Kosova nuk do mund të anëtarësohej në KiE nëse Rusia do ishte ende anëtare

Aktuale

Kosova nuk do mund të anëtarësohej në KiE nëse Rusia do ishte ende anëtare

Më: 27 mars 2024 Në ora: 20:14
Këshilli i Evropës

Dita e mërkurë po shihet e rëndësishme për vendin.

Kjo pasi Komiteti për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës mbajti mbledhje për votimin e Raportit për Anëtarësimin e Kosovës.

E politologu nga Prishtina, Artan Muhaxhiri, thotë se kjo nismë erdhi meqë qeveria e kuptoi se duhet të bëhet kompromis për t’u anëtarësuar në organizata.

Sipas Muhaxhirit, anëtarësimi në KiE, po bëhet pas vendimit për tokën e Manastirit të Deçanit.

“Ky anëtarësim vjen si pasojë e dy elementeve, pas largimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës, me ç’rast është krijuar një hapësirë e madhe për Kosovën e cila do t’kishte qenë e pamundshme nëse Rusia do t’ishte aty, si dhe vendimin për 24 hektarët e tokës së manastirit ky ka qenë kushti kryesor dhe pas këtij kompromisi të km Kurti”, thotë Muhaxhiri.

Sipas tij, rrugë tjetër Kosova nuk ka, përpos ta përfundojë marrëveshjen me Serbinë.

“ Nuk ka asnjë rrugë tjetër, për Kosovën, që ta zhvillojë që ta përfundon marrëveshjen me Serbinë, që do t’i hapte rrugë për anëtarësim në organizata të shumta, pa respektimin e marrëveshjeve, pa krijimin e Asociacionit”, thotë ai.

E në anën tjetër, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri vlerëson se vendi është në rrugë të mirë.

“Jemi para ndërtesës së Këshillit të Evropës, ku sot pritet të votohet raporti për Kosovën për anëtarësimin e saj. Pritet që të ketë kuorum, njëkohësisht të votohet raporti dhe të procedohet në takimin e prillit. Ky është vetëm hapi i parë, jemi në një rrugë të mirë por duhet ende punë”

Rreth takimit dha detaje edhe deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

“Jemi në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku do të votohet raporti i Dora Bakoyannis, i cili është në favor të Kosovës që të anëtarësohet në KiE. Pasi që të votohet në këtë Komitet do të vazhdojë votimi në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe do të jetë nga data 15-19 prill”

Kosova aplikoi në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat