Sivjet më pak rrush në Rahovec, kryetari Latifi kërkon më shumë ndihmë nga shteti

Aktuale

Sivjet më pak rrush në Rahovec, kryetari Latifi kërkon më shumë ndihmë nga shteti

Më: 6 shtator 2023 Në ora: 17:17
Smajl Latifi

Në plantacionet e mbjella me vreshta në komunën e Rahovecit, këto ditë ka filluar vjelja e rrushit të tryezës dhe atij të verës. Vreshtarët këtë vit e quajnë ‘vit i dëmtuar’, për shkak se kushtet atmosferike kanë ndikuar që edhe vjelja e rrushit të nis me vonesë.

Sipas kryetarit të komunës së Rahovecit dhe disa fermerëve, rendimentet e rrushit janë më të ulëta këtë vit.

Kërkesat për përkrahje nga Ministria e Bujqësisë nuk mungojnë as këtë vit. Fermerët shprehen se 1000 euro subvencione janë të pamjaftueshme për kultivimin e kësaj kulture bujqësore.

Ndërsa, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, u shpreh se ka qenë vit i vështirë për vreshtarët, por siç u shpreh ai prapë zona e Rahovecit mbetet epiqendra e rrushit në Kosovë dhe Evropë.

Latifi kërkoi nga Ministria e Bujqësisë që te dyfishohen subvencionet, pasi që sipas tij, vreshtarët e Rahovecit meritojnë mbështetjen.

"Sezoni i vjeljes sivjet ka filluar me vështirësi, për shkak të verës së vonuar, reshjeve të shumta të shiut, lagështisë së madhe. Ne po kërkojmë që të rriten subvencionet për këtë vit, pra të dyfishohen subvencionet për shkak të verës së vonuar, verës së vështirë, reshjet e shumta dhe mungesat e shumta që i kemi në vreshtari. Pra, është dëmtuar rrushi. Do të ishte e rëndësishme që të dyfishohen subvencionet nga Ministra e Bujqësisë si dhe do të ishte tepër e rëndësishme po ashtu qe të hapen sa më shpejt e mundur thirrja për aplikim për grante, që bujqit tanë të ndjehen të përkrahur, njëkohësisht të ndjehen edhe më të detyruar ndaj punës që e bëjmë tradicionale dhe të rrisin motivin që të vazhdojnë punojnë në ta ardhmen" tha Latifi.

Kryetari Latifi, theksoi po ashtu se rrushi i Rahovecit është dhe do mbetet më i kërkuar në Evropën Juglindore.

"Rrushi i Rahovecit, është më i miri në Kosovë, ndërsa klima dhe kushtet për të kultivuat hardhin e rrushit janë me te mirat në Evropë.Edhe mund të them që rrushi Rahovecit për nga cilësia është rrushi më i mirë në Evropën juglindore", shtoi Latifi.

Ndërkaq, menaxheri i vreshtave në komunën e Rahovecit, Emrullah Spahiu, tha se Ministria e Bujqësisë nuk po e përkrah zonën e Rahovecit.

Ai tha se shpenzimet në këtë sektorë janë të mëdha, gjersa shtoi se subvencionet janë të pamjaftueshme.

"Përkrahja është e pakët sa është kërkesa apo nevoja e fermerëve për kultivimin e hardhisë, sepse shpenzimet janë të mëdha në vreshta, kërkon shumë fuqi punëtore, shumë preparate, shumë plehra, mbikëqyrje, kështu që 1000 euro është një ndihmesë e vogël, por jo e mjaftueshme për vreshtarët. Çka kisha kërkuar nga Ministria e Bujqësisë, të shikohen mundësitë, të rrisin subvencionet, sepse kemi largim të rinisë nga kjo kulturë", u shpreh Spahiu.

Ai po ashtu ka thënë se në tregun e Kosovës rrushi me emrin ‘muskat italian’, që sipas tij, është rrushi më i kërkuar.

"Rrushi më i kërkuar, është rrushi muskat italian, në të cilin jemi tani është një rrush shumë i shijshëm, shumë i mirë edhe kjo ka konsum mjaftë të madh në Kosovë, dhe kërkesa e tregtarëve për këtë rrush janë të mëdha", tha Spahiu.

Me sloganin “Prek n’rrush, shijo n’ven”, ka kishte nisur javën e kaluar edicioni i 22-të i festës së vjeljes së së rrushit “Hardh Fest”, në Rahovec.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me këtë rast u kishte shprehur mirënjohje vreshtarëve rahovecianë të cilët siç ka thënë ajo, me këtë traditë po arrijnë ta mbajnë gjallë ekonomikisht Kosovën

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat