Tanke, artileri – aktakuzë për krimet e luftës në Prekaz: Çfarë përmban dosja për vrasjen e familjes Jashari? Isufaj dhe Gashi zbardhin detaje

Aktuale

Tanke, artileri – aktakuzë për krimet e luftës në Prekaz: Çfarë përmban dosja për vrasjen e familjes Jashari? Isufaj dhe Gashi zbardhin detaje

Më: 4 shtator 2026 Në ora: 13:57 Përditësuar në ora: 17:40 më 04.09.2026
Blerim Isufaj dhe Valdet Gashi

35 persona akuzohen për krime lufte në Prekaz, kryeprokurori vlerëson punën e institucioneve

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi ka vlerësuar angazhimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera zbatuese të ligjit në hetimin dhe procedimin e rastit që lidhet me krimet e luftës të kryera në lagjen e Jasharëve, në fshatin Prekaz të Komunës së Skenderajt.

Sipas Kryeprokurorit, institucionet kanë qenë të angazhuara në të gjitha fazat e procedurës penale, nga hetimi fillestar deri te ngritja e aktakuzës ndaj 35 personave, të dyshuar për përfshirje në krime lufte.

Gashi e ka cilësuar këtë rast si një nga rastet më të ndjeshme dhe më të rënda të ndodhura gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ai ka theksuar se vënia para përgjegjësisë e urdhërdhënësve dhe autorëve të këtyre krimeve ka qenë dhe mbetet një nga misionet kryesore të Prokurorit të Shtetit, me qëllim zbardhjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë.

“Ky është njëri nga rastet më të ndjeshme dhe më të rënda të ndodhura gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe vënia para përgjegjësisë e urdhërdhënësve dhe autorëve të këtyre krimeve ka qenë dhe mbetet mision i institucionit të Prokurorit të Shtetit për zbardhjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë”, thuhet në komunikatën për media.

Në vlerësimin e tij, puna e institucioneve të drejtësisë dhe organeve të zbatimit të ligjit në këtë rast paraqet një hap të rëndësishëm në adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Këta janë 35 të pandehurit që akuzohen për operacionin në Prekaz të Poshtëm

Nga: A.M.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzë me propozim për gjykim në mungesë ndaj 35 të pandehurve, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, të identifikuar me inicialet J.S., V.D., S.L., G.R., M.U., Z.T., Z.S., S.V., B.C., Z.M., R.S., V.T., B.P., R.M., M.S., S.I., N.S., B.F., Z.B., C.B., Z.R., D.I., S.M., V.J., M.L., R.C., S.P., N.M., V.R., D.Z., O.S., B.D., L.C., I.T. dhe M.B., akuzohen se, në cilësinë e udhëheqësve të Njësive Speciale të Policisë Serbe, kishin planifikuar, koordinuar dhe drejtuar një operacion të armatosur kundër lagjes Jasharaj në Prekaz të Poshtëm.

Sipas Prokurorisë Speciale, operacioni ishte zhvilluar me përdorimin e artilerisë së rëndë, tankeve dhe mjeteve të tjera luftarake, pavarësisht pranisë së një numri të madh të civilëve.

Si pasojë e këtij operacioni, sipas aktakuzës, janë vrarë civilë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar. Po ashtu, persona civilë dyshohet se janë marrë peng, maltretuar dhe torturuar, ndërsa janë shkatërruar edhe objekte dhe infrastrukturë civile.

Në operacion kanë qenë të angazhuara rreth 23 njësi policore, në mesin e të cilave edhe Njësia për Operacione Speciale, e udhëhequr nga M.U., i njohur me nofkën “Legia”.

Po ashtu, aktakuza thekson se lagjja Jasharaj ishte vënë nën vëzhgim dhe kontroll të vazhdueshëm që nga fillimi i janarit të vitit 1998 dhe deri në përfundimin e sulmit, pas 7 marsit 1998.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, tha se aktakuza është rezultat i një pune të kujdesshme, profesionale dhe të bazuar në prova.

“Rëndësia e kësaj aktakuze qëndron edhe në faktin se ajo dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të për të trajtuar krimet e luftës dhe për të kërkuar përgjegjësi penale, pavarësisht kompleksitetit të këtyre rasteve dhe kohës së kaluar nga kryerja e tyre”, theksoi Isufaj.

Ndërkaq, prokurori i rastit, Valdet Gashi, gjatë konferencës për media e cilësoi rastin si një prej rasteve komplekse dhe sfiduese për hetim.

“Mirëpo falë një pune intensive të stafit të Prokurorisë Speciale dhe bashkëpunimit të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera të vendit, kemi arritur në këtë fazë ku jemi, pra me ngritje të aktakuzës”, ka thënë Gashi.

Rasti tashmë i është kaluar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamentit Special.

Krimet e Serbisë në lagjen e Jasharajve, Gashi: Sfida më e madhe ishte identifikimi i njësive

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Valdet Gashi në konferencën për media ku u bë e ditur dorëzimi i aktakuzës në mungesë ndaj 35 të pandehurve për krime lufte në Prekaz të Poshtëm ka bërë të ditur detaje nga aktakuza, duke thënë se sfida më e madhe ka qenë identifikimi i njësive që kanë marr pjesë.

Gashi ka treguar se cilat njësi serbe kanë marrë pjesë në krimet në Prekaz të Poshtëm, gjersa ka theksuar edhe emrin e personit që ka udhëhequr njërën nga njësitë.

Ai tha më tutje se me aq sa deri tani kanë informacione, të 35 të pandehurit për krime lufte në Prekaz të Poshtëm janë gjallë.

“Nëse ndërkohë vjen ndonjë informacion pas publikimit të emrave që ndonjë person nuk është gjallë natyrisht sipas ligjit kemi mundësi ta tërheqim nga aktakuza....po në bazë të informacioneve që i kemi të gjithë këta persona janë gjallë”, tha ai.

Tutje, prokurori Gashi tha se këta janë persona të cilët kanë pozita menaxhuese në njësitë ku kanë operuar.

“Ajo që ka rëndësi me theksu është se pjesa më e rëndësishme është identifikimi i këtyre njësive dhe sfida më e madhe ka qenë identifikimi i këtyre njësive”, tha ai.

Gashi ka bërë të ditur të inkuadruar në aksionet ku janë kryer krime lufte në Prekaz të Poshtëm kanë qenë Departamenti i Sigurisë Publike të Serbisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Departamenti i Sgurisë shtetërore të Serbisë dhe në kuadër të këtij të fundit ka qenë edhe Njësia Speciale e Serbisë.

“Këtë njësi për operacione speciale e ka udhëhequr Milorad...”

Gashi tha se numri i viktimave në bazë të provave është 26 persona.

Ndryshe, aktakuza është ngritur në mungesë, pasi sipas Prokurorisë Speciale janë shterur mundësitë për sigurimin e të pandehurve dhe sjelljen e tyre në procedurë penale.

‘Legija’, i cili e ka pasur për obligim, për detyrë, me kërkesën e tij speciale që ta sulmojë drejtpërdrejtë shtëpinë e familjes së Shaban Jasharajt...”, tha ai.

Sipas tij, po ashtu ka pasur njësi tjera të përfshira, si Njësia e posaçme policore, Njësia speciale anti-terroriste, mandej departamente në kudër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Ai tha se aktakuza e ngritur ndaj 35 të pandehurve nuk ka bëjë vetëm me krimet në familjen e ngushtë të Shaban Jasharajt, por bëhet fjalë për viktimat dhe sulmet që kanë ndodh në fshatin Prekaz i Poshtëm në tërë lagjen Jasharaj.

35 të dyshuar për sulmin ndaj Jasharajve, Prokurori Gashi: Të gjithë janë gjallë

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Valdet Gashi, në një konferencë për media bashkë me kreun e Speciales, Blerim Isufajn, ka dhënë detaje lidhur me aktakuzën e ngritur për rastin e sulmit dhe masakrës ndaj familjes Jashari në Prekaz.

Gashi ka thënë se sipas informacioneve që ka Prokuroria, të 35 personat e identifikuar për rastin e sulmit, e që janë edhe të dyshuarit për këtë rast, janë gjallë.

Ai ka treguar se 35 personat e idenfitikuar kanë qenë pjesë e hierarkisë së lartë të njësive speciale të policisë serbe.

Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë për vrasjen dhe masakrimin e familjes Jashari, Isufaj jep detaje në konferencë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka mbajtur një konferencë për media, ku ka njoftuar për dorëzimin e aktakuzës lidhur me krimet e luftës të kryera në lagjen e Jasharajve, në Prekaz të Skenderajt.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, e ka cilësuar këtë si një hap me rëndësi të veçantë për institucionet e drejtësisë dhe opinionin publik, duke theksuar se kjo është aktakuza e parë e këtij lloji për këtë ngjarje.

“Sot, Prokuroria Speciale ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në përmbushjen e mandatit të saj ligjor, duke dorëzuar aktakuzën në një çështje me rëndësi të veçantë për institucionet e drejtësisë, për opinionin publik, e që lidhet me vrasjen e civilëve shqiptarë në familjen Jashari në Prekaz të Skenderajt. Kjo aktakuzë është rezultat i një pune të kujdesshme, profesionale dhe të bazuar në prova, në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore që ka Prokuroria Speciale. Rëndësia e kësaj aktakuze është e veçantë edhe për faktin se bëhet fjalë për aktakuzën e parë që lidhet me vrasjen e civilëve në familjen Jashari në Prekaz,” ka deklaruar Isufaj, raporton eo.

Ai shtoi se tashmë i mbetet organit gjyqësor përpunimi i mëtejshëm i lëndës, ndërsa shprehu bindjen në punën e bërë nga prokurorët e rastit.

“Tani është në kompetencën e gjykatës që të vlerësojë aktakuzën dhe provat e paraqitura në përputhje me ligjin dhe standardet e një gjykimi të drejtë. Por si Prokurori Speciale, jemi të bindur se në këtë rast është punuar me kujdes të shtuar, me qëllim që pretendimet e ngritura në aktakuzë të provohen para gjykatës. Rëndësia e kësaj aktakuze qëndron edhe në faktin se ajo dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm për të trajtuar krimet e luftës dhe për të kërkuar përgjegjësi penale, pavarësisht kompleksitetit të këtyre rasteve dhe kohës së kaluar nga kryerja e këture rasteve,” theksoi kryeprokurori.

Gjatë konferencës, Isufaj u ndal edhe te rastet e tjera në proces e sipër, përfshirë ato të krimeve të luftës në Zubin Potok, si dhe çështjet e spiunazhit.

“Sikurse rastin e krimeve të luftës në Zubin Potok, ku tashmë është arrestuar edhe i dyshuari i katërt në këtë rast, unë për shkak se bëhet fjalë për një hetim në vazhdim nuk mund të flas apo të komentoj për detajet e këtij hetimi. I njëjti parim vlen për çdo rast tjetër që është në fazën e hetimeve. Megjithatë, ajo çfarë mund t’ju thëm qytetarëve është se Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, zhvillimit të hetimeve në mënyrë profesionale, të pavarur dhe të paanshme, si dhe ndjekjes penale të të gjithë personave për të cilët ekziston bazë ligjore dhe ka prova të mjaftueshme. Gjatë javëve të fundit gjithashtu është dorëzuar edhe një aktakuzë e rëndësishme për espionazh, si dhe është arrestuar edhe një person i dyshuar për natyrë të tillë të veprës penale,” u shpreh ai.

Kreu i Prokurorisë Speciale vlerësoi lart bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë dhe drejtësisë.

“Po ashtu vlen të theksohet bashkëpunimi i suksesshëm ndërkombëtar që dëshmon se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mbetet partner i qëndrueshëm dhe i besueshëm, sidomos për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Europolin, Eurojust-in dhe autoritetet e tjera të drejtësisë,” shtoi Isufaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat