LIVE: Dështojnë dy rezolutat në Kuvend, nuk kalojnë ato për shëndetësinë dhe energjinë

Aktuale

LIVE: Dështojnë dy rezolutat në Kuvend, nuk kalojnë ato për shëndetësinë dhe energjinë

Nga: Bota sot Më: 26 nëntor 2026 Në ora: 07:47 Përditësuar në ora: 11:35 më 26.11.2026
Kuvendi i Kosovës

Tri nisma qytetare në Kuvend, komisionet parlamentare do t`i hartojnë projektligjet

Tri nisma legjislative të qytetarëve do të trajtohen nga komisionet parlamentare funksionale, të cilat do të marrin përsipër hartimin e projektligjeve përkatëse.

Propozimi është paraqitur nga Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe ka marrë mbështetjen e përfaqësuesve të grupeve parlamentare.

Nismat përfshijnë rishikimin e kufijve administrativë të komunave, hartimin e një ligji për parandalimin e vetëvrasjes, si dhe mundësinë e pensionimit të vullnetshëm të parakohshëm për mësimdhënësit nga mosha 55 deri në 64 vjeç, në arsimin parauniversitar.

Kjo e fundit parasheh edhe plotësim-ndryshimin e legjislacionit për arsimin parauniversitar.

Gjatë prezantimit të propozimit, Haxhiu ka rikujtuar se legjislacioni për nismat qytetare përcakton përgjegjësinë e Kuvendit për hartimin e projektligjeve, kur qytetarët paraqesin kërkesa të tilla.

Ajo ka kërkuar që puna të zhvillohet përmes komisioneve që tashmë funksionojnë në Kuvend, pa krijuar trupa të veçantë për këtë proces.

Kuvendi nuk miraton dy rezoluta për shëndetësinë dhe energjinë

Kuvendi i Kosovës ka vazhduar punimet me shqyrtimin e pikave të mbetura të rendit të ditës, por deputetët nuk kanë arritur të miratojnë dy rezoluta që lidhen me çështje të rëndësishme, atë të mungesës së barnave për pacientët me kancer dhe gjendjen në sektorin e energjisë elektrike.

Në vazhdimin e seancës së Kuvendit të Kosovës nuk ka kaluar rezoluta e propozuar pas interpelancës së ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, e cila ishte thirrur pas vdekjes së një pacienteje me kancer, së cilës i kishte munguar njëri nga barnat e nevojshme për terapinë e saj.

Po ashtu, deputetët nuk kanë miratuar as rezolutën që buronte nga mocioni përmbajtjesor lidhur me gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike.

Për rezolutën e parë kanë votuar vetëm 27 deputetë, ndërkohë kundër kanë votuar 49. 

Ndërkohë për të dytën 27 deputetë kanë votuar për dhe 51 kanë qenë kundër. 

Nagavci: Nuk kemi kandidatë për anëtar në Bordin e RTK-së

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se procesi i intervistimit për anëtarët e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) nuk ka rezultuar me kandidatë që mund të propozohen në Kuvend.

Ajo ka thënë se janë zhvilluar intervistat për kandidatët nga komuniteti shqiptar, komuniteti joshumicë jo-serb dhe komuniteti shumicë serb, por për disa pozita nuk është arritur të sigurohet kandidaturë që plotëson kushtet për t'u proceduar në seancë.

Ajo ka bërë me dije se procesi do të vazhdojë me propozimin e nga dy kandidatëve për pozitat që u takojnë komuniteteve joshumicë jo-shqiptare dhe komunitetit shumicë serb, ndërsa Kuvendi do të votojë për një anëtar për secilën pozitë.

"Dy anëtarë nga komuniteti shqiptar, një anëtar nga komuniteti joshumicë jo serb dhe një anëtar nga komuniteti shumicë serb kanë zhvilluar intervistimet, vlen të përmendet se gjatë intervistave që janë zhvilluar nuk kemi arritur të kemi kandidatë që plotësojnë kriteret për t’u prezantuar në seancë, do të vazhdojmë me propozimet vetëm për anëtarët nga komuniteti joshumicë jo shqiptar dhe jo shumicë jo serb, gjithsej nga dy propozime për të dy rastet për një anëtar që do të votohet", ka deklaruar Nagavci.

Kuvendi shqyrton pikat e mbetura nga seancat e kaluara

uvendi i Kosovës ka vazhduar punimet e seancave të papërfunduara të 12, 13 dhe 19 nëntorit, ku në mesin e çështjeve kryesore janë votimi i rezolutës për mungesën e barnave onkologjike dhe ajo për gjendjen në sektorin e energjisë elektrike.

Gjatë vazhdimit të punimeve, deputetët pritet të votojnë propozim-rezolutën pas interpelancës me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me rastin e pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur katër muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave për pacientët onkologjikë.

Një tjetër pikë me rëndësi në rendin e ditës është votimi i propozim-rezolutës për gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.

Përveç këtyre dy çështjeve, Kuvendi do të trajtojë edhe disa pika të tjera që kanë mbetur pa u përfunduar nga seanca e 19 nëntorit.

Në mesin e tyre janë procedimi i nismave legjislative të qytetarëve, emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës dhe zgjedhja e katër anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, dy nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet jo shumicë.

Po ashtu, në rend dite është edhe rekomandimi për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Deputetët pritet të shqyrtojnë edhe propozimin e Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin Parlamentar Hetimor për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

Pas përfundimit të pikave të mbetura, Kuvendi ka të planifikuar edhe mbajtjen e seancës së rregullt, e cila është caktuar për në orën 13:00.

Kuvendi mblidhet sot në dy seanca plenare, në rend dite rezolutat për shëndetësinë dhe energjinë elektrike

Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë sot, më 26 nëntor, dy seanca plenare. Seanca e parë, e cila është vazhdim i punimeve të papërfunduara nga seancat e kaluara, do të nisë në orën 10:00, ndërsa seanca e rregullt është caktuar për në orën 13:00.

Në seancën e parë pritet të shqyrtohen çështjet e mbetura nga seancat e 12, 13 dhe 19 nëntorit.

Ndër pikat kryesore të rendit të ditës është votimi i propozim-rezolutës pas interpelancës me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur katër muaj pa marrë terapi, si dhe mungesën e barnave onkologjike.

Po ashtu, deputetët pritet të votojnë propozim-rezolutën për gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.

Në këtë seancë do të shqyrtohet edhe procedimi i nismave legjislative të qytetarëve për hartimin e projektligjeve nga Kuvendi, si dhe emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës.

Një tjetër pikë e rendit të ditës është zgjedhja e katër anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), dy nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet joshumicë.

Gjithashtu, deputetët do të shqyrtojnë rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Në rend dite është përfshirë edhe propozimi i Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e një anëtari të këtij grupi në Komisionin Parlamentar Hetimor, i cili po trajton veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

Ndërkaq, seanca e rregullt e orës 13:00 do të nisë me miratimin e procesverbalit nga seanca e kaluar, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe parashtrimin e pyetjeve parlamentare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat