Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka marrë pjesë në takimin ministror të Samitit të Liderëve për Planin e Rritjes, i cili është mbajtur sot në Tiranë dhe i paraprin takimit të kryeministrave.
Përmes një postimi, Zulfaj ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për përshpejtimin e reformave, integrimin në tregun e përbashkët evropian dhe pengesat që vazhdojnë ta vështirësojnë rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
Ai ka theksuar se pas dy vitesh bllokadë në Kuvend, Kosova tashmë ka stabilitet institucional dhe, me Qeverinë në mandat të plotë dhe Kuvendin funksional, ka përshpejtuar ritmin e reformave.
Duke iu referuar deklarimeve të kryeministrit një ditë më parë në Bruksel, në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, Zulfaj ka ritheksuar se asnjë reformë e Planit të Rritjes nuk do të lihet pas.
“Reformat që kanë kaluar afatin do të përmbushen njësoj, sepse ato janë zotime ndaj qytetarëve tanë. Prandaj i kërkuam Komisionit që edhe reformat e përfunduara pas afatit periodik, por brenda afatit të zbatimit të Agjendës së Reformave, të llogariten në kalkulimin e përmbushjes së reformave”, ka deklaruar Zulfaj.
Ai ka bërë të ditur se Kosova ka pranuar 61.8 milionë euro parafinancim, ndërsa kërkesa e parë për pagesë përfshin 20 hapa të përfunduar. Sipas tij, së shpejti pritet vlerësimi përfundimtar nga Komisioni Evropian.
Ndërkohë, fokusi aktual është te 22 hapat që kanë afat deri më 31 dhjetor, përfshirë dhjetë projektligje.
Në këtë drejtim, Zulfaj ka propozuar që ekspertët e Bashkimit Evropian dhe TAIEX të përfshihen që në fazën fillestare të hartimit të ligjeve, e jo vetëm në përfundim të procesit.
“Kështu reformat zbatohen më shpejt, pa u cenuar standardet evropiane”, ka theksuar ai.
Sa i përket integrimit në tregun e përbashkët evropian, kryenegociatori ka përmendur aplikimin e Kosovës për SEPA, përmes së cilës, sipas tij, qytetarët, bizneset dhe mërgata do të kursejnë mbi 50 milionë euro në vit.
Ai ka veçuar edhe hapjen e negociatave për Roam Like at Home, përfundimin e projektit WiFi4WB në të 33 komunat e përzgjedhura, si dhe lansimin e identitetit dhe portofolit digjital.
Po ashtu, ka bërë të ditur se me Komisionin Evropian po punohet në tri sektorë prioritarë të industrisë dhe në hartimin e një udhërrëfyesi drejt marrëveshjes ACAA për produktet industriale.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për pengesat që, sipas Zulfajt, vazhdojnë ta mbajnë Kosovën prapa në procesin e integrimit evropian.
Ai ka përmendur bllokimin e pjesëmarrjes së Kosovës në Konventën për Tranzitin e Përbashkët që nga viti 2018, pamundësinë e qytetarëve për të udhëtuar me letërnjoftim drejt Bosnjë e Hercegovinës, si dhe çështjen e pazgjidhur të njohjes së diplomave me Serbinë.
“Parimi i Planit të Rritjes është i qartë, asnjë vend i rajonit nuk duhet të bllokojë qasjen e një tjetri në tregun e BE-së”, ka deklaruar Zulfaj.
Në fund, ai ka rikujtuar se muajin e ardhshëm bëhen katër vjet nga aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke bërë të ditur se tashmë kanë nisur përgatitjet për përgjigjet në pyetësorin e BE-së dhe për krijimin e strukturave negociuese.
“Kosova është gati për hapin e radhës”, ka përfunduar Zulfaj, i cili ka falënderuar ministren dhe kryenegociatoren e Shqipërisë, Majlinda Dhuka, për mikpritjen dhe ndarjen e përvojës së Shqipërisë.