Në Ditën e Portokalltë, e cila shënon ndërgjegjësimin kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, kolegët e Liridona Ademajt nga lokali ku punonte e kanë kujtuar atë, duke përcjellë mesazh kundër dhunës në familje dhe ndaj grave.
Përmes një postimi në Facebook, ata kanë bërë të ditur se më 29 nëntor bëhen tre vjet nga vrasja tragjike e Liridonës, duke theksuar se ajo nuk ishte vetëm një kolege e çmuar, por mbi të gjitha një nënë e përkushtuar dhe e dashur për fëmijët e saj.
Kujtimi për të këtë vit vjen edhe pas një zhvillimi të rëndësishëm në procesin gjyqësor për vrasjen e saj.
Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimet ndaj Naim Murselit dhe Granit Plavës, të cilët janë dënuar me burgim të përjetshëm, si dhe ndaj Kushtrim Kokallës, i dënuar me 30 vjet burgim.
Në reagimin e tyre, kolegët kanë theksuar se ky vendim shënon një pjesë të rëndësishme të një procesi të gjatë dhe të dhimbshëm për familjarët e saj.
“Liridona nuk është harruar. Kujtimi për të vazhdon të jetojë dhe ne dëshirojmë të vazhdojmë të rrisim ndërgjegjësimin për atë që përjetojnë shumë gra dhe familje”, thuhet në postim.
Ata kanë falënderuar edhe klientët që kanë marrë pjesë në ceremoninë e ndezjes së dritave dhe aktivitetet e Javës së Portokalltë, duke ndihmuar në përhapjen e mesazhit kundër dhunës.
“Asnjë grua nuk duhet ta humbë jetën për shkak të dhunës. Asnjë familje nuk duhet të përjetojë dhimbjen që kanë përjetuar familjet e Liridonës, Wilmas dhe të tjerëve”, thuhet më tej në reagim.
Në fund, kolegët kanë përcjellë mesazhin e tyre në kujtim të Liridonës, për fëmijët e saj dhe për të gjitha gratë që përballen me dhunën.