Kryetari i Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Vigan Qorrolli, ka bërë të ditur se deri më tani nuk kanë pranuar draftin e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ligjin e ri që lidhet me Gjykatën Speciale.
Ai ka sqaruar se bëhet fjalë për një iniciativë të re ligjore, e cila duhet t'u nënshtrohet të gjitha procedurave të përcaktuara me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
“Partia Demokratike nuk e ka dorëzuar draftin, do të them, preliminar, në mënyrë që t’i kalojë procedurat, sepse është një iniciativë e re ligjore. Duhet ta dini që kjo është një iniciativë e re ligjore dhe duhet t’u nënshtrohet të gjitha rregullave të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit”, deklaroi Qorrolli.
Sipas tij, pas dorëzimit të draftit, fillimisht duhet të merret edhe mendimi i Qeverisë, e më pas iniciativa procedohet për shqyrtim në Komisionin për Legjislacion.
“Në këtë kuptim, duhet të merret mendimi i Qeverisë, pastaj kalon në Komisionin për Legjislacion”, u shpreh ai.
Qorrolli ka komentuar gjithashtu edhe afatin e nesërm për paraqitjen e ankesës ndaj vendimit të Gjykatës në Hagë.