Samiti në Londër me fokus integrimin e Ballkanit – Kurti zhvillon takim me Starmerin pas ngjarjes

Aktuale

Samiti në Londër me fokus integrimin e Ballkanit – Kurti zhvillon takim me Starmerin pas ngjarjes

Më: 22 tetor 2025 Në ora: 07:04 Përditësuar në ora: 23:36 më 22.10.2025
Takimi Kurti dhe Starmer pas Samitit të Procesit të Berlinit

Pas Samitit, Kurti takon Starmerin në Londër, diskutojnë bashkëpunimin Kosovë–Britani

Pas takimit që u zhvillua në pjesën e parë të ditës me Sekretaren e Shtetit për Punë të Jashtme, Yvette Cooper dhe pas përfundimit të sesioneve të diskutimeve në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, në margjina të tij, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.

Kryeministri Kurti shprehu vlerësimin e lartë për udhëheqjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe organizimin e Samitit të 12-të të Procesit të Berlinit, i cili po mbahet në Londër për herë të dytë pas vitit 2018.

Gjersa diskutuan rreth temave kryesore të Samitit, gjegjësisht siguria, rritja dhe migracioni, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e rolit të Mbretërisë së Bashkuar në fuqizimin e bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe paqes.

Image
Takimi Kurti dhe Starmer pas Samitit të Procesit të Berlinit

Në vijim biseduan për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit dhe përkrahjes në fusha me interes të përbashkët si energjia, siguria dhe mbrojtja, infrastruktura dhe edukimi. Kryeministri Kurti veçoi bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, gjersa vendi ynë po vazhdon investimet në këtë drejtim.

Kryeministri Kurti falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për lajmin se Forcat e Armatosura të Britanisë së Madhe do të vazhdojnë mbështetjen për misionin paqeruajtës të udhëhequr nga NATO në Kosovë, KFOR-in, për të paktën edhe tre vjet, si dhe për thirrjen e djeshme në seancën e OKB-së për njohjen e Kosovës nga shtetet anëtare dhe për dorëzimin e terroristit Radoiçiq nga ana e Serbisë, i cili vijon të mbetet i lirë pas sulmit terrorist në Banjskë duke përbërë rrezik për sigurinë.

Image
Takimi Kurti dhe Starmer pas Samitit të Procesit të Berlinit

Kurti falënderon Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen ndaj Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook se ka marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, i cili këtë vit është mbajtur në Londër. Në prag të nisjes së punimeve të Samitit, delegacioni është mirëpritur në Pallatin mbretëror St. James nga vetë Madhëria e Tij, Mbreti Charles III.

Në margjinat e Samitit, Kurti ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme me liderë shtetërorë nga vendet anëtare të BE-së dhe rajonit.

Ai ka takuar Kryeministrin e Britanisë së Madhe, Keir Starmer, Kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz, Kancelarin e Austrisë, Christian Stocker, Sekretaren e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, si dhe ministrin francez të deleguar për Evropën, Benjamin Haddad.

Postimi i plotë:

Në prag të Samitit të Procesit të Berlinit që u mbajt në Londër, u mirëpritëm nga Madhëria e tij, Mbreti Charles III, në Pallatin mbretëror St. James.

Ndërkohë para fillimit të Samitit ditën e sotme dhe në margjina të tij, u takuam e bashkëbiseduam me Kryeministrin e Britanisë së Madhe, Keir Starmer, Kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz, Kancelarin e Austrisë, Christian Stocker, Sekretaren e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, ministrin Francez të Deleguar për Evropën, Benjamin Haddad dhe liderë të tjerë shtetërorë nga vendet anëtare dhe rajoni.

Në fokus të diskutimeve që i zhvilluam ishin temat kryesore të Samitit të qendërzuara rreth sigurisë, rritjes ekonomike dhe migracionit, por diskutuam edhe mbi çështjet rajonale dhe integrimin evropian.

Shpreha mirënjohjen ndaj Mbretërisë së Bashkuar për organizimin e Samitit, për mbështetjen e palëkundur ndaj Kosovës dhe bashkëpunimin tonë të fuqishëm bilateral.

Përfundon takimi i Samitit të Procesit të Berlinit në Londër

Takimi i samitit të 12-të të Procesit të Berlinit është mbyllur të martën në Londër, pa deklarata për media nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Pas përfundimit të punimeve, Kurti publikoi fjalimin e tij të mbajtur gjatë samitit, ku theksoi se përparimet e arritura në Kosovë mbeten nën “hijen e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm” nga Serbia, duke kërkuar që Beogradit të mos i lejohet të veprojë “me pandëshkueshmëri”.

Ai rikujtoi se sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, i ndodhur në shtator të vitit 2023, nuk duhet të injorohet. Kurti kujtoi se për këtë sulm përgjegjësinë e ka marrë Milan Radoiçiq – ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – por, sipas tij, Radoiçiq ende nuk po përballet me drejtësi.

“Fqinjit tonë armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri, pasi kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të pandëshkuara”, tha Kurti, sipas fjalimit të publikuar në Facebook.

Kosova ka kërkuar vazhdimisht që Serbia ta ekstradojë Radoiçiqin, ndërkohë që në vend po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj tre prej dhjetëra të akuzuarve për rastin Banjskë, ku një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra nga një grup serbësh të armatosur. Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar që përgjegjësit për ngjarjen të përballen me drejtësi.

Gjatë fjalimit në samit, Kurti bëri thirrje për forcimin e unitetit evropian përballë presioneve të jashtme dhe “dyshimeve të brendshme”. Ai theksoi se ky unitet duhet të përfshijë edhe Ballkanin Perëndimor, i cili ndodhet gjeografikisht brenda kufijve të BE-së dhe NATO-s, por mbetet jashtë strukturave të tyre.

“Një unitet i tillë duhet të shtrihet edhe në juglindje të kontinentit tonë. Ballkani Perëndimor gjendet gjeografikisht brenda kufijve të BE-së dhe NATO-s, por të gjitha vendet mbeten jashtë BE-së dhe gjysma jashtë traktateve të NATO-s. Kjo nuk është as e mençur dhe as solide. Për ta frenuar ndikimin rus apo kinez në Evropë, nuk duhet të lëmë asnjë vakum,” tha Kurti.

Sipas tij, në një kohë kur lufta midis Rusisë dhe Ukrainës po vazhdon, Londra “mund të ndihmojë shumë duke mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor që duan t’i bashkohen NATO-s, duke mbyllur kështu këtë boshllëk të rrezikshëm të sigurisë”.

Kurse kryeministri shqiptar Edi Rama ka publikuar fotografinë familjare nga Samiti.

“Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor, Londër 2025”, ka shkruar Rama.

 

Kryeministri britanik, Keir Starmer, gjatë samitit të Procesit të Berlinit në Londër tha se Ballkani Perëndimor është vendi ku testohet siguria e kontinentit evropian.

“Rajoni [Ballkani Perëndimor] është përshkruar si udhëkryq i Evropës, por shpesh ka qenë poligon i testimit i Evropës – vendi ku testohet siguria e kontinentit tonë”, tha Starmer në nisje të samitit.

Në Londër, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe disa udhëheqës të Bashkimit Evropian janë takuar për të diskutuar për forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe infrastrukturor, si dhe përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit.

Starmer, në nisje të samitit, tha se bisedimet do përqendrohen edhe në çështjet e sigurisë, migrimit, rritjes ekonomike dhe në luftën kundër “ndikimit dashakeq” të Rusisë.

“Ballkani Perëndimor për një kohë të gjatë ka qenë rrugë trazit për bandat kriminale të kontrabandës. Nuk do të dëshironit që këto banda të operojnë në territorin e juaj sepse do të vuanit pasojat e veprimeve të tyre”, tha Starmer.

Procesi i Berlinit është nismë diplomatike e themeluar në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel, e cila synon afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian.

Në samit morën pjesë udhëheqësit e vendeve të rajonit: nga Kosova kryeministri në detyrë Albin Kurti, nga Shqipëria kryeministri Edi Rama, nga Serbia kryeministri Gjuro Macut, nga Mali i Zi kryeministri Millojko Spajiq, nga Maqedonia e Veriut kryeministri Hristijan Mickoski dhe nga Bosnja e Hercegovina kryetarja e Këshillit të Ministrave, Borjana Krishto.

Në takim mori pjesë edhe kancelari gjerman Friedrich Merz, përfaqësues të Bashkimit Evropian, si dhe zyrtarë të lartë nga Franca e shtete të tjera anëtare të BE-së.

Procesi i Berlinit, i nisur në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares gjermane Angela Merkel, synon të forcojë bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor – Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut – dhe t’i afrojë ato drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Nga gjashtë shtetet e rajonit, vetëm Kosova mbetet ende pa statusin e vendit kandidat për BE. Edhe pse në kuadër të këtij procesi janë nënshkruar disa marrëveshje e deklarata bashkëpunimi, shumë prej tyre nuk janë zbatuar plotësisht.

Në një komunikatë të Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe u bë e ditur se pjesëmarrësit e samitit diskutuan për stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon, me theks të veçantë në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe kontrabandës në rrugët kryesore të Ballkanit.

Kancelari gjerman flet për nevojën e avancimit të dialogut Kosovë-Serbi

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, bëri thirrje të qartë për avancimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese.

“Ne kemi nevojë urgjente për përparim në procesin e normalizimit midis Prishtinës dhe Beogradit. Zbatimi i besueshëm dhe i plotë i marrëveshjeve të arritura tashmë është kyç. Rreth kësaj tryeze do të gjeni vende të gatshme për të mbështetur, përfshirë edhe vendin tim, Gjermaninë, por gjithçka varet nga angazhimi juaj,” tha Merz.

Ai shtoi se një qëndrim i përbashkët mbi pajtimin dhe fqinjësinë e mirë është arritur, por tani është koha për ta bërë këtë realitet.

“E ardhmja e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian dhe Procesi i Berlinit po ndihmon në këtë rrugë. Sa kohë do të duhet për të arritur atje varet nga secili vend. Reformat janë çelësi dhe Bashkimi Evropian nuk mund dhe nuk do të bëjë asnjë kompromis këtu, sepse kjo nuk do të ishte në interes të të ardhmes së vendeve kandidate,” përfundoi kancelari gjerman.

​Samiti në Londër, integrimi i 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE të bëhet në baza meritore

Pjesëmarrësit në samitin e sotëm të Ballkanit Perëndimor mbi Procesin e Berlinit kanë theksuar se bashkëpunimi evropian është më i rëndësishëm se kurrë në kohë ndryshimesh të mëdha gjeopolitike dhe ndryshimesh ekonomike, dhe agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës.

Në përfundimet e samitit u tha se Procesi i Berlinit ka shërbyer si një platformë kyçe për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të forcuar bashkëpunimin ekonomik rajonal, transporti, digjitalizimi, siguria kibernetike, lufta kundër krimit, energjia, siguria energjetike, mbrojtja e klimës dhe mjedisit, si dhe bujqësia dhe ushqimi.

Liderët theksuan se lufta e vazhdueshme ruse kundër Ukrainës dhe lufta hibride e Rusisë kundër NATO-s dhe BE-së kërkojnë bashkëpunim dhe unitet gjithnjë e më të ngushtë në Evropë në mbrojtje të demokracisë, lirisë dhe prosperitetit.

Ata mirëpritën Deklaratën e Kështjellës Hillsborough mbi Marrëdhëniet e Fqinjësisë së Mirë, të dakorduar nga të gjithë përfaqësuesit e Procesit të Berlinit në Takimin e Ministrave të Jashtëm, duke zgjeruar dhe thelluar marrëveshjet mbi të njëjtat çështje nën kryesinë e Gjermanisë në vitin 2024 dhe kryesinë e fundit të Mbretërisë së Bashkuar të Procesit të Berlinit në vitin 2018.

Udhëheqësit riafirmuan rolin kyç të Procesit të Berlinit si një nxitës i bashkëpunimit rajonal dhe një mekanizëm integral për të mbështetur ekonomitë e Ballkanit Perëndimor në rrugët e tyre individuale drejt integrimit në BE, raporton KosovaPress.

Liderët gjithashtu ranë dakord për rëndësinë e përparimit të qëndrueshëm, të bazuar në meritë dhe të dukshëm drejt integrimit euroatlantik për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, në përputhje me kriteret përkatëse të pranimit dhe vullnetin demokratik të qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ata ranë dakord që migrimi i paligjshëm dhe krimi i organizuar i imigracionit janë sfida për të gjitha qeveritë në të gjithë Evropën.

Liderët njohën rëndësinë e qëndrueshmërisë kufitare në Ballkanin Perëndimor dhe nevojën për bashkëpunim në nivel rajonal. Ata mirëpritën hapat e vazhdueshëm që po ndërmerren nga partnerët e Ballkanit Perëndimor për të harmonizuar regjimet e tyre të vizave me BE-në dhe ranë dakord mbi nevojën për të siguruar që, aty ku ofrohet qasje pa viza për qytetarët e huaj, të jenë në vend masa mbrojtëse efektive për të parandaluar shfrytëzimin e kësaj qasjeje nga individë që kërkojnë të migrojnë më tej në mënyrë të paligjshme.

Mbretëria e Bashkuar mirëpriti marrëveshjen e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për të marrë pjesë në Task Forcën e Përbashkët për Migracionin (JMTF), duke përfshirë ata që marrin pjesë në mënyrë joformale ose teknike pa paragjykuar qëndrimet ekzistuese mbi statusin dhe duke përdorur formatin e Procesit të Berlinit. Përmes bashkëpunimit rajonal, JMTF do të trajtojë migracionin e parregullt nga dhe përmes Ballkanit Perëndimor, duke përmirësuar ndarjen e informacionit dhe bashkëpunimin për zbatimin e ligjit.

Pjesëmarrësit ranë dakord të mbështeten në Marrëveshjet ekzistuese të Punës (dhe Marrëveshjet e Statusit, aty ku është e aplikueshme) midis FRONTEX, gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Mbretërisë së Bashkuar, për të përmirësuar përpunimin dhe ndarjen e informacionit biometrik të udhëtarëve në kufijtë e jashtëm midis pjesëmarrësve në Procesin e Berlinit me qëllim forcimin e menaxhimit të kufijve dhe trajtimin e migracionit të parregullt.

Udhëheqësit mirëpritën mbajtjen e Forumit të Drejtorëve të Kufijve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar bashkëpunimin e zgjeruar operacional. Pjesëmarrësit ranë dakord ta bëjnë këtë forum një pjesë të përhershme të Procesit të Berlinit, duke siguruar një pikë për shqyrtim të rregullt të koordinimit operacional për të mbështetur Track-un e Ministrave të Brendshëm. Pjesëmarrësit e Procesit të Berlinit u zotuan të punojnë për të zhvilluar ndërhyrje në vendet e transitit që ofrojnë alternativa të qëndrueshme dhe të dëshirueshme për migrantët e parregullt për të parandaluar udhëtimin e mëtejshëm. Në mbështetje të kësaj, Mbretëria e Bashkuar premtoi 1 milion funte (1.2 milion euro) për Programet e Kthimit Vullnetar të Ndihmuar dhe Riintegrimit (AVRR) të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin në rajon.

Pjesëmarrësit në Takimin e Ministrave të Ekonomisë ranë dakord për rëndësinë e përmirësimit të lidhjes rajonale me të gjithë partnerët evropianë. Pjesëmarrësit mirëpritën investimet në infrastrukturë në rajon si nga Mbretëria e Bashkuar ashtu edhe nga Bashkimi Evropian (BE). Buxheti i BE-së po ofron më shumë se 37 miliardë euro (32 miliardë funte) për rajonin sipas kuadrit aktual shumëvjeçar. Duke plotësuar këtë, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka vënë në dispozicion deri në 24 miliardë funte (28 miliardë euro) përmes Financimit të Eksportit të Mbretërisë së Bashkuar për të gjithë Ballkanin Perëndimor, për të mbështetur projekte strategjike që promovojnë prosperitetin rajonal dhe forcojnë sigurinë ekonomike.

Takimi i Ministrave të Ekonomisë theksoi marrëveshjet e partneritetit si një mekanizëm kyç për lehtësimin e investimeve dhe përshpejtimin e zbatimit të projekteve kritike të infrastrukturës. Partneriteti Qeveri-Qeveri me Qeveri (G2G) i Mbretërisë së Bashkuar-Maqedoni e Veriut i nënshkruar në vitin 2025 u theksua si një shembull kryesor i asaj që është e mundur në rajon përmes bashkëpunimit.

Udhëheqësit mirëpritën progresin e vazhdueshëm të rritjes ekonomike dhe prosperitetit për qytetarët në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ata ranë dakord që zbatimi i Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM) sipas Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) është më shumë sesa një ushtrim teknik. Ai do të sjellë përfitime konkrete për qytetarët, do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe do të rrisë konkurrueshmërinë e rajonit, konvergjencën më të thellë me BE-në dhe integrimin e tij gradual në Tregun e Përbashkët të BE-së në fusha të zgjedhura.

Pjesëmarrësit mirëpritën progresin e arritur sipas CEFTA-s në zbatimin e Planit të Veprimit CRM, duke theksuar se këto rezultate ulin kostot, lehtësojnë tregtinë e shërbimeve dhe lëvizshmërinë e profesionistëve, rrisin konkurrueshmërinë dhe përbëjnë një kontribut të rëndësishëm për konvergjencën e rajonit dhe integrimin gradual me Tregun e Përbashkët të BE-së. Ata përgëzuan progresin në thjeshtimin e formaliteteve tregtare, veçanërisht përmes njohjes së rezultateve të vlerësimit të konformitetit për produktet industriale dhe njohjes së programeve të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar.

Pjesëmarrësit kujtuan miratimin e Protokollit Shtesë 7 mbi Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve dhe u zotuan të përshpejtojnë procedurat e ratifikimit pa vonesë për të siguruar hyrjen e tij të shpejtë në fuqi.

Udhëheqësit miratuan pesëmbëdhjetë rezultate të udhëhequra nga RCC, duke përfshirë njëmbëdhjetë deklarata që operacionalizuan integrimin rajonal. Një arritje kyçe ishte Deklarata mbi Koordinimin dhe Portabilitetin e Sigurimeve Shoqërore, e cila hedh themelet për lëvizshmëri të përmirësuar, mirëqenie dhe siguri më të madhe në të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa punon në të gjithë rajonin. Për të mbështetur investimet e përgjegjshme dhe tranzicionin e gjelbër, udhëheqësit miratuan mjete plotësuese siç është Lista e Bardhë e Taksonomisë së Financave të Qëndrueshme, Standardet e Obligacioneve të Gjelbra.

U miratua Seti i Politikave të Investimeve të Huaja Direkte (FDI) të Qëndrueshme për të promovuar investimet e përgjegjshme dhe për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër në të gjithë rajonin. Këto iniciativa mbi investimet e huaja direkte dhe lehtësimin e investimeve u miratuan nga udhëheqësit si sinjale të përmirësimit të lehtësisë së të bërit biznes dhe tërheqjes së investimeve me cilësi të lartë.

Angazhimet mbi prokurimin publik të gjelbër përfshijnë qëndrueshmërinë në shpenzimet publike, duke krijuar një pikë referimi rajonale për transformimin industrial. Duke parë drejt së ardhmes, udhëheqësit njohën vlerën e markës rajonale të turizmit në rritjen e dukshmërisë globale.

Pjesëmarrësit theksuan se rritja ekonomike duhet të mbështetet nga transformimi i gjelbër nëse do të jetë i qëndrueshëm dhe elastik. Në këtë frymë, ata miratuan rezultatet e Ministerialit të Dytë mbi Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor (GAWB), duke përfshirë Deklaratën e Dubrovnikut, Planin e Veprimit të Agjendës së Gjelbër të rishikuar 2025-2030, Udhërrëfyesin për Përshtatjen ndaj Klimës dhe Planin Rajonal të Veprimit për Parandalimin e Ndotjes nga Plastika, duke përfshirë Mbeturinat Detare. Udhëheqësit i njohën këto hapa si thelbësorë për të përafruar rajonin me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane dhe për të forcuar përpjekjet rajonale drejt një shoqërie të qëndrueshme ndaj klimës dhe natyrës, efikase në burime, rrethore dhe pa ndotje, duke siguruar njëkohësisht që tranzicioni të jetë një tranzicion i drejtë dhe gjithëpërfshirës për të gjithë.

Pjesëmarrësit arritën në përfundimin se tranzicioni i gjelbër është një pjesë thelbësore e integrimit në BE dhe përsëritën angazhimin e tyre për zbatimin e plotë të Agjendës së Gjelbër. Ata ranë dakord që integrimi ekonomik rajonal dhe tranzicioni i gjelbër formojnë një agjendë të vetme dhe koherente.

Udhëheqësit u zotuan të vazhdojnë zbatimin e këtyre iniciativave me urgjencë dhe koordinim, duke siguruar që marrëveshjet e arritura në Samit të ofrojnë përfitime reale për qytetarët dhe bizneset në të gjithë rajonin.

Pjesëmarrësit nënvizuan se përshpejtimi i rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor për të ngushtuar hendekun me BE-në mbetet parësor. Kjo kërkon zbatimin e koordinuar të reformave në fusha të shumta politikash. Udhëheqësit pranuan dobinë e Tabelës së Rezultateve të Konvergjencës Ekonomike të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) për Ballkanin Perëndimor, të zhvilluar në kuadër të Procesit të Berlinit, si një mjet vjetor i bazuar në prova për të monitoruar progresin e reformave dhe ritmin e konvergjencës ekonomike.

Pjesëmarrësit mbështetën miratimin nga Ministrat e Kulturës të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor të një Deklarate të Përbashkët mbi Ekonominë Kreative duke njohur rëndësinë e ekonomisë krijuese si një nxitës kyç i rritjes ekonomike, inovacionit dhe kohezionit social. Në këtë kontekst, u lansua 10 partneritete të reja midis Mbretërisë së Bashkuar dhe institucioneve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor si pjesë e një fondi prej 500.000 funtesh (576.000 euro) për të ndarë ekspertizën dhe për të promovuar zhvillimin e sektorit krijues.

Ata mirëpritën faktin që Gjermania dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë filluar të ndërtojnë mbi iniciativën për të zhvilluar një plan pune mbi politikat aktive të tregut të punës, zbatimin e të drejtave të punës, duke përfshirë sigurinë dhe shëndetin në punë dhe inspektimin e punës, si dhe mbi dialogun social.

Mbretëria e Bashkuar ka qenë një kontribuues kyç për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë KFOR-in që kur hyri për herë të parë në Kosovë në vitin 1999 si një forcë paqeruajtëse. Si një demonstrim i angazhimit të palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar ndaj NATO-s dhe sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor, Mbretëria e Bashkuar njoftoi një zgjatje të mbështetjes së saj kontribuuese për KFOR-in deri të paktën në dhjetor 2028.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, kërcënimet hibride nga aktorët keqdashës, krimi i organizuar transnacional, krimi i organizuar i imigracionit dhe migrimi i parregullt, janë kërcënime të përbashkëta për shoqëritë tona. Prandaj, udhëheqësit mirëpritën hapat konkretë të ndërmarrë në fushën e sigurisë.

Pjesëmarrësit ranë dakord që qëndrueshmëria e sigurisë kibernetike është kritike për të siguruar sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Ata nënvizuan mbështetjen e tyre për Qendrën e Kapaciteteve Kibernetike të Ballkanit Perëndimor në Podgoricë, me disa pjesëmarrës që ofruan oferta konkrete mbështetjeje dhe pjesëmarrjeje. Ata gjithashtu mirëpritën krijimin e një rrjeti të Diplomacisë Kibernetike të Ballkanit Perëndimor nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pjesëmarrësit theksuan mbështetjen e vazhdueshme për bashkëpunimin rajonal në parandalimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta (AVL), përmes Udhërrëfyesit për Kontrollin e AVL-ve në Ballkanin Perëndimor, i cili u miratua në Takimin e Ministrave të Brendshëm.

Ata nënvizuan nevojën për të promovuar një qasje strategjike nga fillimi në fund në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe mirëpritën angazhimin për forcimin e mjedisit politik dhe ligjor për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Në samitin e Ballkanit Perëndimor mbi Procesin e Berlinit në Londër morën pjesë kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, shefat e qeverive të Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Austrisë, Bullgarisë, Kroacisë dhe Gjermanisë, përfaqësuesit e Francës, Greqisë, Italisë, Polonisë dhe Sllovenisë, Bashkimit Evropian, Bankës Botërore, Bankës Evropiane të Investimeve, Bankës Evropiane të Rindërtimit dhe Zhvillimit, Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor, Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe raportuesit nga Forumi i Shoqërisë Civile i Procesit të Berlinit.

Pjesëmarrësit mirëpritën ofertën e Malit të Zi për të pritur samitin e ardhshëm të liderëve në Podgoricë më 2026.

Kurti: Hyrja në NATO mbetet kyçe për sigurinë e Ballkanit Perëndimor

Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti ka thënë se anëtarësimi në NATO mbetet thelbësor për sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe se Londra mund të ndihmojë shumë duke mbështetur vendet e rajonit që duan t’i bashkohen Aleancës Veri-Atlantike, duke mbyllur kështu boshllëkun e rrezikshëm të sigurisë.

Ai gjatë fjalimit të tij në samitin e 12-të të Procesit të Berlinit që po mbahet në Londër, në të cilin ishin të pranishëm edhe kryeministri britanik Keir Starmer dhe kancelari gjerman Friedrich Merz, theksoi se nevojitet unitet përballë rreziqeve të sigurisë në rajon dhe Evropë, raporton KosovaPress.

“Një unitet i tillë duhet të shtrihet edhe në juglindje të kontinentit tonë. Ballkani Perëndimor gjendet gjeografikisht brenda kufijve të BE-së dhe NATO-s, por të gjitha vendet mbeten jashtë BE-së dhe gjysma jashtë traktateve të NATO-s. Kjo nuk është as e mençur dhe as solide. Për ta frenuar ndikimin rus apo kinez në Evropë, nuk duhet të lëmë asnjë vakum”, ka theksuar Kurti.

Ai shtoi se Londra mund të ndihmojë shumë duke mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor që duan t’i bashkohen NATO-s, duke mbyllur kështu këtë boshllëk të rrezikshëm të sigurisë si pasojë e agresionit ushtarak rus në Ukrainë.

“Ne kemi qëllime të përbashkëta dhe vlera të përbashkëta, dhe nuk kemi alternativë tjetër përveç anëtarësimit në BE dhe NATO këto duhen parë si pika të forta”, ka thënë Kurti.

Gjatë fjalimit të tij, Kurti ka përmendur sulmin terrorist në Banjska në shtator 2023.

“Përparimi i Kosovës mbetet nën hijen e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm nga fqinji ynë verior. Sulmi terrorist në Banjskë nuk mund të injorohet. Milan Radoiçiq ka pranuar përgjegjësinë, megjithatë drejtësia ende nuk është vënë në vend. Fqinjit tonë armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pa ndëshkueshmëri, pasi kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të pandëshkuara”, ka potencuar Kurti.

Ai ka folur edhe mbi progresin ekonomik që ka shënuar Kosova në pesë vjetët e fundit, arritjen e marrëveshjes së re tregtare me vendet anëtare të EFTA-s, në janar të këtij viti gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, që përfshin mallra dhe shërbime.

Sa i përket migracionit, Kuti ka theksuar se Kosova nuk është burim migracioni, por vetëm një pikë transiti me numra shumë të ulët.

Kurti: Sulmi terrorist në Banjskë nuk mund të injorohet, drejtësia ende nuk është vënë në vend

Në Londër po mbahet samiti i Procesit të Berlinit, ku po marrin pjesë gjashtë liderë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, sikurse edhe kryeministri britanik, Keir Starmer, kancelari gjerman, Friedrich Merz si dhe liderë tjerë të shteteve të BE-së.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, mbajti një fjalim para të pranishmëve, ku tha se sulmi terrorist në Banjskë nuk mund të injorohet dhe se drejtësia ende nuk është vënë në vend.

“Sulmi terrorist në Banjskë nuk mund të injorohet. Millan Radoiçiqi ka pranuar përgjegjësinë, megjithatë drejtësia ende nuk është vënë në vend. Fqinjit tonë armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri, pasi kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të pandëshkuara”, tha Kurti.

Ai kërkoi specifikisht nga Londra që të ndihmojë në anëtarësimin e vendeve të BP-së në BE, por edhe në NATO.

‘’Sot, kur kemi luftë në Evropë si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, Londra mund të ndihmojë shumë duke mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor që duan t’i bashkohen NATO-s, duke mbyllur kështu këtë boshllëk të rrezikshëm të sigurisë. Ne kemi qëllime të përbashkëta dhe vlera të përbashkëta, dhe nuk kemi alternativë tjetër përveç anëtarësimit në BE dhe NATO – këto duhen parë si pika të forta”, theksoi Kurti.

Publikohet fotoja familjare nga Samiti i Procesit të Berlinit në Londër

Është publikuar fotoja familjare nga Samiti i Procesit të Berlinit, i cili po zhvillohet sot në Londër.

Atje udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur së bashku me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian.

Takimi synon të forcojë bashkëpunimin politik, ekonomik dhe infrastrukturor mes vendeve të rajonit dhe BE-së.

Si dhe të përshpejtojë procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.

Nis Samiti i 12-të i Procesit të Berlinit në Londër

Në Londër ka nisur sot Samiti i 12-të i Procesit të Berlinit, ku po marrin pjesë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Mysafirët janë pritur nga sekretarja e Punëve të Jashtme e Britanisë së Madhe dhe kryeministri Keir Starmer.

Në këtë samit, që po mbahet që nga viti 2014, pritet të diskutohen çështje që lidhen me paqen dhe stabilitetin në rajon, luftën kundër krimit të organizuar, bashkëpunimin ekonomik dhe ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Në Kosovë, ndërkohë, nuk janë shprehur pritshmëri për rezultate të mëdha nga ky takim.

Kurti takon sekretaren britanike për Punë të Jashtme para Samitit të Berlinit në Londër

Pak para fillimit të punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit në Londër, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga Sekretarja e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.

Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen historike të Britanisë ndaj çlirimit dhe zhvillimit të Kosovës, duke e cilësuar partneritetin me këtë shtet si thelbësor për sigurinë dhe mbrojtjen nga ndikimet ruse në Ballkan.

Në takim u diskutua për sigurinë, rritjen dhe migracionin, si dhe për bashkëpunimin në energji, infrastrukturë, transport dhe arsim. Kurti theksoi zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, përparimin në sundimin e ligjit dhe rritjen ekonomike mesatare prej 6%.

Njoftimi i plotë:

Pak para fillimit të punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili po mbahet në Londër, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mirëprit në takim nga Sekretarja e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.

Duke vlerësuar rolin dhe kontributin në çlirimin, shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e thellë ndaj Mbretërisë së Bashkuar, si shtet mik dhe partner i yni.

Në takim u diskutua mbi temat kryesore të Samitit: sigurinë, rritjen dhe migracionin, si thelbësore për Ballkanin Perëndimor dhe Mbretërinë e Bashkuar. Gjithashtu, biseduan për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit dhe mbështetjes në fushat e energjisë, infrastrukturës, përfshirë edhe transportin dhe edukimin.

Siguria e Kosovës është siguria e kufijve të saj. Partneriteti me Mbretërinë e Bashkuar është kyç për t’u mbrojtur nga lufta hibride e Rusisë dhe influenca e saj në Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu dezinformimin dhe financat e paligjshme, tha kryeministri.

Në fushën e mbrojtjes, kryeministri theksoi se Kosova po investon në inovacion, arsim dhe partneritete, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar. Ai gjithashtu nënvizoi potencialin e vendit për investime dhe mundësitë për projekte strategjike të përbashkëta me Britaninë.

Kryeministri theksoi se Kosova tashmë është vendi më demokratik dhe me zhvillimin ekonomik më të shpejtë në rajon. Sipas Gallup, Kosova renditet e treta në botë dhe e para në Evropë për sundimin e ligjit, ndërsa në indeksin e Transparency International është përmirësuar me 31 vende. Rritja mesatare ekonomike në katër vitet e fundit ka qenë 6%, asnjëherë nën 4%, me eksporte dhe investime të huaja të dyfishuara.

Prioritet i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Kryeministri theksoi se përmes partneritetit me Britaninë e Madhe, mund të ecim drejt integrimit në aleancën e Atlantikut të veriut, por edhe angazhohemi për njohje të reja.

Kryeministri kujtoi që përgjegjësit për sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë ende janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi, përkundër faktit që autori i sulmit, terroristi Milan Radoiçiq, ka pranuar përgjegjësinë. Lënia e tyre të lirë përbën kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e Kosovës.

Gjatë diskutimit, kryeministri theksoi rëndësinë e ruajtjes së të drejtave të njeriut në rajon dhe të trajtimit të barabartë të pakicave. Ai vuri në dukje se ende ekziston një mospërputhje e theksuar midis vendeve të rajonit, ndërsa Kosova mbetet shembull me garanci të forta ligjore dhe me mbrojtje të avancuar të të drejtave të pakicave.

Në lidhje me migracionin, Kryeministri tha që Kosova nuk është burim i migrimit, por që ka vullnet të ndihmojë një shtet mik dhe partner si Britania e Madhe, të menaxhojë rrjedhën e migracionit. Së bashku po punojmë në forcimin e sigurisë kufitare, si dhe luftimin e krimit të organizuar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat