Kurti nga Bratisllava deklarohet për situatën në veri: Jam i brengosur, por nuk frikësohem

Aktuale

Kurti nga Bratisllava deklarohet për situatën në veri: Jam i brengosur, por nuk frikësohem

Më: 31 maj 2023 Në ora: 10:23 Përditësuar në ora: 16:16 më 31.05.2023
Foto nga vendngjarja

Miroslav Lajçak ultimatum Kosovës dhe Serbisë: Duhet dialog urgjent!

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka kërkuar dialog urgjent mes Kosovës dhe Serbisë.  

Nga Bratislava, Lajçak ka thënë se dhuna është e papranueshme.

“Gjatë dy ditëve të fundit kam marrë pjesë në “Globsec”. Përgjatë takimeve dhe bisedave kemi folur për situatën në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë të veçantë për tensionet dhe eskalimin në veri të Kosovës.

Ne kemi nevojë urgjente për zgjidhje politike. Dhuna është e papranueshme”, ka shkruar Lajçak.

Situata në veri të Kosovës, Lajçak: Dhuna nuk është e pranueshme

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Laçak, ka thënë se nevojitet një zgjidhje urgjente politike për situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

Në llogarinë e tij në Twitter, ai ka thënë se dhuna është e papranueshme.

“Gjatë dy ditëve të fundit kam marrë pjesë në Forumin Global të Sigurisë. Gjatë takimeve dhe bisedave të mia të shumta kam diskutuar për situatën në Ballkanin Perëndimor, në veçanti për tensionet dhe përshkallëzimin në veri të Kosovës. Ne kemi nevojë urgjente për një zgjidhje politike. Dhuna nuk është e pranueshme”.

Në këtë forum ka marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, ku tha se kryetarët e rinj të katër komunave në veri të Kosovës, nuk mund ta ushtrojnë detyrën e tyre jashtë objekteve komunale. Sipas tij, kjo do të ishte sikur të krijoheshin struktura paralele në veri të Kosovës.

Borrell: Situata në veri, e rrezikshme dhe e paqëndrueshme

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell, ka thënë se situata aktuale në veri të Kosovës është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme.

Ai i ka bërë këto deklarata, pas takimit që e ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bratisllavë.

“Kemi nevojë urgjente për ulje të tensioneve dhe zgjidhje mes dialogut, për t’iu kthyer punës drejt zbatimit të Marrëveshjes së arritur”, ka thënë Borrell, duke iu referuar paktit mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve.

Palët janë darkorduar për këtë Marrëveshje në shkurt, në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit, në mars të Maqedoni të Veriut.

​Kurti: Po përpiqemi të gjejmë një rrugëdalje për situatën në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se është duke u përpjekur që të gjejë një rrugëdalje për situatën në veri, derisa shtoi se është i brengosur për masat që ka ndërmarrë SHBA-ja kundër Kosovës, por asnjëherë i frikësuar.

Në Forumim “Globsec 2023” në Bratisllavë të Sllovakisë, Kurti theksoi se njësitet speciale të Policisë së Kosovës do të vazhdojnë të qëndrojnë në komunat në veri, derisa para tyre të ketë struktura kriminale.

Kurti: Jam i brengosur, por nuk frikësohem

“Jam i brengosur gati gjithë kohën, por nuk frikësohem. Pasi ky është përshkrim i punës që mos të frikësohem, por brengosemi. Po përpiqemi fort që të gjejmë një zgjidhje, një rrugëdalje. Kjo nuk duhet të jetë rrugë e lakuar por një hekurudhë, dy shina. Më së pari të dalim nga kriza në veri që do të thotë sundim i së drejtës, turma ose kthehet në Serbi ose burgoset në Kosovë. Pastaj të ulim praninë e policisë në objekte komunale dhe pastaj e normalizojmë situatën”, tha ai.

Përkitazi me këtë, Kurti u shpreh se nuk mund të qëndrojë vet në zyrë të kryeministrit dhe t’u thotë kryetarëve të zgjedhur në katër komunat veriore të mos shkojnë në zyrat e tyre.

Kurti: Nuk mund të qëndroj në zyrën time dhe t’iu them kryetarëve në veri që nuk duhet shkoni në objekte komunale

“Sa i përket ndërtesave komunale, ato i përkasin Republikës së Kosovës. Mund të kuptoj se nuk mund të ketë shumë policë brenda apo para saj. Por, para kësaj nuk duhet të ketë turmë të dhunshme jashtë dhe kemi parë se këta njerëz të dhunshëm që godasin me armë ndaj gazetarëve, KFOR-it dhe policisë.... Nuk mund të qëndrojë në zyrën time si kryeministrisë dhe t’iu them kryetarëve në veri që nuk duhet të hyni në zyrat e juaja...Po të urdhëroja kryetarët që të dilnin nga zyrat e tyre ku janë në zyrat të tjera do të ishte sikur unë po angazhohem të krijojë një strukturë paralele ndaj strukturave paralele. Kjo do të thotë se po kopjoj metodat e tyre dhe po i bashkëngjitëm paligjshmërisë së tyre, por këtë nuk mund të bëjë. Sot një prej definicioneve të mira të demokracisë është se ligji duhet të jetë mbi politikën. Ligji duhet të jetë përtej politikës, çfarë mund të bëjmë brenda ligjit është se në një pikë të caktuar zgjedhje të parakohshme, por nuk mund të themi se këta kryetar nuk janë kryetar”, theksoi Kurti.

Duke folur për raportet e Kosovës me aleatët ndërkombëtar, Kurti tha se koordinohet vazhdimisht, por kjo nuk do të thotë se pajtohet për gjithçka.

Kurti: Bashkësia ndërkombëtare me konsensus të përgjithshëm ka pranuar procesin e zgjedhjeve

“Bashkësia ndërkombëtare me konsensus të përgjithshëm ka pranuar procesin e zgjedhjeve dhe rezultatet e tij. Ka pranuar këta kryetar që kanë bërë betimin dhe si tash po i konteston këta kryetar kur duan të hyn në një objekt që është zyrtar dhe publik. Nëse bashkësia ndërkombëtare do të më thoshte mos bëjë zgjedhje se nuk ka rrethana duhet të angazhohemi në negociata ose e keni bërë procesin e zgjedhjeve, por ky rezultat nuk është i duhuri, ose i keni rezultatet por mos bëni betimit, atëherë do të flisnim për politikë. Tash politikisht po bëjë atë që po bëjë, jo nga pozita e fuqisë, por nga mungesa e fuqisë pasi nuk kam fuqi për të bërë diçka tjetër. Përndryshe nuk është e mundur për mua, pasi kam pas fuqinë më parë dhe jo tash, pasi po marr veprime juridike në bazë të ligjit”, shtoi ai.

Duke folur për marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit, Kurti u shpreh kritik për moszbatimin e saj, me ç’rast tha se janë rikthyer në sindromin e vjetër, ku ka marrëveshje, por nuk zbatohen.

Kurti: Jemi rikthyer në sindromën e vjetër, ku kemi marrëveshje që nuk zbatohen

“Legjitimiteti, autoriteti e kredibiliteti i të trija palëve, 3+1 të them – Kosovës, Serbisë, BE-së e SHBA-së, po gërryhet duke e pasur një tekst e duke mos pasur zbatim. Një nga kritikat e mia më të mëdha ndaj paraardhësve të mi ishin se bënin këto marrëveshje, duke nënshkruar e duke mos u zbatuar ato. Marrëveshja e nënshkruar dhe zbatimi ishin dy botë krejt tjera. Shpresoja t’i sillnim më afër këto botë, në të njëjtin kontinent Evropë. Por, po kemi rikthim në sindromën e vjetër, ku kemi marrëveshje që nuk zbatohen”, tha Kurti.

Ai shtoi se misioni i NATO- s është i pazëvendësueshëm për sigurinë dhe mbrojtjen e shtetit të Kosovës.

Kurti takohet me Borrellin e Lajçakun: Sulmet janë të papranueshme, rruga përpara është e rrënjosur në sundim të ligjit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe emisarin special për dialog, Miroslav Lajçak.

Kurti shkroi në Twitter se sulmet e milicëve serbë ndaj policisë, KFOR-it dhe gazetarëve janë të papranueshme.

“Sulmet e milicisë serbe ndaj Policisë, KFOR-it dhe gazetarëve janë të papranueshme. Rruga përpara është e rrënjosur në demokraci, sundim të ligjit dhe zbatim të plotë dhe të shpejtë të Rregullores Themelore”, ka shkruar Kurti.

Bejmë të ditur se Kurti po merr pjesë në Forumin e Sigurisë në Bratisllavë.

Situata në veri, Kurti sot mban takim me Borrellin dhe Lajçakun në Bratisllavë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar sot drejt Bratisllavës ku do të marrë pjesë në konferencën për sigurinë globale, Globsec.

Gjatë pjesëmarrjes së tij në këtë konferencë, Kurti do të takojë edhe emisarët e BE-së, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Kështu ka bërë të ditur për median zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Kryeministri Kurti po merr sot pjesë në ditën e fundit të Konferencës për Siguri Globale në Bratislavë. Ndër të tjerash, atje do të takojë Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Borrel dhe emisarin e BE-së, Lajçak si dhe do të jetë pjesë e disa paneleve të diskutimit”, tha Kryeziu.

Ai shtoi se Kurti brenda ditës do të kthehet sërish në Kosovë.

Kryeministri pritet të mbajë një diskutim për të ardhmen e Kosovës rreth orës 11:20 në kuadër të kësaj konference.

Kurti mbërrin në Bratislavë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbërritur të mërkurën në mëngjes në Forumin e Bratislavës.

Kjo është bërë e ditur nga një postim në rrjetetet sociale nga faqja zyrtare e “Globsec”, ku thuhet se në qendër të vëmendjes do të jetë: Ardhmëria e Kosovës.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, SH.T. Albini Kurti, ka mbërritur në Forumin #GLOBSEC2023 në Bratislavë. Dëgjojeni atë më vonë këtë mëngjes në një bisedë me titull: Në qendër të vëmendjes: Ardhmëria e Kosovës”, thuhet në njoftimin e “Globsec”.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është duke bërë përpjekje që të organizojë një takim ad-hoc mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë.

Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po përpiqet të organizohet në Bratislavë të Sllovakisë. 

Kurti shkon në Bratisllavë përkundër trazirave në veri

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albini Kurti, ka shkuar sot në Bratisllavë për të marrë pjesë në Forumin “GLOBSEC2023”.

Gjatë ditës së djeshme zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu kishte deklaruar se Kurti e ka shtyrë këtë vizitë, për shkak të zhvillimeve në veri.

Megjithatë Qeveria e kishte lënë të hapur pjesëmarrjen e Kurtit në këtë Forum.

Për vizitë zyrtare jashtë vendit sot ka udhëtuar edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Osmani ka udhëtuar për në Kishinau të Republikës së Moldavisë ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).

Kjo është bërë e ditur në një komunikatë për media të lëshuar nga Zyra e Presidencës.

“Presidentja Osmani do t’u bashkohet 46 krerëve të tjerë të shteteve të kontinentit evropian si dhe krerëve të institucioneve të BE-së, me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat