Lopa hyri të kulloste në oborrin e Gjykatës në Graçanicë, avokati Tomë Gashi raporton penalisht prokurorin

Aktuale

Lopa hyri të kulloste në oborrin e Gjykatës në Graçanicë, avokati Tomë Gashi raporton penalisht prokurorin

Nga: Bota sot Më: 18 nëntor 2026 Në ora: 16:00
Tomë Gashi- Hashim Miftari

Avokati Tomë Gashi ka bërë të ditur se ka paraqitur kallëzim penal në Policinë e Kosovës kundër prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Blerim Igrishta.

Sipas Gashit, kallëzimi penal është dorëzuar sot në Departamentin e Krimeve të Rënda në Prishtinë, në emër të klientit të tij, Hashim Miftari.

Avokati ka bërë të ditur se prokurorin Igrishta e ka denoncuar për dy vepra të dyshuara penale: keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe privim të kundërligjshëm të lirisë.

Arsyetimi për inicimin e procedurës penale, sipas Gashit, lidhet me arrestimin e klientit të tij dhe dërgimin në paraburgim për 48 orë, si dhe pretendimin se atij nuk i është lejuar të ketë avokat mbrojtës, pavarësisht se e kishte kërkuar një gjë të tillë gjatë intervistimit në Policinë e Graçanicës.

Hashim Miftari dyshohej për dëmtim të pronës, pasi, sipas avokatit, lopa e tij, e quajtur Murrica, kishte hyrë për të kullotur në oborrin e Gjykatës në Graçanicë.

Gashi ka pretenduar se rasti duhet të trajtohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Ai ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të kërkojë përfshirjen edhe të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Kryeprokurorit të Shtetit, Avokatit të Popullit dhe institucioneve të tjera kompetente, me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve brenda përgjegjësive të tyre.

Deri më tani, në deklaratën e avokatit nuk është përfshirë ndonjë reagim nga prokurori Blerim Igrishta lidhur me këto pretendime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat