Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të organizojë sot aktivitetin tradicional “Dita e Forcës”, gjatë të cilit qytetarët do të kenë mundësi të njihen nga afër me kapacitetet, pajisjet dhe aktivitetet e kësaj force.
Sipas njoftimit të FSK-së, aktiviteti do të zhvillohet nga ora 10:00 deri në 13:30 dhe do të jetë i hapur për të gjithë qytetarët.
Gjatë vizitave, të interesuarit do të mund të shohin nga afër pajisjet ushtarake, kapacitetet operacionale, si dhe të takojnë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Me këtë rast, dyert e kazermave do të hapen për qytetarët në Ferizaj, Gjakovë, Gjilan, Istog, Mitrovicë, Pomozotin, Prishtinë dhe Prizren.
Ndërkaq, në kazermën “Adem Jashari” pritet të marrin pjesë edhe udhëheqësit e lartë shtetërorë.
Përmes këtij aktiviteti tradicional, FSK-ja synon të afrojë qytetarët me punën dhe zhvillimin e saj, duke i ftuar ata që t'i bashkohen shënimit të Ditës së Forcës.