​Ftohja e raporteve Kurti-Rama, flet ish-ambasadori: Ja fajtori

Aktuale

​Ftohja e raporteve Kurti-Rama, flet ish-ambasadori: Ja fajtori

Më: 5 gusht 2023 Në ora: 11:23
Ish-ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha

Ish-ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha deklaron se raportet e dy kryeministrave shqiptarë, Albin Kurti dhe Edi Rama nuk janë ato që i shërbejnë faktorit shqiptar.

Propozimi i draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe anulimi i mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë nga ana e Ramës nuk u prit mirë nga Kurti, i cili vendosi të mos e takojë në Prishtinë kryeministrin nga Tirana dhe as të mos i shkojë në kryeqytetin shqiptar në një dreke informale me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Berlinit.

Dinosha thotë për KosovaPress se ftohja e raporteve Kurti-Rama nuk duhet të vazhdojë.

Ndonëse, thotë se fajtori është diku, ish-ambasadori shprehet se nuk është momenti i përshtatshëm për të diskutuar për këtë pasi që situata në Kosovë është ende e paqartë, pas tensioneve në veri të vendit.

Sipas tij, shqiptarët kanë nevojë për unitet mbarëkombëtar në proceset e Ballkanit Perëndimor.

“Ne të vegjlit, ne shqiptarët, që jemi pakica në shtetet ku jetojmë mund të dukemi të çuditshëm, kur themi se për ne nuk është e lejueshme që raportet të vijnë në atë shkallë ftohje ndërmjet dy kryeministrave të dy shteteve shqiptare, faktikisht edhe pse Kosova definohet si shtet i të gjithë qytetarëve që jetojnë në të. Pra, nga këndi i dikujt që e do kontaktin ndërshqiptar absolutisht se sjelljet që i kemi parë në kohë të fundit, nuk janë ato që i duam. Nuk është koha ndoshta të drejtohet gishti nga fajtori, fajtori diku është, mund të jetë në të dyja anët, por sidoqoftë kontakti i ftohtë dhe kontakti garues në një mënyrë, kontakti, i cili do të flasë se kush më tepër di të presë, nuk është i mirë, kur është fjala për kontaktet brendashqiptare”, shprehet Dinosha për KosovaPress.

I pyetur se si do t’i shërbente përçarja e shqiptarëve presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, Dinosha thotë se nuk pret që ai të përfitojë shumë nga kjo situatë, pasi që konsideron se kryeministrat shqiptarë do t’i tejkalojnë inatet për të vënë në prioritet interesin e shqiptarëve në përgjithësi.

"Nuk isha marrë shumë me strategjitë e Vuçiq, as me ‘qelepiret’(benefitet) që ai mund të nxjerrë brenda raportit brendashqiptar. Nuk mendoj se ai mund të kapitalizojë shumë në politikën e tij duke i demonstruar dikujt atë që po ngjanë ndërmjet kontakteve të brendshme shqiptare. Nga ana tjetër nuk mendoj se ky moskontakt është i atij niveli që do të zgjasë shumë. Mendoj se së shpejti, do të shohim se kryeministrat, kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Kosovës do të jenë të gatshëm të rrinë bashkë dhe t'i diskutojnë gjërat haptazi, t'i diskutojnë gjërat duke pasur parasysh interesin e shqiptarëve në përgjithësi... dhe duke qenë të vetëdijshëm se akoma në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët në Ballkan, Kosova është ylli polar dhe se rrugëtimet nuk mund të ndodhin, duke mos u orientuar me atë yll polar. Pra, të gjithë së bashku duhet të bëjmë maksimumin tonë, që rrugëtimet tona të jenë të duhura duke u orientuar me Kosovën si yll polar, si interes numër një, nacional i shqiptarëve në Ballkan”, thotë Dinosha.

Kryetari i Unionit Nacional Shqiptar, Ferhat Dinosha shprehet për KosovaPress se uniteti mbarëshqiptar është i domosdoshëm gjithherë, e sidomos në situatën kur agresioni ushtarak rus në Ukrainë mund të shfrytëzohet pozitivisht.

"Kam thënë diku më parë se agresioni i vrazhdë rus në Ukrainë, mund të shfrytëzohet pozitivisht, sado e vrazhdë që mund të duket për proceset në Ballkanin Perëndimor, sidomos për proceset që kanë të bëjnë me shqiptarët. Unë nuk mendoj se ky agresion nuk ka kapacitete aq të mëdha që të prekë edhe terrene të tjera për të treguar se sa i fuqishëm është. As në vet Ukrainë, agresioni rus nuk është i suksesshëm siç kanë dashur ta paraqesin njerëzit e pushtetit, regjimit rus në krye me Putin. Dhe as faktori ndërkombëtar nuk ka qenë ndonjëherë aq në një vijë, kur është fjala për kundërpërgjigje ndaj këtij agresioni. Pra, i njëjti faktor duhet të jetë i gatshëm të ketë kujdes që politikat ruse të mos jenë dominante në terrenet, ku duhet të jenë dhe janë dominante politikat perëndimore. Ne duhet të shfrytëzojmë këtë situatë të përkrahim ato që janë qasje të pranimit karshi agresionit rus në Ukrainë në përgjithësi të përkrahin... Të paradiskutohet, të parashqyrtohet me miqtë tanë ndërkombëtarë, dhe besoj se kjo do të jetë rruga më e mirë për shmangien e incidenteve dhe konflikteve eventuale në Kosovë, ose në Ballkanin Perëndimor”, thotë ai.

Pas tensioneve të fundit në veri të vendit, ish-ambasadori Dinosha apelon edhe politikën kosovare për unitet lidhur me çështjen e dialogut, si dhe koordinim më të ngushtë me aleatët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat