Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, ku është diskutuar për të drejtat dhe sfidat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara.
Gjatë takimit u prezantuan kërkesat dhe shqetësimet e përfaqësuesve të forumit, me theks të veçantë në përfshirjen e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në Kushtetutën e Kosovës.
Haxhiu ka shprehur gatishmërinë që këto kërkesa të trajtohen në Kuvend, në bashkëpunim me komisionet përkatëse dhe grupet parlamentare.
Ajo ka theksuar gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së drejtpërdrejtë të përfaqësuesve të forumit në këto procese, në mënyrë që kërkesat e tyre të marrin vëmendjen e duhur institucionale, transmeton Bota sot.