Erëra të forta në Prishtinë të enjten, qytetarëve u bëhet thirrje për kujdes

Aktuale

Erëra të forta në Prishtinë të enjten, qytetarëve u bëhet thirrje për kujdes

Nga: Bota sot Më: 18 nëntor 2026 Në ora: 13:40
Fotoilustrim

Qytetarët janë paralajmëruar të kenë kujdes të shtuar gjatë ditës së nesërme, pasi Kosova pritet të përfshihet nga erëra të forta, të cilat do të jenë më të theksuara nga mesdita deri në orët e mbrëmjes.

Thirrja është bërë nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Prishtinës, e cila, duke u bazuar në parashikimet e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, ka njoftuar se era do të nisë të forcohet që nga mbrëmja e sotme.

Sipas paralajmërimit, të enjten era do të fryjë nga jugu dhe jugperëndimi, me shpejtësi prej 30 deri në 45 kilometra në orë, ndërsa priten edhe shpërthime të herëpashershme me intensitet më të lartë. Gjatë kësaj periudhe parashihen edhe reshje të lehta shiu, me ndërprerje.

Për të shmangur rreziqet e mundshme, qytetarëve u është rekomanduar të sigurojnë vazot, mobiliet dhe sendet e tjera që ndodhen në ballkone, tarraca dhe oborre.

Gjithashtu, këshillohet të shmanget qëndrimi pranë pemëve të mëdha, skelave dhe tabelave reklamuese gjatë kohës kur era është më e fuqishme.

Thirrje për kujdes u është drejtuar edhe operatorëve të kantiereve të ndërtimit dhe subjekteve që administrojnë tabela reklamuese, të cilët duhet të kontrollojnë fiksimin e skelave, rrethojave dhe tabelave.

Ndërkaq, drejtuesit e automjeteve këshillohen të përshtatin shpejtësinë dhe të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në rrugët e ekspozuara ndaj erërave.

Sipas parashikimeve meteorologjike, të premten, më 20 nëntor, era pritet të dobësohet gradualisht gjatë ditës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat