Mungesa në festën e 28 Nëntorit, kryetari i Fushë Kosovës kërkon dorëheqje dhe masa ndaj stafit të gjimnazit

Aktuale

Mungesa në festën e 28 Nëntorit, kryetari i Fushë Kosovës kërkon dorëheqje dhe masa ndaj stafit të gjimnazit

Më: 27 nëntor 2026 Në ora: 14:32
Kryetari i Fushë Kosovës, Valon Prebreza

Kryetari i Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka kërkuar dorëheqjen e drejtorit të gjimnazit “Hivzi Sylejmani”, për shkak të mospjesëmarrjes në manifestimin për 28 Nëntorin.

Gjatë ceremonisë së organizuar të enjten në ambientet e kësaj shkolle, Prebreza ka kritikuar mungesën e drejtorit dhe të një pjese të personelit, duke e cilësuar atë si bojkot të festës kombëtare.

Kryetari i komunës ka shprehur pakënaqësi për pjesëmarrjen e ulët të stafit arsimor, ndërsa në manifestim ishin të pranishëm edhe veteranë dhe invalidë të luftës, raporton KosovaPress.

“Siç po e vëreni në këtë manifest, salla nuk është e mbushur plot. Konsideroj se gjithë kolektivi që gjendet në këtë shkollë, e që duhet të jetë një numër i caktuar, mospjesëmarrja e tyre është bojkot në këtë datë të madhe të historisë së popullit shqiptar. Nga kjo foltore kërkoj dorëheqjen e drejtorit të kësaj shkolle dhe vërejtje për gjithë personelin e kësaj shkolle… Këtu po shohim veteranë, po shohim invalidë të luftës që gjymtyrët i kanë lënë për këtë vend…. Mungesa e tyre, njerëzve të cilët ish dashtë që gjeneratave të ardhme te ua mësojnë historinë, mungesa e tyre është nënçmim për gjakun e derdhur”, ka thënë Prebreza.

Ai i është drejtuar edhe drejtorit komunal të Arsimit, duke kërkuar ndërmarrjen e masave ndaj personelit që nuk mori pjesë në manifestim.

“Dorëheqje mendoj se nuk mjafton, drejtorin e Drejtorisë së Arsimit po e shoh atje. Të lutem drejtor t’i marrësh përgjegjësitë dhe të gjitha masat për këto mungesa të paarsyeshme dhe të panevojshme, të cilat institucionin e komunës dhe gjithë të pranishmit këtu i kanë nënçmuar”, ka deklaruar ai.

Në raportim nuk është përfshirë qëndrimi i drejtorit të gjimnazit apo i personelit të shkollës lidhur me deklaratat e Prebrezës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat