Përfundon seanca e jashtëzakonshme - Konjufca dhe Kollçaku tërhiqen nga kandidatura për president të Kosovës

Aktuale

Përfundon seanca e jashtëzakonshme - Konjufca dhe Kollçaku tërhiqen nga kandidatura për president të Kosovës

Më: 27 prill 2026 Në ora: 13:44 Përditësuar në ora: 17:15 më 27.04.2026
Kuvendi i Kosovës, 27 prill 2026.

Nagavci pret nga LDK nënshkrimet për presidentin

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, në fund të seancës së rregullt plenare, teksa po fliste për bordin e AKP-së, iu drejtua deputetëve të LDK-së, duke u thënë se po i pret nënshkrimet e tyre për një kandidat për president.

“E votojmë bordin [e AKP-së], vazhdojmë tutje sepse kemi ftuar edhe një seancë në orën 17:00, e kemi tema të rëndësishme besoj për të diskutuar, siç është tema për zgjedhjen e presidentin sepse po na presin të gjithë dhe unë po pres nënshkrimet tuaja”, tha Nagavci duke drejtuar dorën në anën ku janë të ulur 15 deputetët e LDK-së.

LDK ka thënë më herët se mund ta propozojë ish-presidenten Vjosa Osmani edhe për një mandat pesëvjeçar, por ka kërkuar që LVV-ja t’ia sigurojë 66 vota.

Nuk dihet nëse LVV-ja do ta pranojë këtë kërkesë të LDK-së.

​AAK nuk merr pjesë në seancën e orës 17:00

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme të thirrur për orën 17:00 me temë diskutim për presidentin.

Lajmin e ka bërë të ditur shefi I grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Drejtues të AAK-së kanë thënë se nuk e mbajnë mend që ndonjëherë ka pas seancë me debat për presidentin.

Në seancë nuk pritet të marrë pjesë as LDK-ja.

PDK hesht për seancën për presidentin

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ende nuk ka bërë të ditur se a do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku do të diskutohet për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, si dhe deputetëve të këtij grupi: Përparim Gruda, Blerta Deliu-Kodra dhe Xhavit Haliti, për të kuptuar vendimin e kësaj partie lidhur me pjesëmarrjen ose jo të deputetëve të saj në këtë seancë, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.

Subjekti tjetër opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës, veçse ka bërë të ditur se do të bojkotojë seancën e jashtëzakonshme, që është caktuar të nisë në orën 17:00.

Mbetet të shihet se çka do të ndodhë.

Abdixhiku i prerë: S’marrim pjesë në seancën për president

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se kjo parti nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme për presidentin e cila nis në orën 17:00.

Sipas tij, kjo seancë është “show propagandues i VV-së”.

“Nuk marrim pjesë në seancë”, ka thënë kreu i LDK-së para mediave.

Bazuar në afatin e Gjykatës Kushtetuese, deputetët vetëm deri nesër kanë kohë të zgjedhin presidentin e ri, sepse në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje.

Kuvendi mblidhet sot në 17:00 për zgjedhjen e presidentit

Në orën 17:00 është caktuar seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, sipas njoftimit të Kuvendit.

"Diskutim lidhur me zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës", thuhet në ueb-faqen e Kuvendit.

Seanca do të mbahet një ditë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Deputetët e legjislaturës së dhjetë kanë afat deri më 28 prill që të zgjedhin presidentin, në të kundërtën, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, vendi shkon automatikisht në zgjedhje, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

​Haxhiu thotë se sot do të ketë seancë të jashtëzakonshme për presidentin

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, paralajmëroi që gjatë ditës do të ketë një seancë për çështjen e presidentit, një ditë para se të skadojë afati për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Haxhiu, që po ushtron detyrën e presidentit që nga 4 prilli pasi ish-presidentes Vjosa Osmani i përfundoi mandati pesëvjeçar, u pyet nga mediat në Kuvend nëse do të ketë seancë sot, dhe ajo u përgjigj: “natyrisht që sot”.

Megjithatë, ende nuk ka një njoftim zyrtar nga Kuvendi për mbajtjen e një seance për zgjedhjen e presidentit.

Deputetët e legjislaturës së dhjetë kanë afat deri më 28 prill që të zgjedhin presidentin, në të kundërtën, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, vendi shkon automatikisht në zgjedhje, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Paralajmërimi i Haxhiut për seancë vjen në kohën kur partitë nuk kanë njoftuar për ndonjë marrëveshje për presidentin, për zgjedhjen e të cilit kërkohen 80 vota.

Gjatë fundjavës, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, u kërkoi dy partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës që të paraqesin tre propozime për president, të cilët tha se duhet të jenë figura unifikuese dhe jopartiake.

PDK-ja e refuzoi ofertën, me kryetarin e saj, Bedri Hamza, që e cilësoi ofertën si “joserioze”.

“Nuk është ofertë. Për ne nuk është ofertë. Çfarë oferte? Aspak serioze. Ne jemi parti të ndryshme politike. LDK është subjekt politik në vete. PDK është subjekt politik në vete”, tha ai të shtunën.

Ndërkaq, LDK-ja tha se mund ta propozojë Osmanin, por me kushtin që LVV-ja e kryeministrit Albin Kurti, të japë 66 vota për të.

"Nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne. Presidentin e propozojmë ne me plot përgjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të", tha Abdixhiku, partia e të cilit ka 15 ulëse në Kuvend”, tha kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

LVV-ja që më 5 mars ka kandiduar ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca, dhe deputeten Fatmire Mulhaxha-Kollçaku për postin e presidentit, tha se do t’i tërhiqte nga gara këta dy emra, nëse opozita sjellë tre emrat e kërkuar.

Oferta e fundit e LVV-së vjen pas dështimit të bisedimeve mes Kurtit dhe liderëve opozitarë, Bedri Hamzës së PDK-së dhe Lumir Abdixhikut të LDK-së, të cilët nuk i kishin pranuar propozimet e kryeministrit.

Kurti i kishte ofruar LDK-së postin e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri, ndërsa në një ofertë të dytë postin e kryeparlamentarit. PDK-së, ai ia kishte ofruar postin e kryeparlamentarit po ashtu.

LDK i kishte refuzuar këto oferta dhe e kishte akuzuar Kurtin se synon t'i kontrollojë që të gjitha tri institucionet kryesore në vend.

PDK-ja nuk kishte pranuar fare ta shqyrtonte ofertën e Kurtit, duke e quajtur të mbyllur "kontributin tonë" për çështjen e presidentit.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para të votimit, apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti - madje as ajo në pushtet e Kurtit me 57 deputetë - nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.

Ndërkaq, përpjekjet e mëparshme për presidentin e ri të vendin dështuan pasi asnjëra palë nuk u duk e gatshëm të bëjë lëshime.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat