Maliqi: Në veri ka stabilitet, mund të shqyrtohet zvogëlimi i Policisë së Kosovës

Aktuale

Maliqi: Në veri ka stabilitet, mund të shqyrtohet zvogëlimi i Policisë së Kosovës

Më: 11 qershor 2025 Në ora: 00:40
Reshat Maliqi

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, vlerëson se duke qenë se aktualisht në veri të Mitrovicës situata është më stabile, nuk ka nevojë të ketë numër shumë të madh të Njësisë Speciale të Kosovës.

Sipas Maliqit, tani do të ishte mirë që pas analizimit të ekspertëve të fushës të shihej mundësia e tërheqjes apo zvogëlimit të forcave, të cilat siç ka theksuar ai në rast të ndonjë tensionimi mund të rikthehen sërish.

“Mendoj që është mirë që tani të analizohet situata nga ekspertët e fushës dhe të shihet mundësia e tërheqjes apo zvogëlimit të forcave atje sepse tani shihet se është një situatë stabile. Eshtë një situatë e mirë por nëse ka tendenca të prishjes apo të grupimit të kriminelëve ka mundësi që forca të rikthehen për një periudhë shumë të shkurtër kohore dhe përsëri të pozicionohen në pozitat ku janë. Mirëpo nuk është e domosdoshme ndoshta sot të jenë krejt ato grupe policore apo ai numër aq i madh i policëve për momentin sepse shihet që është arritur ai rezultati i dëshiruar se është një situatë pak më e qetë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se shumica e kriminelëve që për vite kanë vepruar në veri të Mitrovicës tashmë nuk gjenden atje, pasi në të kundërtën Policia e Kosovës do t’i arrestonte.

“Pjesa dërmuese e kriminelëve që atje kanë vepruar me vite më si duket nuk gjenden në Mitrovicë, po të jenë aty me siguri nëse kanë informacion policët e Kosovës do t’i arrestonin ata, por ata ose janë strehuar e janë mbyllur diku ose kanë ikur nga veriu i Mitrovicës dhe kanë shkuar në vendet prej nga kanë ardhur..”, është shprehur Maliqi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat