“Mistrec që bën lojë të pistë kundër...”, profesori nga Amerika “shpërthen” ndaj Lumir Abdixhikut/ Ja çfarë i kujton

Aktuale

“Mistrec që bën lojë të pistë kundër...”, profesori nga Amerika “shpërthen” ndaj Lumir Abdixhikut/ Ja çfarë i kujton

Nga: N.E Më: 12 prill 2025 Në ora: 07:04
Lumir Abdixhiku- Albin Kurti

Profesori nga Amerika, Binak Maxharraj, ka reaguar pas refuzimit të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për t’u takuar me kreun e VV-së, Albin Kurtin.

Maxharraj përmes një shkrimi në Facebook, thotë se pavarësisht që kanë dalë partia e tretë, Kurti iu drejtua LDK-së dhe Lumir Abdixhikut, por ky i fundit po e sheh vetën si “të madh”.

“Zakonisht ndodh në jetën e përditshme që i madhi refuzon të voglin, por këtë herë ndodhi e kundërta, kur një "mistrec" i vogël si Lumir Abdixhiku refuzoi të madhin Albin Kurti.

Zgjedhjet e 9 shkurtit përfunduan, dhe çdo parti e mori copën e saj që ia ndau sovrani. Sovrani, këtë herë, copën e parë më të madhe ia dha LVV me Albin Kurtin në krye, ndërsa copën e tretë ia dha LDK-së sipas meritës.

I pari, Albin Kurti me LVV, kësaj radhe nuk ka numrat për të formuar qeverinë siç veproi para katër vitesh. Duhet një koalicion. Albin Kurti iu drejtua të tretit, LDK-së dhe Lumir Abdixhikut për një koalicion të mundshëm, ashtu siç kërkohet për formimin e qeverisë, por ky "mistrec" i LDK-së, Abdixhiku, duke e parë veten si "të madh", refuzoi ftesën e Kurtit për formimin e qeverisë, çka është kundër çdo norme, rregulli dhe ligji që kërkon formimin e qeverisë. Ai theksoi se “nuk e gjejmë veten as për konsultim””, shkruan Maxharraj.

Tutje, ai thotë se lojërat si kjo e Abdixhikut janë të pista dhe kundër elektoratit, gjersa ia kujton Isa Mustafën dhe mospengimin e tij për formimin e qeverisë Thaçi.

“Meqë Lumiri ka më shumë mendjen se sa punën, haptas doli kundër votuesve të vet, të cilët kishin votuar për themelimin e qeverisë, dhe jo që me votat e LDK-së të bëjë lojëra Abdixhiku. Këto lojëra, si kjo e Abdixhikut, janë të pista dhe kundër elektoratit, i cili pret që qeveria të formohet sa më parë. Liderët e tillë të partive politike duhet t’i dënojnë sa më ashpër, madje edhe duke mos ua dhënë votën herën tjetër, sepse nuk ka vend për lojëra me votën e shenjtë. Abdixhiku sikur ka harruar se kur ishte në pushtet, shefi i tij, Isa Mustafa, as që guxonte të pengonte formimin e qeverisë së Thaçit, por, besa, edhe i ndihmonte duke u bërë patericë e PDK-së. Eh, i gjori Abdixhiku, të cilit nuk i punon mendja dhe as koka?!”, përfundon Maxharraj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat