LIVE/ Nis Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Vjosa Osmani: Në orët më të errëta, gratë na mbajtën gjallë

Aktuale

LIVE/ Nis Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Vjosa Osmani: Në orët më të errëta, gratë na mbajtën gjallë

Më: 2 qershor 2025 Në ora: 07:16 Përditësuar në ora: 15:09 më 02.06.2025
Vjosa Osmani

Vajza e Shyrete Sulimanit hap Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Vajza e të mbijetuarës së dhunës seksuale, Venesa Sulimani ka bërë hapjen e Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Ajo tha se nënës së saj, Shyretes, i janë dashur 20 vjet kohë që të mund të flas për krimin që forcat serbe i kanë bërë gjatë luftës.

Sulimani: Në moshën 4 vjeçare unë isha dëshmitare e një krimi te luftës

"Në moshën 4 vjeçare unë isha dëshmitare e një krimi te luftës. Për 15 vite të gjata, shëndeti im mendor dhe fizik ishte i rrezikuar rëndë. Deri dy vite më parë, kur vendosa që nuk do ta lejoja më të më shkatërronte mua, ne, apo këdo tjetër. Lufta ka shumë viktima edhe pasi ajo ka përfunduar, shpesh duke qenë fëmijët e vegjël që janë shumë të pafuqishëm për të shëruar veten, për t’u mbrojtur dhe për t’u mbështjellë nga gjërat që nuk mund dhe nuk duhet t’i kuptojnë. Iu deshën nënës sime 20 vjet për të gjetur zërin e saj, dhe megjithëse unë ende po e gjej timin, do ta përdor me krenari për ata që nuk kanë zë - si aktiviste për traumën ndërbreznore, çështjet e shëndetit mendor dhe për t’i dhënë fund stigmës për fëmijët anembanë botës. Trauma ndërbreznore nuk më përcakton dhe nuk do të më kufizojë, kurrë", tha ajo.

Ndërsa, e mbijetuara e gjenocidit në Bosnje e Hercegovinë, Zijada Efendiq kujtoi periudhën e përndjekjeve, vrasjeve e dhunës.

Efendiq: Duam të jetojmë në paqe

"Ne ishim të ekspozuar çdo ditë ndaj përndjekjes, vrasjeve, dhunës së tepërt. Për shkak të kësaj, u detyruam të shpërngulemi nga Srebrenica në qytet. Në vitin 1995 ndodhi gjenocidi, pra filloi shfarosja gjenocidale, atëherë isha vetëm 15 vjeç. U ktheva në Serbi në vitin 1996. Kam krijuar familje, kam dy fëmijë, bashkëshorti im gjithashtu ka dy fëmijë. Unë, burri im dhe fëmijët tanë duam që kurrë më nënat, baballarët, vëllezërit, motrat dhe të tjerët të mos përjetojnë luftë në këto anë, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë. Duam që ata që kanë humbur më të dashurit e tyre të gjejnë paqe dhe që ne të jetojmë në paqe", tha ajo.

Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka nisur sot organizohet nën udhëheqjen e presidentes, Vjosa Osmani.

Sot dhe nesër do të mbahen mbi 30 panele diskutime, me mbi 150 folës.

Ky është edicioni i tretë, ku tema kryesore e forumit do të jetë "Kodi i Sigurisë për Brezin Tonë".

Osmani ua ndan Medaljen Presidenciale nënave të Srebrenicës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë Medalje Presidenciale nënave të Srebrenicës në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që po mbahet në Prishtinë.

Gjatë fjalës së saj ajo ka thënë se në Sebrenicë u masakruan më shumë se 8 mijë burra e fëmijë nga forcat gjenocidale të Millosheviqit.

Sipas saj, nënat nuk kanë një varr ku do të vajtojnë të dashurit e tyre. Mirëpo sipas saj, përkundër kësaj dhimbjeje të pafund, nënat e Srebrenicës njësoj si shumë nëna të Kosovës kanë vendosur të ngrenë zërin.

“Ju jeni bërë zëri i atyre që nuk mund të flasin. Më çdo fotografi që e keni mbajtur në duart tuaja ju keni ruajtur kujtimin e gjallë. Të dashura nëna të Srebrenicës gjatë mandatit tim si presidente kam nderuar shpeshherë nënat e Kosovës që kanë shndërruar dhimbjen e tyre në forcë dhe asnjëherë nuk heshtën për të kërkuar drejtësi për fëmijët që humbën gjatë luftës. Sot kam nderin në emër të gjithë qytetarëve, në bazë të kompetencave kushtetuese që kam, nënave të Srebrenicës t’ua dhuroj Medaljen Presidenciale për Shërbim”, ka thënë Osmani.

Ndërkaq përfaqësuesja e nënave të Srebrenicës ka thënë se kanë paraqitur të vërtetën para botës.

“Kemi luftuar për rezoluta në Asamblenë e Kombeve të Bashkuar që është shumë me rëndësi që gjenocidi të mbahet në mend. Nëse kam mbetur pa birin tim,… nuk kam mbetur pa krenari. I kemi hapur sytë e gjithë botës ndaj dinjitetit tonë njerëzor”, ka thënë ajo.

Osmani: Forumi ekziston për t’i fuqizuar ata që refuzuan të thyhen

Në Prishtinë ka nisur sot edicioni i tretë i Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë me temën "Kodi i Sigurisë për Brezin Tonë". Në këtë forum po marrin pjesë rreth150 folës nga 45 vende të botës. Në hapje u theksua nevoja për trajtimin e plagëve të luftës, ku u tha se tema e sivjetme e këtij edicioni është thirrje për paqe. Pas fjalimeve të para, presidentja Vjosa Osmani ka bërë ndarjen e medaljeve presidenciale për nënat e Srebrenicës.

Osmani tha se para më shumë se dy dekadave, fëmijët e Kosovës panë e përjetuan tmerret e luftës.

"Pak më shumë se dy dekada më parë, fëmijët e këtij vendi panë tmerrin që asnjë fëmijë nuk duhet ta përjetojë, dhe nënat i humbën dhe i varrosën fëmijët e tyre si pasojë e luftës. E megjithatë, në orët më të errëta, ishin gratë e këtij vendi ato që na mbajtën zemrat e thyera të bashkuara. Siç e dini, ato kurrë nuk pranuan të shiheshin si viktima, por si ndërtuese, si ndërtuese të paqes. Ato luftuan jo vetëm për lirinë tonë, por edhe për drejtësi, për dinjitet dhe për një të ardhme që ia vlen të jetohet. Dhe ato vazhdojnë ta bëjnë këtë çdo ditë që kalon. Tregimet me të cilat u rritën fëmijët e Kosovës nuk ishin të zakonshme për fëmijëri, por tregime të formësuara nga lufta. Tregime të grave që qepnin së bashku atë që lufta përpiqej ta copëtonte. Të fëmijëve që kapeshin pas librave ndërsa fshiheshin nga bombardimet dhe nga zjarri i snajperëve. Të ëndrrave të thyera, por përkundër këtyre ëndrrave të thyera, të shpresës dhe besimit të vazhdueshëm, të fqinjëve që u bënë mburojë, dhe të asaj heshtjeje të padurueshme pas çdo shpërthimi, ku dëgjohej vetëm rrahja e zemrës së një nëne që kërkonte fëmijën e saj", deklaroi Osmani.

Tema e këtij viti, “Kodi i Sigurisë për Gjeneratën Tonë”, Osmani tha se është thirrje për të ndërprerë ciklet e dhunës dhe për ndërtimin e paqes.

Në hapje të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, kryetarja e shtetit u shpreh se luftërat pas vetës lënë dëm ndërbreznor.

"Është dëmi i heshtur ndaj ndjesisë së sigurisë së një fëmije. Plaga e padukshme që mbartet nga mendjet e reja. Është dhimbja e padurueshme e humbjes së një prindi, një vëllai, një të dashuri, një shtëpie, e të bërit refugjat. Dhe siç kemi dëgjuar sot nga ndërtuesit tanë të paqes, madje edhe të jesh dëshmitar i përdhunimit të nënës sate - ajo dhimbje nuk shuhet kurrë. Janë pyetjet që nuk marrin përgjigje. Janë të ardhmet që nuk marrin kurrë formë të plotë. Janë fëmijët ata që e bartin barrën e luftës në moshën e rritur. Por fëmijët nuk janë vetëm viktima. Ata janë gjithashtu ndërtues të ardhshëm të paqes, presidentë të ardhshëm, mbrojtës të drejtësisë. Prandaj, nëse nuk investojmë në ta sot, i lëmë konfliktet të formësojnë të nesërmen. Për këtë arsye ekziston ky forum. Për të ngritur zërat që lufta u përpoq t’i heshte. Për të fuqizuar ata që refuzuan të thyhen. Për të ndërtuar të ardhme atje ku të tjerët u përpoqën të mbjellin frikë dhe dhimbje", shtoi Osmani.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha para të pranishmëve se Kosova është dëshmi e gjallë se si u ngrit nga hiri dhe e shndërroi traumën e dhunën në forcë.

E kreu i shtetit të Antigua dhe Barbuda, guvernatori i përgjithshëm, Rondey Ëilliams tha se plagët e luftës nuk marrin fund me përfundimin e luftës.

"Udhëtimi i kombit tuaj nga konflikti në vetëbesim është një dëshmi e fuqisë së këmbënguljes dhe qëllimit. Që takohemi në këtë tokë, dikur e shkatërruar nga lufta dhe sot në përpjekje për paqe, nuk i shpëton askujt prej nesh. Na kujton se paqja nuk është kurrë aksidentale. Ajo fitohet, mbrohet dhe mbahet në jetë përmes vizionit, përfshirjes dhe guximit. Si mjek me profesion dhe kryetar shteti, prej kohësh kam vërejtur se paqja dhe shëndeti janë thellësisht të ndërlidhur. Asnjëri prej tyre nuk është thjesht mungesë e sëmundjes apo konfliktit, por prani e ekuilibrit, dinjitetit dhe shpresës. Qoftë duke trajtuar trauma në një klinikë, apo duke avokuar për drejtësi në një komb, detyra është e njëjtë - të rikthejmë tërësinë", u shpreh ai.

Në hapje të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ai tha se gjatë kohës sa kishte lexuar për Kosovën është prekur me çështjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

"Në përgatitje për këtë fjalim, u riktheva te historia e Kosovës dhe u ndjeva veçanërisht i prekur nga trashëgimia e presidentes Atifete Jahjaga, presidentja e parë grua e Kosovës. Vendimi i saj i guximshëm për ta vendosur në qendër zërin e të mbijetuarave të dhunës seksuale në procesin e shërimit kombëtar nuk ishte vetëm simbolik, ishte strukturor. Ajo e tregoi se çfarë mund të duket udhëheqja dhe çfarë duhet të përfshijë paqja. Sot flasim për siguri globale, por duhet të flasim gjithashtu për plagët lokale, sepse trauma e luftës nuk përfundon kur ndalet lufta. Ajo qëndron në shtëpi, në klasa, në mendjet e fëmijëve që ndalojnë së ëndërruari, dhe në gratë që mbajnë plagë të heshtura. Stresi post-traumatik nuk kufizohet vetëm te ushtarët - ai përhapet në jetën e përditshme të komuniteteve tona", tha ai.

Përfaqësuesja e posaçme e sekretarit të NATO-s, Irene Fellin tha se pjesëmarrja e grave në ndërmjetësim paqeje mundëson arritjen e një marrëveshjeje.

"Kur flasim për përfshirje, flasim për të drejtën e grave për të kontribuar në shoqëri. Dhe kur e shikojmë nga perspektiva operacionale, e kuptojmë se kjo nuk është vetëm çështje morali, por një zgjedhje strategjike - sepse lidhet me misionin tonë. Nga përvojat tona operacionale kemi kuptuar se nuk mund t’i arrijmë objektivat tona nëse nuk marrim parasysh perspektivat dhe nevojat e ndryshme të grave dhe burrave. Kur planifikojmë një operacion, duhet ta planifikojmë atë duke e ndërtuar mbi parimet gjinore. Dhe kjo na kthen te ajo që thashë më herët: stërvitja dhe përgatitja, për të qenë gati në rast të ndonjë zhvillimi. Nëse duam të shkojmë përtej thelbit të NATO-s, i cili është parandalimi dhe mbrojtja, atëherë duhet të kujtojmë atë që kemi mësuar nga kërkimet tona: pjesëmarrja e grave në ndërmjetësim paqeje dhe negociata e rrit mundësinë që të arrihet paqe, dhe që marrëveshjet e paqes të jenë më të qëndrueshme. Dhe kjo për arsyen e thjeshtë, se gratë sjellin një perspektivë tjetër", deklaroi ajo.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali tha se gratë e fëmijët gjithmonë paguajnë çmimin më të rëndë të luftës.

"Pavarësisht mizorive të pathëna të kryera nga regjimi i Millosheviqit, Kosova nuk ra kurrë pre e hakmarrjes së verbër. Përkundrazi, ajo punoi pa pushim për ta shndërruar dhimbjen në forcë, për të përfunduar luftërat dhe shmangur konfliktet, investoi në lirinë dhe sovranitetin e kombeve dhe popujve. Realiteti i sotëm që flet ky forum, flet vetë. Ai përkthehet dhe pasqyron dëshirën e madhe dhe ndjenjën e thellë të njerëzimit të Kosovës, angazhimin e saj për paqe, për fuqizimin e grave në çdo fushë të jetës, përfshirë edhe si ndërtuese të paqes dhe garantuese të sigurisë", deklaroi ajo.

Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, organizohet nën udhëheqjen e presidentes, Vjosa Osmani.

Sot dhe nesër do të mbahen mbi 30 panele diskutime me mbi 150 folës.

Ky është edicioni i tretë, ku tema kryesore e forumit do të jetë "Kodi i Sigurisë për Brezin Tonë”.

​Osmani: Paqja është një mundësi e re për t’u ngritur

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se paqja është themeli i çdo gjëje për çka angazhohen. Ajo theksoi se gratë dhe fëmijët në shumë vende të botës janë duke shkruar të njëjtat fjalime qe dikur i përjetonte Kosova.

Kështu u shpreh ajo në hapje të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Osmani tha se tema e forumit të sivjetmë është thirrje për të ndërtuar paqe.

"Pak më shume se dy dekada më parë, fëmijët e këtij vendi ishin dëshmitarë të asaj që asnjë fëmijë nuk duhet t'i shoh. Ishin gratë e këtij vendi të cilat na i mbajtën zemrat gjallë. Asnjëherë nuk pranuan te shihen si viktima por si ndërtuese të paqes. Dhe këtë vazhdojnë ta bëjnë çdo ditë qe kalon", tha ajo.

Kryetarja e shtetit tha se fëmijët bartin barrën e luftës por edhe se janë mbrojtës të ardhshëm të drejtësisë.

"Paqja është një mundësi e re për t’u ngritur, për të prosperuar dhe për të gjallëruar. Mjedisi global i sigurisë është i rrezikshëm nga lufta globale, krimet kibernetike. Viktimat janë gjithmonë të njëjta, gratë, fëmijët, edhe ata te pa zë”, u shpreh ajo.

Hapjen e Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, në Prishtinë, e ka bërë Venesa Sulimani, vajza e të mbijetuarës së dhunës seksuale, Shyrete Sulimani.

Ajo tha se nënës së saj, Shyretes, i janë dashur 20 vjet qe ta gjejë zërin për të treguar atë që kishte përjetuar.

"Në moshën 4 vjeçare unë isha dëshmitare e një krimi te luftës. Për 15 vite të gjata, shëndeti im mendor dhe fizik ishte i rrezikuar rëndë. Para dy vitesh që unë vendosa që kjo të mos na shkatërronte më. Lufta ka shumë viktima, madje edhe pasi lufta të ketë përfunduar", tha ajo.

Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, është organizuar nën udhëheqjen e presidentes Vjosa Osmani.

Sot dhe nesër do të mbahen mbi 30 panele diskutime, me mbi 150 folës.

Ky është edicioni i tretë, ku tema kryesore e forumit do të jetë "Kodi i Sigurisë për Brezin Tonë".

Vjosa Osmani: Në orët më të errëta, gratë na mbajtën gjallë

Në Prishtinë ka nisur Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, një ngjarje me përmasa globale që po zhvillohet nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Me mbi 150 folës nga më shumë se 45 shtete dhe mbi 30 panele diskutimi, forumi ka për qëllim thellimin e dialogut për rolin e grave në ndërtimin e paqes dhe sigurisë në botë.

Në fjalën e saj hapëse, presidentja Osmani theksoi rëndësinë e kujtesës historike dhe rolin jetik që gratë kanë luajtur dhe vijojnë të luajnë në ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme.

Fjalimi i saj:

“Hapja e këtij forumi është një nga momentet më kuptimplota të këtij viti. Këtu në Kosovë, ne nuk flasim për paqen nga largësia ne flasim për paqen nga barra e kujtesës. Jo vetëm si një barrë për të mbajtur, por si një kujtim për të shpërndarë një porosi. Ne, në Kosovë, e kemi ditur gjithmonë se paqja nuk mund të mbijetojë pa lidershipin e grave. Dy dekada e gjysmë më vonë, unë vazhdoj të besoj se këto parime duhet të bëhen realitet. Dy dekada më parë, fëmijët tanë ishin dëshmitarë të tmerrit. Në orët më të liga dhe më të errëta, ishin gratë e këtij vendi që na mbajtën gjallë. Ato nuk pranuan të shihen si viktima por si ndërtuese të paqes. Historitë e fëmijëve të Kosovës nuk janë thjesht rrëfime të zakonshme fëmijësh, por copa të gjalla nga plagët e luftës. Tingulli më i dhimbshëm nuk është gjithmonë vajtimi është heshtja. Tema e këtij viti është më shumë se një titull. Është një thirrje për të thyer ciklin e dhunës”.

Sylejmani hap Forumin presidencial: Jam vajza e gruas që u dhunua para meje

Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë ka nisur edicionin e tretë me rrëfimin e Vanesa Sylejmanit, vajza e cila ka qenë dëshmitare e dhunimit seksual të nënës së saj nga forcat ushtarake serbe në luftën e fundit në Kosovë.

“Unë jam Vanesa Sylejmani, një fëmijë i luftës në Kosovë por që jam bërë shumë më shumë se kaq. Jam vajza e një gruaje të mençur, që u dhunua para meje në vitin 1999. Kur isha katër vjet, kam qenë dëshmitare e një lufte që ka qenë e projektuar që të ketë më shumë viktima se sa të mbijetuar”, tha ajo.

Sylejmani foli për ndikimin e madh që ka pasur kjo ngjarje në jetën e saj dhe të nënës së saj, si e mbijetuar e dhunës seksuale.

“Lufta ka viktima të shumta, edhe atëherë kur lufta ka mbaruar”, ka thënë ajo teksa ka treguar pamundësinë për t’u mbrojtur si fëmijë nga një regjim i tillë.

Prishtina sot e nesër do të jetë nikoqire e edicionit të tretë të kësaj ngjarje. Në këtë forum pritet të marrin pjesë mbi 30 panele diskutimi, me mbi 150 folës nga më shumë se 45 shtete.

Presidentja Osmani mirëpret ministrin e Jashtëm të Bosnjës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka mirëpritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq.

Ky i fundit, e ka pranuar ftesën e Osmanit për të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

“Kjo vizitë e rëndësishme dëshmon rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit për paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha Osmani.

Sot dhe nesër, Prishtina do të jetë nikoqire e edicionit të tretë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, nën patronatin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Forumi do të nis nesër, më 2 qershor, dhe do të zgjasë deri të martën, më 3 qershor. Ai do të mbledhë mbi 150 folës nga më shumë se 45 vende të botës, të cilët do të marrin pjesë në më shumë se 30 panele diskutimi.

Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë këtyre ditëve “Prishtina bëhet vendtakimi i zërave nga e mbarë bota, të cilët do të ndajnë vizionin e tyre për ‘Kodin e Sigurisë për Brezin Tonë’”.

----------------

Sot do të fillojë Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Nën patronatin e presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, forumi do te zgjasë dy ditë.

Në këtë forum është lajmëruar të jenë mbi 30 panele diskutimi, me mbi 150 folës nga më shumë se 45 shtete.

“Më 2 dhe 3 qershor, Prishtina bëhet edhe këtë vit vendtakimi i zërave nga e mbarë bota, të cilët do të ndajnë vizionin e tyre për “Kodin e Sigurisë për Brezin Tonë”!” thuhet në njoftimin e Presidencës. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat