Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se deri në fund të dhjetorit të vitit 2026 pritet të përfundojë pjesa prodhuese e fabrikës së municionit në Gjakovë dhe të realizohet prodhimi i parë testues. Ndërsa laboratorët, depot dhe objektet e tjera të kompleksit parashihet të përfundojnë gjatë vitit 2027.
Këto deklarata Kurti i bëri në seancën e Kuvendit të Kosovës, në përgjigje të pyetjes së deputetes së Partisw Demokratike tw Kosovws, Besa Kabashi-Ramaj, e cila kërkoi sqarime për financimin, detyrimet financiare dhe afatet e funksionalizimit të fabrikës.
Kurti tha se kompleksi industrial për prodhimin e municioneve në Gjakovë është projekt strategjik për vendin dhe për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse.
Sipas tij, prodhimi vendor do të forcojë qëndrueshmërinë e Kosovës në furnizimin me municione për ushtrinë, policinë dhe institucionet e tjera të sigurisë, duke ulur varësinë nga prodhuesit e huaj.
Kurti: Fabrika e municionit në Gjakovë projekt strategjik për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës
“Ndër prioritet kyçe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për fushën e mbrojtjes është edhe zhvillimi i industrisë së mbrojtës dhe krijimi i kapaciteteve vendore-prodhuese. Lufta e fundit e pas agresionit rus në Ukrainë ka treguar që mund ta kesh paranë e botes, por, kur të nevojitet më së shumti municioni nuk e blen dot sepse nuk ta shet askush. Edhe në ketë mandat do të përqendrohemi për zhvillimin e kësaj industrie. Në këtë kuadër, Kompleksi industrial për prodhimin e municioneve në Gjakovë është projekt strategjik për vendin dhe për rritjen e kapaciteteve tona mbrojtëse. Prodhimi vendor do të forcojë vet qëndrueshmërinë e Kosovës me furnizimin me municione për ushtrinë, policinë, dhe institucionet e tjera të sigurisë. Në kushtet e mungesave në nivel global të shkaktuara nga luftërat dhe kërkesa e shtuar, ky kapacitet do të rrisë sigurinë e furnizimit dhe do të ulë varësinë tonë nga prodhuesit e huaj. Ju e dini që ne kemi blerë shumë municion dhe armatim, por, ato nuk janë prodhimi ynë, dhe ne dëshirojmë që kjo të ndryshojë në vitet në vijim”, ka thënë Kurti.
Ai bëri të ditur se para nënshkrimit të kontratës janë realizuar dy studime të fizibilitetit nga dy kompani të vendeve anëtare të NATO-s.
Sa i përket ndarjes prej një milion eurosh në projektbuxhetin e vitit 2027 për projektin “Rrethoja e sigurisë, parku industrial i mbrojtjes”, Kurti sqaroi se kjo shumë i referohet rrethojës së zonës së përgjithshme industriale, e cila përfshin 144 hektarë.
Kurti: Kontrata për fabrikën e municionit në Gjakovë është paguar plotësisht, prodhimi testues nis deri në fund të vitit 2026
“Për këtë projekt është lidhur kontratë e klasifikuar me kompaninë shtetërore turke MKE, pagesa e kontratës është realizuar plotësisht, dhe nuk ka detyrime të papaguara financiare ndaj MKE-së. Për nënshkrime të kontratës janë realizuar dy studime të fiizbilitetit nga dy kompani, vende anëtare të NATO-s. Sa u përket ndarjeve buxhetore, projekti dhe ndarja prej 1 milion eurosh për rrethojnë e sigurisë, parku industrial i mbrojtës, i referohet rrethojës së zonës së përgjithshme industriale e cila përfshin 144 hektarë. Kjo është ndarje e veçantë nga ndërtimi dhe funksionalizmi i kompleksit të prodhimit të municioneve, kompleksi shtetëror do të ketë murin e vet rrethues i cili do të ndërtohet po ashtu nga MKE-ja. Deri në fund të dhjetorit 2026 parashihet të përfundojë pjesa prodhuese e fabrikës dhe të realizohet prodhimi i parë testues i municioneve. Laboratorët, depot dhe objektet e tjera të kompleksit parashihen të përfundojnë gjatë vitit 2027. Ministria e Mbrojtës tashmë e ka rekrutuar stafin që do të punojë në fabrike, para fillimit të prodhimit testues punonjësit do të ndjekin trajnimin specialistik në Turqi. Në fazën fillestare ata janë angazhuar përmes një projekti trevjeçar në të cilin janë planifikuar pagat dhe shpenzimet përkatëse”, theksoi Kurti.
Ndërkaq, deputetja Besa Kabashi-Ramaj kërkoi të dijë se në cilin program, nënprogram dhe projekt buxhetor është paraparë financimi i fabrikës për vitin 2027, me çfarë kodi dhe me çfarë shume konkrete.
Ajo po ashtu kërkoi informacione për vlerën e përgjithshme të detyrimeve financiare që rrjedhin nga marrëveshja me kompaninë turke, shumën e paguar deri më tani dhe afatin aktual të funksionalizimit të fabrikës.
Kabashi-Ramaj kërkon sqarime për financimin dhe detyrimet financiare të fabrikës së municionit në Gjakovë
“Qeveria ka njoftuar marrëveshjen me kompaninë shtetërore turke MGE siç ke premtuar edhe gjatë fjalimit tënd për ndërtimin dhe funksionalizimin e fabrikës së municionit duke paralajmëruar fillimin e prodhimit në vitin 2026 . Megjithatë, në projektbuxhetin për 2027 në tabelën 32 faqja 172 figuron projekti me kod 212252 i emërtuar rrethoja e sigurisë, parku industrial i mbrojtjes dhe kemi vetëm ketë me një ndarje prej 1 milion eurosh në kategorinë e projekteve kapitale, nëse nuk identifikohet veçmas financimi për ndërtimin, pajisjen dhe funksionalizmin e fabrikës. Në cilën program, nënprogram dhe projekt buxhetor, më cilin kod, dhe me çfarë shume konkrete është paraparë financimi i fabrikës së municionit në Gjakovë për vitin 2027, sa është vlera e përgjithshme e detyrimeve financiare që rrjedhin nga marrëveshja me MKE-në, sa mjete janë paguar deri më tani. Cili është afati aktual për funakionalizimin e fabrikës”, ka thënë Kabashi-Ramaj.
Në fund, Kurti tha se nuk është e dobishme që emrat e kompanive dhe shtetet prej nga vijnë ato të bëhen publike, pasi sipas tij, kjo mund t'u mundësojë kundërshtarëve dhe armiqve të Kosovës t'u qasen atyre.
Kurti: Nuk është e dobishme të publikohen emrat e kompanive që po bashkëpunojnë me Kosovën në industrinë e mbrojtjes
“Nuk mendoj se është e dobishme të tregohet se cilat janë kompanitë, nga cilat shtete publikisht, që pastaj kundërshtarët e armiqtë e Republikës së Kosovës të ju qasen atyre. Është gabim”, deklaroi Kurti.