Eskalimet në veri/ Largohet flamuri serb, vendoset ai i Republikës së Kosovës – reagojnë ndërkombëtarët!

Aktuale

Eskalimet në veri/ Largohet flamuri serb, vendoset ai i Republikës së Kosovës – reagojnë ndërkombëtarët!

Më: 26 maj 2023 Në ora: 12:40 Përditësuar në ora: 17:52 më 26.05.2023
Pamje nga vendi i ngjarjes

Senatori Murphy i ashpër për ngjarjet në Veri: Kurti ta ndalë menjëherë provokimin, jam i befasuar

Senatori amerikan, Chris Murphy, i cili këtë javë ishte në vizitë zyrtare në Kosovë, tha se u zu në befasi nga ngjarjet e sotme në veri të vendit.

Ai tha se në takimin që pati me kryeministrin Albin Kurti nuk është folur për një plan të tillë nga ana e institucioneve të Kosovës.

“Në takimin tim të hënën në Prishtinë me kryeministrin Kurti, ai nuk përmendi ndonjë plan për qasje në ndërtesat komunale. Si mik i Kosovës jam zënë totalisht në befasi dhe duhet t’i japë fund këtij provokimi menjëherë”.

Murphy tha se për këtë “zhvillim shqetësues” ka pasë edhe një telefonatë me Këshilltarin Special të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet.

Flamuri i Kosovës vendoset në komunën e Leposaviqit pak minuta pasi hyn kryetari

Pak minuta pasi ka hyrë kryetari i ri i Leposaviqit në objekt të komunës së Leposaviqit, aty është vendosur flamuri i Kosovës.

Në pamjet e medias që po raporton nga vendi i ngjarjes, shihet duke u vendosur flamuri nga kryetari i ri.

Lulzim Hetemi, që tash është kryetar i kësaj komune, ka hyrë në objektin komunal pas tensioneve.

Policia e Kosovës arriti të shpërndajë turmën dhe të mundësojë futjen e kryetarit Hetemi në komunë.

Pak minuta para hyrjes së tij, pranë objektit të komunës janë dëgjuar të shtëna me kallashnikov.

Katër kryetarë të komunave hyjnë në objektet komunale, asistohen nga Policia e Kosovës

Policia e Kosovës hyri në objektet komunale të Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviqit – komuna të banuara me shumicë serbe – përkundër rezistencës së një grupi qytetarësh.

Paraprakisht, policia njoftoi se po asistonte kryetarët e rinj të komunave veriore: Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të hyrë në objektet zyrtare të komunave përkatëse.

Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka hyrë tashmë në zyrën e komunës.

Policia përdori gazin lotsjellës dhe shok-bombat për t’i shpërndarë qytetarët e tubuar rreth objekteve komunale.

Në Zveçan u dëgjuan edhe të shtëna armësh, ndërsa në vendngjarje u panë edhe automjete të ndihmës së shpejtë. Sipas një njoftimi të policisë, pesë zyrtarë policorë atje pësuan lëndime trupore.

Sipas informacioneve nga terreni, forcat policore aktualisht janë duke hyrë në objektin e komunës së Leposaviqit. Edhe atje u përdor gaz lotsjellës dhe shok-bomba për shpërndarjen e protestuesve.

Shtetet e Bashkuara thanë se i dënojnë veprimet e autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës.

“Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”, shkroi ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, në Twitter.

Bislimi: Kryetarët e rinj mund të rrëzohen me votë, e kanë obligim të shërbejnë nga objektet komunale

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka reaguar pas tensioneve në Veri të vendit që u ngritën pas betimit të kryetarëve të rinj.

Ai thotë se kryetarёt e komunave tё Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, qё u betuan dje, e kanё obligim ligjor tё fillojnё punёn menjёherё.

“Institucionet publike e kanё obligim tё sigurojnё kushtet qё tё njejtёt tё ushtrojnё detyrat dhe pёrgjegjёsitё e tyre. Si kryetarё tё komunave, ata mund tё ushtrojnё pёrgjegjёsitё e tyre vetёm nga ndёrtesat e komunёs. Tё ardhur me votё, mund edhe tё rrёzohen me votё. Tё pёrzgjedhurit e qytetarёve si rregull rrallёherё gёzojnё mbёshtetjen e secilit qytetar. Por kjo nuk nёnkupton qё qytetarёt e pakёnaqur mund tё bllokojnё shkuarjen e tё pёrzgjedhurve nё vendet e tyre tё punёs. Njё praktikё e tillё do tё çonte shumё lehtё nё situata absurde ku asnjё kryetar, nё asnjё komunё nuk do tё mund tё ushtronte detyrat e marra”.

Bislimi i uron kryetarët e zgjedhur, duke thënë se ata kanë përgjegjësi për t’iu shërbyer qytetarëve pa dallim etnie.

“Kryetarёt e porsaemёruar i uroj pёr pёrgjegjёsitё e reja dhe ua rikujtoj qё janё aty pёr tё promovuar interesat e secilit qytetar pa dallim tё bindjeve politike, pёrkatёsisё etnike, statusit social, moshёs apo gjinisё”.

Ndërkaq, pati një thirrje edhe për qytetarët.

“Qytetarёt i ftoj qё t’u japin kohё tё sapozgjedhurve tё tregojnё se nё ç’masё i qёndrojnё mbrapa premtimeve tё bёra dhe principeve tё njё qeverisjeje tё drejtё, efikase, transparente, e nё shёrbim tё qytetarit. Mekanizmat e sigurisё i ftoj qё tё bёjnё maksimumin pёr tё garantuar sigurinё e qytetarёve dhe njё ambient tё qetё pёr tё gjithё”.

Vjen reagimi nga SHBA-të për ngjarjet në veri

Ambasadori i Shteteve të Bashkaura të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka reaguar në lidhje me zhvillimet në veri të Kosovës.

Hovenier thotë se SHBA dënon veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”- ka shkruar Hovenier në Twitter.

Që nga mesdita, në katër komunat e veriut të vendit është dëgjuar alarmi, ndërsa pranë disa objekteve komunale, si në Zveçan e në Zubin Potok, janë parë qytetarë të cilët kanë kundërshtuar futjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Pesë policë të Kosovës kanë pësuar lëndime të lehta trupore, pasi janë sulmuar nga protestuesit në Zveçan me mjete të forta dhe shok-bomba, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

Gazetarët, të rrezikuar gjatë raportimeve nga veriu i Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës po përcjell me shqetësim situatën e rënduar të sigurisë në 4 komunat në veri, prej nga dhjetëra gazetarë, kameramanë, foto-reporterë dhe punëtorë të tjerë medial po raportojnë.

AGK-ja, u bën thirrje organeve të rendit, Policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në Kosovë, që të mundësojnë raportim të sigurtë dhe të papenguar të ekipeve mediale.

Në këtë mes, portali Koha raporton se një veturë e ekipit është sulmuar me gurë nga persona të maskuar, por që fatmirësisht askush nuk është i lënduar.

AGK-ja, gjithashtu i fton gazetarët dhe redaksitë për kujdes të shtuar në këtë situatë të vështirë.

Protestuesit serbë sulmojnë me gurë ekipin e gazetarëve

Në Zveçan u sulmua sot ekipi i Kohavisionit, i cili ishte duke përcjellur zhvillimet atje.

Vetura ekipit të KTV-së u sulmua me gurë nga një grup i protestuesve.

Të shtëna armësh janë dëgjuar në Zveçan, ndërsa janë djegur vetura të Policisë. Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë qytetarët e mbledhur para objektit të Komunës së Zveçanit.

Gjatë ditës, Policia e Kosovës ka njoftuar se po asiston kryetarët e zgjedhur për të hyrë në objektet komunale.

Kryetari i Zveçanit, ai i Leposaviqit dhe kryetari i Zubin Potokut, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë kryer betimin të enjten (25 maj). Asnjëri prej tyre nuk është betuar në objektin e komunës përkatëse, përveç kryetarit të veriut të Mitrovicës.

Zgjedhjet në veri janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kryetarët paraprakë nga kjo parti, kanë dhënë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar. Ata janë larguar nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që ka obliguar qytetarët t’i kthejnë targat e veturave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës

Nuk ndalen tensionet në veri, policia del me njoftimin e fundit

Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë lidhur me situatën e krijuar në veri të vendit.

Në komunikatë thuhet se pesë zyrtarë policorë kanë mbetur të lënduar si pasojë e shfaqjes së dhunës nga ana e protestuesve serbë në Zveçan.

Policia njofton se në vazhdimësi iu është kërkuar protestuesve që të largohen dhe të lirohet rruga, por të njëjtit kanë refuzuar një gjë të tillë.

“Protestuesit në Zveçan pas një kohe kanë filluar të shfaqin dhunë, të fyejnë e të hedhin mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare, duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë dhe lëndime të lehta trupore deri tani ndaj pesë (5) zyrtarëve policorë të cilët më pas u janë kthyer detyrave policore.

Po ashtu janë shkaktuar dëme materiale ndaj katër (4) automjeteve zyrtare, njërës prej tyre ia kanë vënë zjarrin. Dyshohet se në afërsi janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por që ende nuk dihet lokacioni i saktë.

Duke parë rrezikun e drejtpërdrejtë të jetës së zyrtarëve policorë, njësitet policore relevante në vetëmbrojtje janë detyruar të reagojnë dhe të përdorin mjetet e ligjshme, përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës, dhe për t’ua mundësuar hyrjen kryetarëve në objekte komunale”, thuhet në komunikatën e Policisë, përcjell “Bota sot”.

Njoftimi i plotë

Informatë shtesë:

Me qëllim të pengimit të hyrjes së kryetarëve të komunave në vendet e tyre të punës, pranë hyrjeve të objekteve komunale të tri komunave janë tubuar një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, për të mos lejuar hyrjen e tyre dhe stafit përcjellës në objektet zyrtare të komunave.

Përveç personave të angazhuar dhe automjeteve/mjeteve të tyre të vendosura në afërsi dhe pranë objekteve komunale, në komunat veriore janë lëshuar edhe alarmet të cilat përdoren nga strukturat kriminale për mobilizim dhe tubime.

Policia e Kosovës ka angazhuar njësitet relevante policore, me qëllim të menaxhimit të situatës dhe rrethanave të krijuara nga ana e qytetarëve të tubuar, të cilët pengonin organet e rendit dhe zyrtarët shtetëror në ushtrimin e së drejtës së tyre legjitime.

Zyrtarët e rendit publik vazhdimisht kanë biseduar me qytetarët e tubuar, duke kërkuar që të njëjtit të largohen dhe të mos pengohet puna e zyrtarëve shtetëror, të lirohet rruga dhe të lejohet hyrja e tyre në vendet e punës, mirëpo të njëjtit kanë refuzuar në vazhdimësi.

Protestuesit në Zveçan pas një kohe kanë filluar të shfaqin dhunë, të fyejnë e të hedhin mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare, duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë dhe lëndime të lehta trupore deri tani ndaj pesë (5) zyrtarëve policorë të cilët më pas u janë kthyer detyrave policore.

Po ashtu janë shkaktuar dëme materiale ndaj katër (4) automjeteve zyrtare, njërës prej tyre ia kanë vënë zjarrin. Dyshohet se në afërsi janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por që ende nuk dihet lokacioni i saktë.

Duke parë rrezikun e drejtpërdrejtë të jetës së zyrtarëve policorë, njësitet policore relevante në vetëmbrojtje janë detyruar të reagojnë dhe të përdorin mjetet e ligjshme, përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës, dhe për t’ua mundësuar hyrjen kryetarëve në objekte komunale.

Lidhur me veprimet e deritanishme Policia ka bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet me organet e drejtësisë, të cilët rastin e kanë cilësuar si “Sulm Kundër Rendit Kushtetues”.

Policia e Kosovës do të vazhdojë të mbajë një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim, si dhe do të ndërmarrë masa ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme, që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin në vend.

---

Angazhimet policore në mbarëvajtje të sigurisë

Prishtinë, më 26 maj 2023

Policia e Kosovës (PK), sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese po ndërmerr veprimet e saj policore në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend.

Sipas detyrës zyrtare, sot Policia e Kosovës është duke asistuar kryetarët e komunave veriore: Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse.

Ministri i Mbrojtjes së Serbisë: Çka po ndodh në veri nuk është lojë, situata është dramatike

“Situata në veri është dramatike”, ka thënë Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, teksa konfirmoi se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dhënë “urdhërin” për gatishmëri të lartë ushtarake dhe të nisja të forcave drejt kufirit me Kosovën.

“Para disa minutash, presidenti (i Serbisë, Aleksandar Vuçiq) ka lëshuar urdhërinë për ngritjen në nivelin më të lartë të gatishmërisë ushtarake. Ushtria ka nisur aktivitetet e saj, ndërsa ajo çfarë po bën Kurti po na çon në vijat tona të kuqe, kjo më nuk është thjesht një lojë, kjo kërcënon sigurinë e të gjithë njerëze që jetojnë në ato zona”, ka thënë ministri serb.

“Do të zbatojmë urdhërin e Komandatit Suprem dhe të bëjmë atë çfarë nga pritet prej Ushtrisë Serbe. Serbëve u them të jenë të qetë, të mos bien pre e provokimeve, në ndonjë skenar që do të mund t’i portretizonte si kriminelë.

Ka terror të vazhdueshëm ndaj komunitetit serb. Është e rëndësishme të jemi të qetë, dhe të mbrojmë të drejtat dhe liritë tona”, ka thënë ai.

Nis vendosja e barrikadave në veri

Në Leposaviq, serbët lokalë kanë nisur vendosjen e barrikadave nëpër rrugë.

Sipas “KosovoOnllajn”, qytetarët kanë vendosur barrikadë prej zhavorri në rrugën që të çon pikërisht në ndërtesën e Komunës së Leposaviqit.

“Pasi pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë rrethuar ndërtesën e komunës në Leposaviq, qytetarët kanë vendosur barrikadë drejtpërsëdrejti përballë komunës në kthesën për tek ndërtesa e komunës”.

“Ata e ngritën barrikadën duke shkarkuar zhavorr nga njëra anë e afrimit drejt komunës dhe duke bllokuar kështu atë pjesë të rrugës”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat