Serbia vazhdon narrativën kundër shtetësisë së Kosovës edhe në takimin me admiralin e NATO-s

Aktuale

Serbia vazhdon narrativën kundër shtetësisë së Kosovës edhe në takimin me admiralin e NATO-s

Më: 26 nëntor 2026 Në ora: 12:38
Foto nga takimi

Serbia ka përsëritur qëndrimin e saj mosnjohës ndaj Republikës së Kosovës edhe në një takim të nivelit të lartë ushtarak me NATO-n.

Beogradi ka insistuar para admiralit amerikan George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli (JFC Naples), se vazhdon ta konsiderojë KFOR-in si të vetmin formacion të armatosur legjitim në Kosovë.

Këtë qëndrim e ka përsëritur ushtruesi i detyrës së shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Tiosav Jankoviq, gjatë takimit me admiralin Wikoff në Beograd.

“Gjenerali Jankoviq theksoi në veçanti se, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha marrëveshjet e nënshkruara, Republika e Serbisë vazhdon ta konsiderojë KFOR-in si të vetmin formacion të armatosur legjitim në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës së Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, Jankoviq ka shprehur pritjen që komanda e NATO-s në Napoli, duke pasur parasysh kompetencat e saj, të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për krijimin e një mjedisi të sigurt në Kosovë për qytetarët e nacionalitetit serb.

“Në takim është diskutuar për modalitetet e bashkëpunimit të mëtejshëm ndërmjet Ushtrisë së Serbisë dhe Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s nga Napoli, si dhe për situatën aktuale të sigurisë në rajon, me theks të veçantë te situata në Kosovë, duke qenë se Forcat Ndërkombëtare të Sigurisë në Kosovë janë nën përgjegjësinë e kësaj komande”, thuhet në komunikatë.

Ministria serbe ka bërë të ditur se bashkëpunimi ndërmjet ushtrisë së Serbisë dhe NATO-s është vlerësuar bashkërisht si konstruktiv dhe profesional.

Megjithatë, në komunikatën e publikuar nga Beogradi nuk është përfshirë asnjë deklaratë e admiralit Wikoff lidhur me pretendimet e palës serbe për Kosovën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat