Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Lutfi Haziri, tha se janë në pritje të arritjes së një marrëveshjeje politike ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nisma Socialdemokrate për t’i dhënë fund krizës institucionale në Kosovë.
Ai nënvizoi sërish se LDK-ja ka pozicionin e saj kundër arritjes së një marrëveshje politike me LVV-në.
Haziri: Jemi në pritje të marrëveshjes Kurti-Limaj
“26 korriku është muaji i definuar si periudhë kohore nga Kushtetuesja. Shterja e mundësive për një marrëveshje po shihet se nuk po ndodh përkundër që ka pritje që të ndërtohet një marrëveshje politike... S’ka të bëjë me LDK-në. LDK-ja ka pozicionimin jo. Kurti-Limaj dhe të tjerët që po punohet. Nuk ka përpjekje për me arrit një qëllim, derisa s’ka një marrëveshje në tavolinë nuk je fort i angazhuar dhe ky është problemi që po shohim”, tha Haziri duke hyrë në objektin e Kuvendit të Kosovës në përpjekjen e 48-të për konstiuimin e legjislaturës së nëntë.
Ai shtoi se Kosovën po e mban peng mungesa e një marrëveshjeje politike, derisa përmendi aktgjykimin e fundit të Supremes që sipas tij ndalon që një person të mbajë postin e deputetit dhe ministrit në detyrë.
Rrjedhimisht ai i bëri thirrje deputetëve që mbajnë postin edhe të ministrit në detyrë të japin dorëheqje nga kjo e fundit, në mënyrë që mos të shkelin ligjin dhe Kushtetutën.
Haziri: Deputetët që janë edhe ministra në detyrë të japin dorëheqje nga pushteti ekzekutiv
“Mungesa e një marrëveshjeje politike, Kosovën po e mban pa qeveri dhe pa Kuvend fatkeqësisht. Ajo që doli tash se edhe deputet dhe ministër nuk funksionon dhe nuk lejohet të ndodh në Kosovë. Është një vendim gjykate se dëshmon se tetë-nëntë deputetë janë duke shkel rëndë ligjin duke qëndruar në detyrën e ministrit. Do të duhej të largoheshin menjëherë nga zyrat dhe të nxjerrët kjo situatë. Po presim me padurim arritjen e një marrëveshje politike”, theksoi Haziri.