Zjarr në nënstacionin Kosova B, KOSTT tregon nëse është prekur furnizimi me energji

Aktuale

Zjarr në nënstacionin Kosova B, KOSTT tregon nëse është prekur furnizimi me energji

Më: 26 nëntor 2026 Në ora: 11:27
Fotoilustrim

Një zjarr ka shpërthyer në orët e hershme të mëngjesit në autotransformatorin AT2 (400/220 kV) në nënstacionin Kosova B.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka njoftuar se menjëherë pas raportimit të zjarrit janë njoftuar shërbimet emergjente, të cilat kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Ekipet teknike ndodhen në terren, ku po vlerësojnë dëmet dhe po shqyrtojnë rrethanat e avarisë.

Sipas KOSTT-it, incidenti nuk ka ndikuar në furnizimin e qytetarëve me energji elektrike.

“Furnizimi me energji elektrike ka vazhduar pa ndërprerje, pasi avaria në autotransformator nuk ka ndikuar në funksionimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës”, thuhet në njoftim.

KOSTT ka falënderuar ekipet e zjarrfikësve për ndërhyrjen dhe Policinë e Kosovës për bashkëpunimin në vendin e ngjarjes.

Shkaqet e zjarrit dhe përmasat e dëmeve ende nuk janë bërë të ditura.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat