“S’ka përfunduar asgjë pas sulmit në Banjskë, ka ndryshim të taktikës nga grupet kriminale serbe”

Aktuale

“S’ka përfunduar asgjë pas sulmit në Banjskë, ka ndryshim të taktikës nga grupet kriminale serbe”

Më: 12 qershor 2024 Në ora: 18:24
Banjskë

Ish-koloneli i Policisë së Kosovës, Rrahman Sylejmani, ka paralajmëruar për një ndryshim të rrezikshëm të taktikave të grupeve kriminale serbe në veri të vendit.

Sylejmani, në një intervistë. ka theksuar se situata në veri të Kosovës nuk është stabilizuar plotësisht pas sulmit terrorist në Banjskë.

Ai ka shtuar se grupet kriminale serbe kanë ndryshuar strategjinë e tyre të veprimit, duke nxjerrë mësime nga gabimet e bëra gjatë sulmit të Banjskës.

Ky ndryshim strategjie, sipas tij, shihet në gjetjen e armatimeve të ndryshme nëpër shtëpi, pa ndonjë adresë të qartë apo person përgjegjës, çka tregon për një veprim më të fshehtë dhe të koordinuar.

“Nga rasti i Banjskës i kanë nxjerrë gabimet e tyre që i kanë pasur në strategjinë e veprimit. Organet e sigurisë dhe Policia e Kosovës i kanë dhënë një grusht të fuqishëm për atë rast, por ajo nuk do të thotë asgjë, sepse ata e kanë ndërruar strategjinë e veprimit,” ka deklaruar Sylejmani.

Sipas tij, ky ndryshim strategjie po mbështetet edhe nga Rusia, që sipas mendimit të tij, po ndihmon këto grupe të veprojnë në mënyrë më të rrezikshme.

“Kjo po shihet edhe në aspektin ndërkombëtar, me shkuarjen e Vulinit në Moskë dhe ngjarje të tjera. Ata janë duke bërë përpjekje me insistim për të vazhduar aktivitetet e tyre kriminale dhe për të hyrë në një formë edhe më të rrezikshme sesa rasti i Banjskës”, ka shtuar ai.

Kujtojmë se më 24 shtator, 2023, ndodhi një sulm terrorist nga një grup i armatosur serbësh, të cilët sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë, ku u vra polici Afrim Bunjaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat