Kusari: Kosova dhe Holanda synojnë thellimin e bashkëpunimit ekonomik

Aktuale

Kusari: Kosova dhe Holanda synojnë thellimin e bashkëpunimit ekonomik

Nga: A.M. Më: 26 nëntor 2026 Në ora: 20:42
Mimoza Kusari

Bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Holandës po shënon zhvillim të mëtejshëm, me rritje të eksporteve dhe interesim për investime në sektorë të ndryshëm. Në Prishtinë është organizuar Dita e Biznesit Holandez (Dutch Business Day), ku janë bashkuar përfaqësues të bizneseve nga të dyja vendet për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik.

Për këtë aktivitet ka njoftuar ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari, e cila ka bërë të ditur se ky është takimi i dytë i këtij lloji brenda vitit, pas organizimit të Ditës së Biznesit Kosovar në Hagë, në muajin prill.

Në këtë takim, përveç ministres Kusari, ishte e pranishme edhe ambasadorja e Holandës në Kosovë, Astrid de Vries, si dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit nga të dyja vendet.

Nën moderimin e Artan Djemajlit nga Business Match Kosovo dhe Emrush Ujkanit nga Këshilli i Investitorëve Evropianë, diskutimet u zhvilluan edhe përmes një paneli ku morën pjesë Visar Perani nga IFC/Grupi i Bankës Botërore, Mentor Pllana nga Pllana Ventures dhe Gresa Rexhepi nga PwC Kosovo.

Gjatë këtij takimi u diskutuan mundësitë dhe përparësitë e të bërit biznes në Kosovë, si dhe potenciali për zgjerimin e investimeve holandeze në vend.

Ministrja Kusari ka theksuar se Kosova dhe Holanda kanë ndërtuar ndër vite marrëdhënie të mira, ndërsa ka vlerësuar mbështetjen e Holandës për çlirimin, shtetësinë dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.

“Historikisht, Kosova dhe Holanda kanë ndërtuar marrëdhënie shumë të mira. Holanda është ndër vendet që kanë mbështetur çlirimin, shtetësinë dhe ndërtimin e shtetit tonë. Sot, këtë partneritet synojmë ta fuqizojmë edhe më tej përmes bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve”, ka deklaruar Kusari.

Duke prezantuar të dhënat për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve, ministrja ka bërë të ditur se aktualisht në Kosovë janë të regjistruara 210 biznese me pronësi tërësisht ose pjesërisht holandeze.

Ndërkohë, eksportet e Kosovës drejt Holandës janë rritur për 13 për qind, duke arritur vlerën prej 24.7 milionë eurosh vetëm gjatë nëntëmujorit të parë të këtij viti.

Sipas Kusarit, sektorët e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), shërbimet profesionale, industria e ndërtimit dhe industritë e tjera të lehta paraqesin fusha me potencial të madh për rritjen e bashkëpunimit dhe investimeve.

Në fund, ministrja ka theksuar rëndësinë e ndërtimit të urave të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Holandës, me synim rritjen e investimeve dhe zhvillimin e përbashkët ekonomik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat