Ndërtimi i stacionit policor në Zubin Potok- pretendimet e Listës Serbe dhe demantimi i Policisë së Kosovës

Aktuale

Ndërtimi i stacionit policor në Zubin Potok- pretendimet e Listës Serbe dhe demantimi i Policisë së Kosovës

Më: 29 tetor 2023 Në ora: 09:17
Foto ilustrim

Afër shkollës fillore “Jovan Cvijiq” në Zubin Potok, dje ka nisur pastrimi i terrenit për të liruar hapësirë për ndërtimin e një stacioni të Policisë së Kosovës.

Veton Elshani, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Veri, tha dje se bëhet fjalë për një vendim të vitit 2018 dhe tani është marrë miratimi për nisjen e punimeve. Elshani ka treguar se deri tani kanë funksionuar në shtëpi private.

“Meqë ishim në shtëpi private, vendimi është marrë në vitin 2018, kemi marrë miratimin që të fillojmë të ndërtojmë tani, përndryshe vendimi është marrë më herët”, ka thënë Elshani.

Ai po ashtu ka konfirmuar se aty fillimisht do të vendosen kontejnerët e policisë.

“Meqenëse stacioni policor aktualisht ndodhet në një shtëpi private, ne duhet të largohemi dhe për këtë po vendosim kontejnerë derisa të ndërtohet ky stacion”, ka thënë Elshani.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar Lista Serbe, duke thënë një veprim i tillë “është shembull i presionit institucional të Prishtinës ndaj popullit serb”.

Sipas partisë që drejtohet tashmë nga Zllatan Elek, një vendim i tillë “synon të krijojë tensione dhe përshkallëzim të situatës në veri, duke injoruar thirrjet ndërkombëtare për de-eskalim dhe themelim të Asociacionit”.

“Srpska” pretendon se deklarimet se ekziston vendim qysh në vitin 2018 për ndërtimin e stacionit “janë informacione të rreme”, meqë sipas tyre “s’është dorëzuar asnjëherë në pushtetin vendor dhe as s’është kërkuar pëlqimi apo leja e duhur për ndërtimin e objektit”

Në fund kanë shkruar se i bëjnë thirrje ndërkombëtarëve që “ta frenojnë Kurtin” dhe të parandalojnë përshkallëzimin e situatës në terren.

“Veriu i Kosovës me ndërtimin e bazave parapolicore nga Prishtina, gjithnjë e më shumë i ngjan burgut të hapur apo Koresë së Veriut, sesa fshatrave dhe qyteteve evropiane. Presioni institucional që Kurti po ushtron ndaj qytetarëve tanë, madje edhe ndaj fëmijëve është përtej çdo mase dhe ata duhet të veprojnë urgjentisht. Kërkojmë gjithashtu reagimin e EULEX-it dhe KFOR-it, të cilët janë përgjegjës për sigurinë e të gjithë qytetarëve, por besojmë të vetëdijshëm se kjo lëvizje nuk është një hap në drejtimin e duhur në kuptimin e deeskalimit të situatës”, thuhet në komunikatën propagandistike të “Srpskas”.

Pas reagimit të Listës Serbe, Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media duke thënë se misioni i saj është ruajtja e rendit kushtetues dhe sigurimi i rendit dhe qetësisë publike për të gjithë qytetarët pa dallim dhe gjithashtu potencojnë se kanë objektivë strategjike për krijimin e kushteve dhe ofrimin e shërbimeve sa më të mira për qytetarët.

Në komunikatë thuhet se për të qenë sa më afër qytetarëve, është planifikuar edhe rregullimi i infrastrukturës e cila do të shërbejë për ofrim të shërbimeve sa më të mira për qytetarët.

Për Stacionin Policor në Zubin Potok thonë se është i vendosur në një objekt privat dhe me qira i cili nuk ka plotësuar kushtet për ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe për punën e zyrtarëve dhe kësisoj Policia e Kosovës me kohë ka filluar procedurat për përmirësimin e infrastrukturës, konkretisht ndërtimin e një objekti të ri në Zubin Potok.

 Në reagim kanë dhënë edhe të gjitha detajet për procedurat që janë ndjekur për ndërtimin e  objektit në Zubin Potok, e që kanë filluar kohë më parë. Aty  përfshihen një vendim i datës 5 shkurt 2018 për shpronësim të një prone shoqërore, më pas lëshimi i kushteve ndërtimore nga Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Zubin Potokut më 3 dhjetor 2020, një varg procedurash të tjera, deri tek pajisja me leje ndërtimore me 23 tetor 2023.

“Lidhur me procedurat e ndërtimit të objektit të SP Zubin Potok, që kanë filluar kohë më parë, janë ndjekur të gjithë hapat e duhur procedural e ligjor si:

• Vendimi përfundimtar i shpronësimit nr. 05/28 , datë 05.02.2018, – pronë shoqërore,

• Lëshimi i kushteve ndërtimore nga Drejtoria e Urbanizmit KK Zubin Potok dt. 03.12.2020,

• Më 11.05.2022 – pranimi i njoftimit nga komuna Zubin Potok për plotësim të dokumentacionit për regjistrim të pronës në emër të Policisë së Kosovës, komfor vendimit të Qeverisë si dhe pëlqimi për qasje në rrugë,

• Certifikata e pronësisë P- 72908055-01305-0

• Pas bartjes së pronës në emër të PK-së,  është lëshuar edhe Vendimi për qasje në rrugë dt. 19.08.2022 nr. 112/2022,

• Me datë 23.10.023 PK-ja është pajisur me Leje ndërtimore, për ndërtimin e objektit sipas Marrëveshjes së Mirëkuptimit të nënshkruar me datë 10.12.2021 mes PK-së  dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil për projektin”, thuhet në njoftim.

Në fund Policia e Kosovës thekson se Stacioni Policor dhe zyrtarët që do të punojnë në stacionin e ri në Zubin Potok do t’i shërbejnë tërë komunitetit që jeton në atë zonë dhe nuk ka të bëjë me qëllime të tjera siç spekulohet nga individ apo subjekte politike serbe.

Sot Lista Serbe ka dalë me një reagim të mbushur plotë propagandë lidhur me ndërtimin e këtij objekti të ri në shërbim të Policisë së Kosovës, duke e interpretuar si “presion” ndaj serbëve që jetojnë në atë lokacion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat