‘Beqa’ nga Prizreni i akuzuar për përfitimin e 78 mijë € në emër të fajdesë del para gjykatës, kamerat e ‘stresojnë’

Aktuale

‘Beqa’ nga Prizreni i akuzuar për përfitimin e 78 mijë € në emër të fajdesë del para gjykatës, kamerat e ‘stresojnë’

Më: 21 maj 2025 Në ora: 13:08
Foto ilustrim

Gjykimi ndaj Beqir Hoxhës nga Prizreni, i njohur si ‘Beqa’, i akuzuar për veprën penale “fajde”, është shtyrë për datën 2 qershor.

Në seancën e sotme është paraparë të jepej fjala përfundimtare, por që prania e gazetarëve i pengoi të akuzuarit, i cili përmes mbrojtësit të tij kërkoi nga trupi gjykues që të përjashtohen ekipet e mediave të pranishme në sallë.

Media, që ka përcjellë seancën, ka bërë të ditur se i akuzuari është arsyetuar se gjoja mediat po i shkaktojnë stres, por një kërkesë e tillë nuk u aprovua nga gjyqtari.

Megjithatë, Hoxha tha se nuk dëshiron të deklarohet për fajësinë, por të mbrohet në heshtje.

Dosja e Prokurorisë 

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, më 6 nëntor të vitit 2023 ka ngritur aktakuzën ndaj Beqir Hoxhës, të cilin e akuzon se ka marrë shumën prej 78 mijë euro nga të dëmtuarit, në emër të fajdesë.

Beqir Hoxha, akuzohet se duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarve, kontrakton shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), ku me rastin e dhënies së të hollave, 600 euro i ndal në emër të kamatës mujore dhe e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguajë nga 600 euro kamata mujore.

Aktakuza thotë që në emër të kamatës, viktima F.S., nga muaji qershor i vitit 2016 deri në muajin prill 2023 ka paguar shumën prej 49 mijë e 200 euro.

Sipas dosjes, i njëjti më 18 shkurt 2018 duke mos arritur t’i paguajë shumat e kamatave, nga i  akuzuari Hoxha merr 3 mijë euro, ndërsa në muajin mars merr shumën e të hollave prej 2,000 euro, për të cilat paralajmërohet nga Hoxha se për çdo vonesë duhet të paguajë nga 500 euro kamata mujore.

Për këtë, i dëmtuari nga muaji mars 2018 deri në muajin janar 2023, në emër të shumës së marrë prej 5 mijë euro vazhdon të paguajë nga 500 euro kamata mujore, duke i dhënë ‘Beqës’ shumën prej 29 mijë euro.

Në total, i dëmtuari paguan në emër të kamatave shumën prej 78 mijë e 200 euro dhe kur nuk arrin t’i paguajë, Hoxha e paralajmëron se duhet të paguajë sërish nga 200 euro kamata ditore, me ç’rast nga i dëmtuari më datë 22 gusht 2023, i merr 12 mijë e 800 euro dhe u arrestua në flagrancë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat