Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka evidentuar 51 raste me parregullsi tatimore gjatë rreth 60 vizitave dhe inspektimeve në terren ndaj bizneseve që ushtrojnë veprimtari tregtare përmes platformave online dhe shërbimeve postare.
Sipas ATK-së, parregullsitë përfshijnë ushtrimin e veprimtarisë ekonomike nga biznese të paregjistruara, punësimin e punëtorëve të padeklaruar dhe shitjen e mallrave pa lëshuar kuponë fiskalë.
Nga këto aktivitete, 36 raste janë rekomanduar për vlerësim dhe trajtim përmes sistemit ZGJONA, ndërsa janë shqiptuar 24 gjoba.
ATK ka bërë të ditur se kontrollet janë realizuar në bashkëpunim me institucionet relevante, me qëllim të mbikëqyrjes së bizneseve online dhe formalizimit të këtij sektori.
“Çdo individ që ushtron veprimtari ekonomike, pavarësisht mënyrës se si e zhvillon atë, është i obliguar ta regjistrojë biznesin, t’i formalizojë punëtorët, t’i deklarojë të ardhurat dhe t’i paguajë obligimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftimin e ATK-së, transmeton Bota sot.