Nga 1 janari 2027, Italia njeh edhe modelin e ri të patentë-shoferëve të Kosovës

Aktuale

Nga 1 janari 2027, Italia njeh edhe modelin e ri të patentë-shoferëve të Kosovës

Nga: Bota sot Më: 27 nëntor 2026 Në ora: 14:40
Fotoilustrim

Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë dhe Konsullata e Përgjithshme në Milano kanë njoftuar se Kosova dhe Italia kanë përmbyllur procedurat për përditësimin e marrëveshjes për njohjen reciproke dhe konvertimin e patentë-shoferëve.

Sipas njoftimit të ambasadës, përditësimi i marrëveshjes parasheh përfshirjen edhe të modelit të ri të patentë-shoferit të Republikës së Kosovës, i cili është në përdorim që nga viti 2024.

Ndryshimet e dakorduara do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027, duke lehtësuar procedurat për konvertimin e patentë-shoferëve për qytetarët e Kosovës që jetojnë dhe punojnë në Itali.

Ambasada e Kosovës në Romë dhe Konsullata e Përgjithshme në Milano e kanë cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Italisë, si dhe në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët e diasporës.

Ky përditësim pritet të lehtësojë procedurat administrative për bashkatdhetarët në Itali, duke përfshirë edhe mbajtësit e patentë-shoferëve të modelit të ri nga Kosova.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat