Pa shtet administrativ nuk ka demokraci: çka po harrohet në debatin kushtetues?

Analizë

Pa shtet administrativ nuk ka demokraci: çka po harrohet në debatin kushtetues?

Nga: Mirsad Voca Më: 1 korrik 2025 Në ora: 09:47
Mirsad Voca

Nëse nuk kultivojmë shtetin administrativ, nuk mund të kemi një shtet demokratik funksional. Në një shoqëri demokratike të pjekur, përfaqësuesit politikë nuk bllokojnë vendimmarrjen por marrin përgjegjësi. Në një shtet që aspiron drejt stabilitetit dhe besimit qytetar, nuk mjafton të bësh thirrje për rend kushtetues mirëpo duhet edhe ta ndërtosh atë çdo ditë, në mënyrën se si sillesh, vepron dhe respekton institucionin ku je ulur.

Si studiues i administratës publike, me formim në École nationale d’administration (ENA) në Francë e që sot vazhdon si INSP (Institut national du service public) kam mësuar se funksionaliteti i shtetit nuk qëndron vetëm në ligjshmëri, por në respektimin e përditshëm të procedurës si mekanizëm i stabilitetit institucional. Në këtë kuptim, çdo sabotim procedurial nga përfaqësues të zgjedhur, pavarësisht justifikimeve politike, është një goditje ndaj vetë themeleve të shtetit.

Sjellja e opozitës në Kosovë, përball një procesi të rregullt dhe me përpjekje kompromisi nga ana e mazhorancës, përbën jo vetëm nje problem ligjor dhe institucional, por edhe një precedent të rrezikshëm politik e kulturor. Kur përfaqësuesit më te lartë të një vendi tregojnë se procedurat mund të injorohen për qëllime politike, atëherë dëmtohet edhe morali shoqëror dhe autoriteti i shtetit. Në Francë, është Conseil d’État që kontrollon ligjshmërinë e veprimeve të administratës publike. Në Gjermani, janë gjykatat administrative që mbikëqyrin përputhshmërinë e akteve me rendin institucional. Në Kosovë, një gjykatë e tillë nuk ekziston. Për pasojë, sjelljet që cenojnë shtetin administrativ e procedural nuk ndëshkohen, as nuk korrigjohen por mbeten ashtu çështje të pazgjidhura politike.

Kodi Penal i Kosovës nuk ka dispozita të qarta për ndëshkimin e bojkotit institucional të kësaj natyre, sepse i trajton si çështje politike. Edhe Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative ofron më shume mjete për qytetarët kundrejt institucioneve sesa për një Kuvend që bllokon vetveten. Megjithatë, aty ku mungon ndëshkimi ligjor, përgjegjësia politike duhet të jetë dyfish më e fortë.

Narrativa e njëanshme dhe diskreditimi sistematik

Është shqetësuese ndërtimi i një narrative publike që fajëson vetëm Vetëvendosjen, duke injoruar realitetin procedural. Partia fituese e zgjedhjeve ka ofruar kompromis përmes votimit të fshehtë dhe marrëveshjes në paketë, por zëri dominues në shumë media dhe organizata të afërta me opozitën e paraqet këtë si “shkelje të rendit kushtetues”. Në fakt, kemi të bëjmë me një framing manipulues, ku respektimi i rregullores paraqitet si uzurpim, dhe bllokimi paraqitet si „mbrojtje e rendit“.

Nëse e analizojmë me qetësi, është e qartë se në krahasim me qeveritë e kaluara, sot ekziston më shumë liri e shprehjes publike. Gazetarët dhe opinionistët guxojnë të artikulojnë kritika më të forta ndaj qeverisë, por kjo lirshmëri ka hapur rrugë për diskurse të njëanshme, shpesh të ndërtuara mbi një diskurs të përmbysur legjitimiteti ku një qeveri e dalë fituese në zgjedhje paraqitet si cenues i demokracisë, ndërsa ata që e bllokojnë funksionimin institucional glorifikohen si shpëtimtarë të kushtetutshmërisë.

Nuk shihet në mënyrë të barabartë përgjegjësia e aktorëve politikë në krizën aktuale. Kritika për degradimin institucional adresohet vetëm ndaj qeverisë aktuale ne detyrë ndërsa opozita amnistohet nga analiza e rolit që luan në bllokimin e institucioneve. Kjo krijon një asimetri normative, ku fituesit e zgjedhjeve ngarkohen me barrën e plotë të funksionimit institucional, ndërsa opozita lirohet nga çdo përgjegjësi.

Ky fenomen përshkruhet si politikë e diskreditimit sistematik, një strategji që synon të delegjitimojë çdo veprim institucional të qeverisë në detyrë, dhe fatkeqesisht kjo po bëhet përmes ndërtimit të narrativave të qëllimshme, që më shumë i shërbejnë interesave afatshkurtra sesa të ardhmes demokratike të vendit.

Në këtë kontekst është e qartë se kemi të bëjmë me një inversion narrativ, ku një parti që ka dalë fituese në zgjedhje dhe kërkon respektim të procedurave, paraqitet në publik si kërcënim për rendin kushtetues. Kjo përmbysje e logjikës demokratike nuk ndihmon shtetndërtimin por përkundrazi, e gërryen ate në rrënjë. Në këtë drejtim, një reforme ligjore e se drejtës administrative dhe e etikës parlamentare ne Kosovë mund të konsiderohet urgjente për të parandaluar precendentë të rrezikshëm në të ardhmen.

Përgjegjësi politike dhe thirrje për dialog

Partitë politike duhet të marrin përgjegjësinë që u takon, jo vetëm për të përfaqësuar votuesit, por për të garantuar funksionimin e institucioneve. Të bojkotosh vendimmarrjen përmes bllokimit të procedurave është një formë sabotimi demokratik. Një precedent i tillë, nëse normalizohet, kërcënon stabilitetin politik dhe qeverisës të Kosovës. Një shtet pa aktorë përgjegjës paralizohet, humb legjitimitet dhe rrëshqet drejt një vakumi institucional.

Kjo krizë politike kërkon dialog të sinqertë dhe bashkëpunim institucional. Mediat dhe organizatat duhet të përmbajnë përgjegjësi për një informim të drejtë dhe të balancuar, duke shmangur diskursin njëanshëm që dëmton shtetin dhe demokracinë.

Si studiues edhe i administratës publike, i pavarur politikisht, por me një interes të madh shoqëror dhe shtetëror për një Kosovë funksionale dhe demokratike me vlera të larta, shoh me shqetësim këto zhvillime. Nuk mjafton të kërkojmë rend kushtetues por duhet ta ndërtojmë atë çdo ditë me përgjegjësi, respekt dhe dialog

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat