Deklaratat e fundit të deputetit Xhavit Haliti për vrasjet politike të pasluftës kanë nxitur reagime dhe kanë rikthyer në vëmendje rastet e pazbardhura të kësaj periudhe. Publicistja Refiqe R. Hamiti, në një reagim publik, është ndalur veçanërisht te vrasja e ish-bashkëpunëtorit të afërt të Ibrahim Rugovës, Xhemail Mustafa, duke ngritur pikëpyetje për arsyet që, sipas saj, e kanë shtyrë Halitin të flasë për këto çështje pikërisht tani.
Hamiti vlerëson se Xhavit Haliti, kohëve të fundit, ka shfaqur një nevojë të pazakontë për të folur për vrasjet politike të pasluftës, duke përmendur edhe rastin e Xhemail Mustafës.
Ajo rikujton se Mustafa ishte njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të Ibrahim Rugovës, intelektual, publicist dhe figurë politike e LDK-së, i cili u vra më 23 nëntor 2000, në hyrje të banesës së tij në Prishtinë, nga dy persona të panjohur.
Sipas Hamitit, edhe pas 26 vjetësh, pyetja se kush e vrau Xhemail Mustafën dhe kush e urdhëroi vrasjen e tij vazhdon të mbetet pa përgjigje.
“Nuk kërkohet hakmarrje. Kërkohet drejtësi. Sepse as koha, as harresa dhe as lojërat politike nuk mund ta mbyllin një krim të pazbardhur”, ka shkruar ajo.
Më tej, publicistja është ndalur te deklarata e Xhavit Halitit lidhur me djalin e të ndjerit, Besian Mustafën, për të cilin Haliti ka thënë se pak a shumë e di se kush ia vrau babanë.
Hamiti e konsideron këtë një deklaratë me peshë të rëndë, duke theksuar se çdo informacion për vrasësit apo urdhërdhënësit e një krimi të tillë duhet të adresohet te organet e drejtësisë dhe jo të mbetet në deklarata publike.
“Nëse dikush ka informacion për vrasësit apo urdhërdhënësit e një krimi të tillë, vendi i atij informacioni nuk është studioja televizive, por organet e drejtësisë”, shprehet ajo.
Në reagimin e saj, Hamiti thekson se Besian Mustafa nuk duhet të bëhet pjesë e deklaratave që mund të hedhin hije e dyshime mbi familjen e tij, e cila, sipas saj, ka përjetuar një humbje të rëndë.
Ajo ngre gjithashtu disa pyetje për kohën kur Haliti ka vendosur të flasë për këto raste: pse po rikthehen tani në vëmendje emrat e njerëzve të vrarë pas luftës dhe, nëse ekzistojnë informacione, pse ato nuk bëhen të ditura para institucioneve të drejtësisë?
Duke iu referuar edhe mundësisë së zhvillimeve të reja në Hagë, Hamiti shpreh bindjen se e vërteta për krimet e pazbardhura nuk mund të mbulohet përgjithmonë me heshtje.
“Dardha e ka bishtin, ndërsa çdo fjalë publike e ka përgjegjësinë”, ka shkruar ajo, duke përfunduar reagimin me mesazhin se drejtësia duhet të mbështetet në fakte dhe jo vetëm në deklarata.
“E vërteta nuk ka afat skadimi. Kurrë! As krimet nuk mbulohen përgjithmonë me heshtje”, përfundon reagimin Refiqe R. Hamiti.