“Gjumi s’ka me iu marrë”, familjarët e Arlinda Zekajt i bashkohen protestës në Prishtinë, kërkohet drejtësi dhe dorëheqje e ministrave

Aktuale

“Gjumi s’ka me iu marrë”, familjarët e Arlinda Zekajt i bashkohen protestës në Prishtinë, kërkohet drejtësi dhe dorëheqje e ministrave

Më: 28 tetor 2026 Në ora: 16:01 Përditësuar në ora: 17:52 më 28.10.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

​Familjarët e Arlinda Zekajt kundër akteve të dhunës në protestë: Mos prishni, këto janë tonat

Familjarë të gruas së vrarë në Vitomiricë të Pejës, Arlinda Zekajt, që po marrin pjesë në protestën kundër vrasjes së grave, u bënë thirrje protestuesve të mos eskalojnë në dhunë.

“Mos prishni, këto janë tonat. Nuk duam dhunë na. Nuk jemi dalë me thy na”, dëgjohen familjarët duke thënë në protestë.

Në protestën në Prishtinë po kërkohet drejtësi dhe përgjegjësi institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt.

Babai i Diana Kastratit pjesë e protestës: Të dorëhiqen ata që kanë pasur përgjegjësi

Pjesë e protestës në Prishtinë, është edhe babai i Diana Kastratit, Gëzim Kastrati.

Vajza e tij ishte vrarë para më shumë se 15 vjetëve në Prishtinë nga ish-burri i saj, me ç’rast Gjykata Kushtetuese e kishte bërë përgjegjës shtetin e Kosovës, që nuk i kishte ofruar asaj mbrojtje.

Pikërisht me një kërkesë dhe mesazh të tij të fuqishëm, ai ka ngritur zërin edhe në rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra nga ish-kunati i saj, pasi shteti dështoi ta mbronte atë.

“Mesazhi ynë, mekanzimat e shtetit kanë dështuar. Qeveria duhet të krijojë komisione për të parë se cilat hallka kanë dështuar. Le të japin dorëheqje morale të gjithë personat që kanë pasur përgjegjësi”, ka deklaruar ai.

“Rahat s’kena me iu lon”, protestuesit shkruajnë grafite në objektin e Policisë

Protesta në Prishtinë, e organizuar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, ka vazhduar me veprime simbolike kundër institucioneve.

Protestuesit kanë shkruar grafite në objektin e Policisë, ndërsa ndër mesazhet e lëna ishte “Rahat s’kena me iu lon”.

Përmes këtyre veprimeve, protestuesit kanë shprehur revoltën e tyre dhe kanë kërkuar përgjegjësi institucionale për rastin e Arlinda Zekajt.

“Tani po kuptoj pse ka kaq shumë vrasje”, mesazhi i Arlindës shkruhet në dyert e Qeverisë

Protestuesit që po marshojnë në Prishtinë pas vrasjes së Arlinda Zekajt kanë arritur para objektit të Qeverisë së Kosovës, ku kanë hedhur mjete piroteknike.

Në dyert e Qeverisë është shkruar mesazhi “Tani po kuptoj pse ka kaq shumë vrasje”, fjali e marrë nga letra e Arlinda Zekajt.

Po ashtu, në dyert e objektit është vizatuar një sëpatë me ngjyrë të kuqe, duke iu referuar mënyrës se si u vra Arlinda nga ish-kunati i saj.

Protestuesit kanë bërë thirrje “Jepni dorëheqje”, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe drejtësi për vrasjen që ka nxitur reagime të shumta në vend.

“Gjumi s’ka me iu marrë” – Protestë në Prishtinë për Arlinda Zekajn

Ka nisur protesta kombëtare pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, në një rast ku i dyshuari për vrasjen është kunati i saj, Albert Sylaj.

Protesta, e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, po mbahet me moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”, për të kërkuar drejtësi për viktimën dhe masa konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave.

Me qindra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku po kërkojnë drejtësi për Arlinda Zekajn dhe reagim institucional ndaj rasteve të dhunës me bazë gjinore.

Pjesëmarrësit në protestë po kërkojnë që vrasjet e grave të mos trajtohen si raste të izoluara, por si një problem serioz shoqëror që kërkon përgjegjësi institucionale dhe veprim të menjëhershëm.

Rasti i Arlinda Zekajt ka rikthyer në vëmendje kërkesat për drejtësi dhe nevojën për masa më efektive në parandalimin e vrasjeve të grave në Kosovë.

​Nis protesta në Prishtinë, kërkohet kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt

Filloi protesta në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, duke kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt.

Në protestë janë të pranishëm edhe familjarët e Arlinda Zekajt.

Protestuesit bënë thirrje: “Na nuk jemi vetë, e kena njana-tjetrën”, “Liri, barazi, solidaritet” dhe “Shteti i ka duart me gjak”, ndërsa në mesin e pankartave është edhe mesazhi: “Gjumi s’ka me iu marrë, flaka ka me iu dalë”.

Arlinda Zekaj u vra të dielën mbrëma në Vitomiricë të Pejës. Kunati i saj, i dyshuar për këtë vrasje, është arrestuar mbrëmë në orë të vona, ndërsa më parë është arrestuar edhe ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt. 

Familjarët e Arlinda Zekajt i bashkohen protestës në Prishtinë

Ka filluar protesta në Prishtinë, e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, pas vrasjes së Arlinda Zekajt, me thirrje për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së grave në Kosovë.

Protestës i janë bashkuar edhe familjarët e Arlinda Zekajt, e cila u vra ditë më parë në Vitomiricë të Pejës.

Me lot në sy dhe pankarta në duar, po protestojhet kundër dhunës në familje, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe mbrojtje më të madhe për gratë që përballen me dhunë.

“Stop dhunës në familje”, është një nga mesazhet që po bartin protestueset, ndërsa në pankartat e tyre kërkohet edhe dorëheqja e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist kishte bërë thirrje për revoltë kombëtare, duke kërkuar masa konkrete për mbrojtjen e grave dhe parandalimin e rasteve të tjera të dhunës me pasoja fatale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat