u ndërpre muhabeti”, tha ai.

Geci thotë se i është lutur Adem Jasharit të largojë familjen

“E ka pas një sulm brutal, i kam thënë me hjek familjen më herët, por ai e kishte bërë vendosmërinë e tij”, tha Geci.

Ndërkohë para sulmit, në këtë shtëpi, që tashmë quhet edhe Kulla e Rezistencës, dijes dhe pushkës, Adem Jashari me shokët e tij, kishin zhvilluar takime të shumta.

“Kanë ardhur, kanë pi kafe, kanë qëndruar, kanë biseudar ato bisedat ushtarake. Ka pas një grup të vet, që vinin, Nuredin Lushtakun, Ilaz Kodrën, Fadil Kodrën, këta i ka pas që ka lëviz me ta. …Ka qenë disa herë edhe Hamëza, por ai ma shumë vet ka ardhë… Kallashat kanë qenë këtu,e kom pas një dhomë, në rast se vjenpolicia e kam pas një dritare për me dalë”, shtoi ai.

Geci thotë se me komandant Jasharin kishin qenë edhe shokë shkolle.

Ai madje tregon se çfarë nxënësi ishte Adem Jashari.

“Ademi ka qenë nip i Gecëve, na jem kushërinj, nipi i joni, kemi pas lidhje fisnore. Më ka besuar, i kam besuar. Ndërkohë, në shkollë kemi qenë bashkë, në gjeneratë. Nxënësa s’kemi qenë fort as unë as ai. Se në atë kohë, se kanë qenë më problematikë, edhe angazhimet në punë, ai ka qenë shumë punëtorë”, shtoi ai.

Geci thotë se çdo herë vizitat e tij në Prekaz i bënë vetëm dhe në orët e hershme të mëngjesit, kur edhe kishte zhvilluar bisedën me komandant Jasharin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat