Sveçla jep detajet: Në varrezën masive në Jabukë janë gjetur të paktën katër trupa

Aktuale

Sveçla jep detajet: Në varrezën masive në Jabukë janë gjetur të paktën katër trupa

Më: 3 gusht 2026 Në ora: 12:08 Përditësuar në ora: 16:22 më 03.08.2026
Xhelal Sveçla

Sveçla: Në varrezën masive në Jabukë janë gjetur të paktën katër trupa

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili po qëndron në Jabukë, lokacion ky tjetër në të cilin është zbuluar një varrezë masive në komunën e Zubin Potokut, ka bërë të ditur se deri më tani janë gjetur të paktën katër trupa.

Sipas tij, viktimat dyshohet se pas ekzekutimit janë hedhur në një gropë qereçi.

“Po tash sapo erdha nga lokacioni ku është zbuluar varreza e re masive. Deri tash janë zbuluar të paktën 4 trupa, të cilët pas ekzekutimit janë hedhur në një gropë qereçi”, tha Sveçla para mediave.

Ai tha se ekipet hetimore, ekspertët e forenzikës dhe të mjekësisë ligjore të Republikës së Kosovës, me mbështetjen e ekspertëve të EULEX-it, po zhvillojnë punën në terren për zbardhjen e rastit.

“Hetimet për kriminelët që kanë shkaktuar këtë krim do të vazhdojnë. Ne nuk do të ndalemi derisa nuk zbulojmë edhe të pagjeturit e fundit, por po ashtu nuk do të ndalemi derisa secili kriminel të paguajë për krimet që kanë shkaktuar, posaçërisht për këto krime ku gjatë luftës kanë ekzekutuar njerëz të pafajshëm dhe pastaj kanë punuar që ky krim të fshihet”, u shpreh ai.

Në deklaratën e tij, Sveçla akuzoi Serbinë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe tha se ka pasur përpjekje të vazhdueshme për fshehjen e tyre.

“Siç kam deklaruar edhe më herët, tashmë është dëshmuar se Serbia është e njëjta Serbi e cila ka shkaktuar krime të luftës në '98–'99. Ajo nuk po ndryshon dhe përveçse është angazhuar që të dëmtojë, të vrasë e të spastrojë Kosovën nga shqiptarët, gati e tri dekada është duke punuar në vazhdimësi që këto krime t'i fshijë”, tha Sveçla.

Policia dhe EULEX-i në Jabukë të Zubin Potokut

Forcat e Policisë së Kosovës, së bashku me pjesëtarë të EULEX-it, po qëndrojnë në fshatin Jabukë të Zubin Potokut, ku dyshohet për ekzistencën e një tjetër lokacioni të mundshëm të një varri masiv.

Në këtë lokacion ndodhet edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili po e përcjell nga afër situatën.

Mbrëmë Sveçla, bëri të ditur se pas zbulimit të varrit masiv në Kalludër të Zubin-Potokut, një tjetër lokacion me mbetje mortore është gjetur në fshatin Jabukë të kësaj komune.

"Pas gjetjes së mbetjeve mortore në një varr masiv në Kalludër të Zubin-Potokut, ku ende po vazhdojnë kërkimet dhe gjurmimet, sot, vetëm 10 kilometra më tutje, në fshatin Jabukë të po kësaj komune, u gjet edhe një varr tjetër masiv me mbetje mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Falënderoj Policinë e Kosovës, njësitë përkatëse për hetimin e krimeve të luftës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorinë e Kosovës për punën e ndërmarrë në drejtim të hulumtimit, hetimit dhe identifikimit të këtyre lokacioneve", ka shkruar Sveçla në Facebook.

Sipsa tij, Serbia vazhdon të mbetet e njëjtë si në kohën e Millosheviqit.

"Vuçiq ishte numri dy i Sheshelit, Daçiq ishte numri dy i Millosheviqit e Vulin numri dy i Mira Markoviqit. Të tre këta janë ende në pushtet në Serbi dhe ky shtet nuk ka ndërruar asgjë. Serbia vazhdon të mbetet e njëjta në formë dhe në përmbajtje. Ky shtet, në njërën anë, refuzon të japë informacione për personat e zhdukur, të marrë me dhunë, ndërsa, në anën tjetër, kërcënon dhe burgos qytetarët e saj që bashkëpunojnë për gjetjen e këtyre varreve. Po ashtu, ajo glorifikon përmes memorialeve brigada si ajo 37, pjesëtarët e së cilës janë përgjegjëse për shumë masakra në Kosovë", tha ai.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka ftuar partnerët ndërkombëtarë të dënojnë dhe ndëshkojnë ashpër këtë sjellje të Serbisë.

"Pa një gjë të tillë jo që do të jetë i pamundur çfarëdo hapi drejt të drejtësisë, por ky shtet do të cenojë çdo ditë paqen në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, pavarësisht kësaj, ne mbetemi të përkushtuar dhe të palëkundur për të gjurmuar çdo pëllëmbë, në mënyrë që të zbardhim fatin e secilit person të vrarë dhe zhdukur nga shteti serb gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe të sjellim para drejtësisë secilin kriminel përgjegjës për krimet e asaj kohe",  ka thënë ai.

Nga arrestimet te gërmimet për varreza të dyshuara masive në Zubin Potok: Çfarë dihet deri më tani?

Një hetim rreth dyvjeçar i autoriteteve të Kosovës çoi fillimisht në arrestimin e dy personave të dyshuar për krime lufte, dhe më pas në gërmime në një lokacion në Zubin Potok, ku dyshohej se ndodhej një varrezë masive. Brenda pak ditësh, u zbuluan mbetje mortore me origjinë njerëzore, u arrestua edhe një i dyshuar tjetër për krime lufte, u identifikua një lokacion i dytë ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore, ndërsa në Serbi u arrestua një shtetas i Kosovës nën dyshimin për spiunazh.

Në Kalludër të Vogël, fshat malor i komunës veriore të Zubin Potokut, në Kosovë, më 28 korrik nisën gërmime nën dyshimet për një varrezë masive.

Këto gërmime, sipas autoriteteve, filluan pas një hetimi rreth dyvjeçar të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Disa ditë para nisjes së gërmimeve, u arrestuan dy persona të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Rasti i tyre, sipas Prokurorisë, lidhet me këto gërmime.

Ndonëse nuk janë bërë publike detaje të sakta se për çfarë dyshohen këta dy të arrestuar, për njërin prej tyre Policia tha se ka gjetur prova se ai kishte qenë “i mobilizuar dhe pjesë aktive gjatë periudhës së luftës në ish-armatën jugosllave”.

Dy të dyshuarit, M.J. dhe M.B., momentalisht gjenden në paraburgim.

Më 2 gusht, Policia e Kosovës arrestoi edhe një person tjetër në lidhje me të njëjtin rast.

Prokuroria Speciale tha se arrestimi i J.R. është rezultat i veprimeve të mëtejshme hetimore, por nuk dha hollësi për rolin e tij të dyshuar.

Avokati i të pandehurit M.B., Dejan Vasiq, tha për Radion Evropa e Lirë se klienti i tij dyshohet se ka qenë në mesin e personave që kanë varrosur viktimat e ngjarjeve të përmendura, në kërkesën për caktimin e paraburgimit.

“Ai është i bindur se nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje, pasi nuk ka qenë fare në vendin që përmend prokurori”, tha Vasiq.

Millosh Deleviq, avokat i të pandehurit tjetër M.J., nuk deshi të tregonte hollësi se për çfarë dyshohet konkretisht klienti i tij, duke thënë vetëm se vepra penale është cilësuar si krim lufte kundër popullsisë civile.

Çfarë dihet për varrezën masive në Kalludër të Vogël?

Teksa gërmimet vazhdonin, autoritetet konfirmuan se mbetjet e gjetura në Kalludër të Vogël janë me origjinë njerëzore.

Por, që nga fillimi i gërmimeve, u ngritën dyshime se mbetjet mortore në këtë lokacion - që është ende duke u gërmuar - mund t’i takojnë një grupi të caktuar të shqiptarëve të zhdukur me forcë nga lufta e fundit.

Ky grup civil, i njohur si “grupi i intelektualëve”, është i zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999. Në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profile të tjera.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, më 29 korrik u tha mediave se ekziston dyshimi fillestar se mbetjet mund t'u përkasin këtij grupi.

“Ne nuk mund të konfirmojmë se bëhet fjalë për ta, por ky ka qenë dyshimi ynë i menjëhershëm. Sidoqoftë, duhet t’i presim organet tona të na tregojnë se për çfarë bëhet fjalë atje”, tha Kurti.

Procesi i identifikimit tashmë është në duart e Institutit të Mjekësisë Ligjore, ndërsa autoritetet kanë theksuar se vetëm analizat forenzike dhe të ADN-së do të përcaktojnë identitetin e viktimave.

Prokuroria Speciale u bëri thirrje mediave, qytetarëve dhe zyrtarëve të mos spekulojnë për identitetin e mbetjeve.

"...Ende gjithçka është herët, dhe deklarimet në publik mund ta dëmtojnë procesin e hetimit, e natyrisht mund edhe ta devijojnë rezultatin final", thuhet në reagimin e Prokurorisë.

Gërmime të reja në Zubin Potok?

Më 2 gusht, Prokuroria dhe Policia njoftuan se është identifikuar edhe një lokacion tjetër në fshatin Jabukë të Zubin Potokut, ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore.

Institucionet thanë se do t'i kërkojnë Gjykatës Themelore në Prishtinë leje për të kryer gërmime edhe në këtë vend.

Një ditë para njoftimit për lokacionin e dytë, kryeministri në detyrë, Kurti, vizitoi vendin e gërmimeve në Kalludër të Vogël.

Ai tha se puna në terren mund të zgjasë "shumë javë, ndoshta edhe shumë muaj", pasi mbetjet mortore janë gjetur të shpërndara përgjatë një përroi.

Ai përsëriti, gjithashtu, thirrjen që Serbia të hapë arkivat shtetërore dhe ushtarake, duke thënë se ato mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Edhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, reagoi pas njoftimit për lokacionin e dytë, duke e cilësuar atë "një rikujtim të rëndë të krimeve të kryera gjatë luftës".

Arrestimi në Serbi

Derisa hetimet për varrezën e dyshuar masive po vazhdonin në Zubin Potok, autoritetet serbe arrestuan një shtetas të Kosovës nën dyshimin për "spiunazh".

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, R.T., nga Istogu, u arrestua më 30 korrik në Kralevë, ndërsa Gjykata e Lartë në atë qytet i caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Autoritetet serbe nuk dhanë hollësi për veprimet që i atribuohen atij, përveç se dyshohet për veprën penale të spiunazhit.

Në Kosovë, megjithatë, disa burime thanë për Radion Evropa e Lirë se arrestimi lidhet me dyshimet se ai kishte dhënë informacione që çuan te lokacioni ku po zhvillohen gërmimet për mbetje mortore në Zubin Potok.

Ministri në detyrë i Punës, Familjes, Mbrojtjes Sociale dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare i Kosovës, Andin Hoti, e ka vlerësuar arrestimin e personit, për të cilin pretendon se ka ndihmuar në zbulimin e një varreze të dyshuar masive të dyshuar në Kosovë si “tentim-vrasje ndaj së vërtetës”.

“Ky nuk është shtet që kërkon drejtësi. Ky është një aparat shtetëror që vazhdon të mbrojë kriminelët, të frikësojë dëshmitarët dhe të pengojë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Çdo arrestim i tillë dërgon një mesazh të qartë: kush flet për varrezat masive, ndëshkohet”, shkroi Hoti në Facebook.

Hoti nuk ka bërë të ditur se në bazë të cilave informacione pretendon se personi është arrestuar për shkak të ndihmës së supozuar në zbulimin e varrezës masive, ndërsa ai nuk ka qenë i qasshëm për një koment shtesë.

Sipas të dhënave zyrtare, 1.579 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-99./ REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat