Haxhiu në prag të 28 Nëntorit: Katërshja e Hagës duhet të kthehet në Kosovë

Aktuale

Haxhiu në prag të 28 Nëntorit: Katërshja e Hagës duhet të kthehet në Kosovë

Më: 26 nëntor 2026 Në ora: 16:03
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në një adresim para deputetëve, ka kujtuar ngjarjet dhe personalitetet që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e lirisë së Kosovës.

Ajo ka theksuar rëndësinë e muajit nëntor, duke përmendur edhe Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe rrënjët historike të kësaj force në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Haxhiu: FSK-ja i ka rrënjët te UÇK-ja dhe sakrifica e dëshmorëve

“Jemi në ditë të rëndësishme, në ditët e nëntorit. Nesër është Dita e Forcës së Sigurisë së Kosovës, një forcë që i ka rrënjët te Ushtria Çlirimtare e Kosovës, te sakrifica e dëshmorëve dhe te përpjekjet e brezave që dhanë gjithçka që ne sot të jetojmë të lirë në Republikën tonë”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka përkujtuar gjithashtu ngjarjet e fundit të nëntorit, të cilat, sipas saj, shënuan kalimin e rezistencës së armatosur në luftë të hapur kundër forcave serbe.

Haxhiu: Në ditët e fundit të nëntorit kujtojmë kalimin e rezistencës së armatosur në luftë të hapur kundër forcave serbe

“Në këto ditë të fundit të nëntorit kujtojmë ngjarjet që e kthyen rezistencën tonë të armatosur në luftë të hapur kundër forcave serbe”, është shprehur ajo.

Haxhiu ka folur edhe për katërshen e Hagës, duke shprehur mbështetjen për ta dhe duke kërkuar që drejtësia të vihet në vend, ndërsa ata të lirohen sa më parë.

Haxhiu për katërshen e Hagës: Vendi i tyre është në Kosovë, të lirohen sa më parë

“E teksa kujtojmë këto ngjarje, jemi pranë katërshes së Hagës, luftëtarëve të lirisë, të cilët edhe këtë nëntor po mbahen padrejtësisht në Hagë. Vendi i tyre është në Kosovë dhe ne vazhdojmë angazhimin tonë që drejtësia të vijë në vend dhe ata të lirohen sa më parë”, ka deklaruar Haxhiu.

Deklarata e Haxhiut vjen në prag të shënimit të Ditës së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat