​Deputeti iranian i quan prostituta protestueset që hoqën shamitë

Azia

​Deputeti iranian i quan prostituta protestueset që hoqën shamitë

Më: 27 shtator 2022 Në ora: 21:44
Foto ilustrim

Një ligjvënës iranian denoncoi sot protestuesit femra që hoqën shamitë e detyrueshme si prostituta, duke ashpërsuar qëndrimin e qeverisë gjatë demonstratave dramatike pas vdekjes së një gruaje 22-vjeçare e cila u ndalua nga policia e moralit të shtetit.

Ky dënim i Mahmoud Nabavian, një ligjvënës nga Teherani, ishte në kontrast të thellë me thirrjen e Ajatollahut Hossein Nouri Hamadani, i cili të dielën i bëri thirrje qeverisë të dëgjojë kërkesat e popullit.

Fati i Mahsa Amini, një gruaje kurde iraniane, e cila vdiq në paraburgim pasi u ndalua nga policia për shkak se shamia e saj ishte shumë e lirshme, ka shkaktuar trazira në mbarë Iranin.

Protestat u përhapën në të paktën 46 qytete, duke përfshirë kryeqytetin Teheran, qytete dhe fshatra, dhe në to shpërthyen përleshjet në rrugë me forcat e sigurisë.

Protestat e solidaritetit u mbajtën edhe në Evropë, SHBA dhe në disa pjesë të Lindjes së Mesme. Në një qytet me shumicë kurde në Siri, mijëra gra dolën në rrugë dje.

Në të gjithë Iranin, gra të zakonshme dhe personazhe publike hoqën shamitë e tyre në shenjë proteste ose prenë flokët në publik për të solidarizuar me protestuesit.

Televizioni shtetëror iranian sugjeroi se të paktën 41 persona ishin vrarë që nga fillimi i demonstratave më 17 shtator. Sipas deklaratave zyrtare të autoriteteve, më shumë se 1500 demonstrues u arrestuan.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha sot se qeveria iraniane i mori jetën Mahsa-s "për shkak të një vendimi që ajo duhet të merrte për atë që ajo vesh ose nuk vesh".

“Gratë në Iran kanë të drejtë të veshin atë që duan. Ata kanë të drejtë të mbrohen nga dhuna”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat