Nga aksidenti i rëndë para pikës kufitare në Vërmicë, lëndohen tetë persona - policia jep detajet

Aktuale

Nga aksidenti i rëndë para pikës kufitare në Vërmicë, lëndohen tetë persona - policia jep detajet

Më: 4 korrik 2026 Në ora: 09:26 Përditësuar në ora: 12:02 më 04.07.2026
Pamje nga aksidenti

Aksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova”, një grua shtatzënë në mesin e të lënduarve

Tetë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti mes gjashtë automjeteve në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Shefi i emergjencës në Prizren, Hekuran Veçgishti për median tha se shtatë nga të lënduarit janë dërguar në emergjencë dhe se të njëjtit në gjendje të përmirësuar, të njëjtit janë liruar në shtëpi.

Media mëson se në mesin e të lënduarve është edhe një grua shtatzënë, e cila poashtu është liruar.

Aksidenti në autostradë, 7 të lënduar u dërguan në emergjencë – kjo është gjendja e tyre

Në një aksident të rëndë trafiku të ndodhur sot në autostradën “Ibrahim Rugova”, mbetën të lënduar tetë persona.

Shtatë të lënduar janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Prizrenit për trajtim mjekësor.

Shefi i emergjencës në Prizren, Hekuran Veçgishti, ka konfirmuar për median se shtatë nga të lënduarit janë pranuar në emergjencë, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme.

Ai bëri të ditur se në gjendje të përmirësuar, të njëjtit janë liruar në shtëpi.

“Sot rreth ora 8:30 në Emergjencë janë sjellë 7 të lënduar në aksident trafiku që ka ndodhur në autostradë. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme, janë konsultuar specialistët sipas lëndimeve që kanë pasur. Në gjendje të përmirësuar janë liruar në shtëpi”, ka deklaruar Veçgishti.

Nga aksidenti i rëndë para pikës kufitare në Vërmicë, lëndohen tetë persona

Tetë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradë, rreth katër kilometra para Pikës Kufitare Vërmicë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi në një prononcim për median bëri të ditur se policia është njoftuar për rastin në orën 08:10.

"Në ora 08:10, policia është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në autostradë (4 km para Pikës Kufitare Vërmicë). Në aksident janë përfshirë gjashtë automjete. Si pasojë e aksidentit, tetë persona kanë pësuar lëndime. Policia (Njësia e Autostradës) është duke u marrë me procedurat në vendngjarje", deklaroi Krasniqi.

Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po zhvillojnë hetimet për të sqaruar rrethanat që çuan deri te aksidenti. 

Aksident i rëndë pranë pikës kufitare në Morinë, 6 makina përplasen mes tyre/ Shtatë të plagosur, mes tyre një grua shtatzënë dhe një fëmijë

Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur këtë të shtunë në kilometrat e fundit të autostradës “Ibrahim Rugova”, pranë pikës kufitare të Morinit.

Në aksident janë përfshirë gjashtë automjete, ndërsa si pasojë disa persona kanë mbetur të lënduar.

Sipas informacioneve të para nga vendi i ngjarjes, shtatë persona kanë pësuar lëndime. Mes të lënduarve janë edhe një fëmijë dhe një grua shtatzënë në muajin e shtatë.

Të gjithë të lënduarit janë transportuar me autoambulanca për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Deri më tani nuk ka raportime për viktima, ndërsa gjendja shëndetësore e të lënduarve nuk është bërë ende e ditur nga autoritetet.

Në vendin e aksidentit kanë dalë njësitet e Policisë së Kosovës, ekipet emergjente, të cilët kanë ndërhyrë për t’u ofruar ndihmë të lënduarve dhe për të normalizuar situatën.

Për shkak të aksidentit, njëra korsi e autostradës në drejtimin Prizren–Morinë është bllokuar, duke shkaktuar kolona të gjata automjetesh dhe vonesa në qarkullim. Policia po e menaxhon trafikun dhe u bën thirrje qytetarëve të shmangin këtë segment, nëse kanë mundësi, ose të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve në terren.

Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta dhe pritet që Policia e Kosovës të japë më shumë detaje pas përfundimit të hetimeve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat