Rezultatet preliminare: LVV dhe PDK fitojnë nga dy komuna në veri

Aktuale

Rezultatet preliminare: LVV dhe PDK fitojnë nga dy komuna në veri

Nga: Bota sot Më: 23 prill 2023 Në ora: 07:18 Përditësuar në ora: 08:46 më 23.04.2023
Qendër e improvizuar e votimit në Jarinjë - pjesa veriore e Kosovës.

Për ju që sapo jeni kyçur

-Zgjedhjet e parakohshme lokale mbahen sot në komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

-Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar në orën 8:00 se të 19 qendrat e votimit kanë qenë të hapura.

-Në garë janë dhjetë kandidatë - prej tyre vetëm Sllagjana Pantoviq e komunitetit serb, e cila garon si e pavarur për kryetare të Zveçanit.

-Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, nuk merr pjesë në zgjedhje.

-Derisa autoritetet e Kosovës u kanë bërë thirrje qytetarëve të dalin në zgjedhje, ato në Serbi kanë apeluar për bojkot.

Voton Pantoviq

Kandidatja e pavarur dhe e vetme serbe për kryetare të Zveçanit, Sllgjana Pantoviq ka votuar para pak çastesh në qendrën e votimi.

Kjo e fundit gjendet krejt pranë stacionit të policisë në Zveçan.

Pas votimit, ajo deklaroi se pret ndryshime në këto zgjedhje sepse deri tash gjërat nuk kanë shkuar siç duhet.

Pantoviq ka falënderuar të gjithë ata që dalin për të shfrytëzuar të drejtën e votës.

Dy serbë votojnë në një pikë votimi në Leposaviq

Janë orët e para të hapjes së qendrave të votimit në veri të Kosovës dhe deri tani, dy pjestarë të komunitetit serb kanë votuar në një pike të votimit në Leposaviq.

Lajmin e ka bërë të ditur komisioneri, Enver Aliu.

“Po, i kemi dy votues për momentin, po presim edhe të tjerë. Kanë qenë serbë..”, ka deklaruar Aliu.

Në këtë qendër, tregon Aliu, janë 4983 votues.

Materiali në këtë pike ka arritur rreth orës 6;30, mëngjesin e së dielës. 

Flet njëri ndër votuesit e parë në veri

Në objektin e Komunës po votohet për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Deri më tani ka pasur fluks të vogël  të votuesve në këtë qendër, ku numri i votuesve është mbi 1 mijë.

Albert Baruti, banor i kësaj komune, është shprehur optimist për këto zgjedhje.

“Erdha të shfrytëzoj rastin dhe të drejtën e votimit. Shpresoj që këto zgjedhje kanë me kalu siç është më së miri dhe në mënyre demokratike” tha Baruti.

KQZ: Hapen të gjitha qendrat e votimit në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se të 19 qendrat e votimit në pjesën veriore të Kosovës, ku sot mbahen zgjedhjet e parakohshme lokale, janë hapur.

KQZ-ja mbajti konferencën e parë në orën 8:00 dhe paralajmëroi at të radhës për në orën 11:30.

​Zubin Potok, asnjë votues në qendrën më të madhe

Në qendrën më të madhe të votimit në Zubin Potok, atë 2813b, që është në rrugën Mitrovicë-Bërnjak, në dalje të Zubin Potokut, ende nuk ka asnjë votues, pavarësisht se gjithçka ka filluar në kohë.

Kryesuesi i kësaj qendre të votimit, Ferid Shabani, deklaroi para mediave se në këtë qendër të drejtë vote kanë 4 mijë e 111 votues, ndërsa pritshmëritë e tyre janë që të dalin pak më shumë se 300.

“Sa i përket daljes së votuesve nga 4 mijë e 111 votues për momentin nuk mund të them ndonjë parashikim se sa do të dalin, por shpresojmë që të paktën 8% do t'i përgjigjen nga numri i tërësishëm i votuesve. Sipas parametrave dhe sondazheve të bëra nga mediat e ndryshme dhe analizave të njerëzve që merren këto punë”, deklaroi Shabani.

Sa i përket sigurisë, Shabani tha se gjithçka është qetë.

“Sa i përket çështjes së sigurisë për momentin gjithçka është n rregull dhe shpresojmë ashtu siç ka filluar edhe do të përfundojë”, tha ai.

Ndërsa, në këtë qendër këtë mëngjes është thënë se nuk ka asnjë vëzhgues, as nga subjektet politike e as nga organizatat joqeveritare.

​Hapen qendrat e votimit në Zveçan

Edhe qendrat e votimit në komunën e Zveçanit janë hapur me kohë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës dhe këshilltarë komunalë të cilat po mbahen sot në vendin tonë.

Janë gjithsej pesë qendra të votimit në të cilat 6 mijë e 998 qytetarë të kësaj komune do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Situata aktuale e sigurisë është e qetë dhe nuk ka ndonjë problem.

Ndërsa vërehen pjesëtarët e Policisë së Kosovës afër këtyre qendrave, sidomos atyre alternative, të cilët po vëzhgojnë situatën nga afër. 

​Hapen të gjitha qendrat e votimit në veri të Mitrovicës

Në veri të Mitrovicës ashtu siç është paraparë, të gjitha pesë qendrat e votimit janë hapur me kohë.

Janë 18 mijë e 118 votues që do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në këto qendra.

Situata aktuale është e qetë dhe gjithçka po shkon sipas planit të paraparë, ndërsa vërehet numër jo i madh i qytetarëve, sidomos në zonat e banuara me shqiptarë, të cilët kanë dalë në mëngjes për ta ushtruar detyrën e tyre të votës.

E veçanta e këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme është se po mbahen për herë të parë pa pjesëmarrjen e partive politike serbe në përjashtim të një kandidateje të pavarur, dhe nga gjithsej 19 qendra, 6 janë të rregullta dhe 13 alternative.

Në katër komunat veriore janë gjithsej 19 qendra të votimit me 34 vendvotime, ndërsa të drejtë vote kanë 45 mijë e 95 persona. 

Thirrje të ndryshme drejtuar qytetarëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani, u kanë bërë thirrje qytetarëve me të drejtë vote në veri, të votojnë në zgjedhjet e 23 prillit.

Ata kanë akuzuar Beogradin për frikësimin e qytetarëve në këtë zonë.

“Dua t’ju siguroj se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar”, ka thënë Osmani.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vlerësuar se në zgjedhje nuk do të marrin pjesë më shumë se “100 serbë”.

Ai ka thënë se askush nuk do të dalë “në kontejnerët e policisë” për të votuar.

Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur keqardhje që partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës - Lista Serbe - nuk merr pjesë në zgjedhje, dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të ushtrojnë përmbajtje.

Nëntëmbëdhjetë qendra votimi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka vendosur kontejnerë nëpër rrugët kryesore për zgjedhjet e sotme lokale në pjesën veriore të vendit.

Të hapura do të jenë 19 qendra votimi, 13 prej tyre të vendosura në kontejnerë.

Numri i përgjithshëm i qytetarëve që mund të votojnë, sipas KQZ-së, është 45.095.

Pritjet janë që pjesëmarrja të jetë e ulët, meqë Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila vetë nuk do të marrë pjesë në zgjedhje - ka bërë thirrje për bojkotim të procesit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat