Komisioni për Buxhet ka miratuar pesë pika të rendit të ditës që kanë të bëjnë me vlerësimin e ndikimit financiar të projektligjeve për sistemin e drejtësisë.
Gjatë shqyrtimit të raporteve me amendamente, është diskutuar edhe mënyra e vlerësimit të kostos buxhetore për amendamentet e propozuara, përfshirë ato që nuk kanë marrë miratimin e komisionit përkatës.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kërkuar që vlerësimi për ndikimin buxhetor të amendamenteve të mos mbetet vetëm në konstatime, por të ketë edhe një bazë të qartë vlerësimi.
Hoti: Konstatimi se amendamenti nuk ka ndikim buxhetor nuk mjafton
“Përndryshe është vetëm fjala juaj, kur konstatoni se nuk ka ndikim buxhetor si amandament”, ka thënë Hoti.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit, Enver Haliti, ka thënë se nuk mund të bëhet vlerësimi dhe votimi i një amendamenti pa kaluar paraprakisht në komisionin përkatës.
Haliti: Amendamentet që nuk miratohen në komision mund të propozohen sërish në seancë plenare
“Derisa një amandamnet nuk ka kaluar, qysh mund të vlerësojmë dhe votojmë, derisa s’ka marrë miratimin e komisionit. Nëse vendos Kuvendi që një amandament i propozuar nga deputeti për shkak se komisioni se paska marrë shumicën e votimit në komision dhe s’ka kaluar. Deputeti e ka te drejtën të propozojë edhe në seancë të kuvendit. Nëse seanca vendos ndryshe”, ka thënë Haliti.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka kërkuar që për secilin amendament të bëhet vlerësimi i kostos buxhetore, pavarësisht nëse ai merr apo jo miratimin e komisionit.
Musliu-Shoshi kërkon vlerësim të kostos buxhetore për secilin amendament, pavarësisht nëse kalon apo jo
“Nuk kemi ndonjë qëllim të keq në këtë aspekt, mirëpo meqë këto amandamente vijnë në komision tek ne, mendoj se duhet me pas një vlerësim për secilin amandament sa përfshin kosto buxhetore. Pavarësisht faktit a kalon apo nuk kalon. Ne nuk mund të vendosim se si do të ndodhë në seancë”, ka thënë Musliu-Shoshi.