LIVE: Vazhdojnë sulmet, Rubio pret që lufta të përfundojë 'brenda javësh, jo muajsh'

Azia

LIVE: Vazhdojnë sulmet, Rubio pret që lufta të përfundojë 'brenda javësh, jo muajsh'

Nga: Bota sot Më: 28 shkurt 2026 Në ora: 10:24 Përditësuar në ora: 10:31 më 28.03.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

CNN: Shtatë ishujt që “mbajnë çelësat” e Ngushticës së Hormuzit dhe plani që mund të vendosë Kontrollin e Gjirit

Vendosja e mijëra trupave amerikane në Lindjen e Mesme po nxit spekulimet rreth një operacioni të mundshëm ushtarak amerikan kundër Iranit, me një nga pyetjet kryesore që shtrohen është se cili do të ishte objektivi i një veprimi të tillë.

Një skenar që po merret në konsideratë është pushtimi i Ishullit Kharg, një qendër kyçe energjie në Gjirin Persik verior, përmes të cilit kalojnë rreth 90% e eksporteve të naftës së Teheranit. Megjithatë, analistët thonë se ishuj të tjerë mund të jenë edhe më të rëndësishëm, pasi ato ndikojnë drejtpërdrejt në transportin detar në Ngushticën e Hormuzit.

Shtatë ishuj formojnë atë që studiuesit e quajnë “harku mbrojtës” i Iranit, shpjegon CNN.

Sipas një studimi të vitit 2022, rregullimi i tyre gjeografik i lejon Teheranit të kontrollojë trafikun detar në ngushticë, pasi anijet e mëdha dhe tankerët detyrohen të lundrojnë afër tyre për shkak të ujërave të cekëta. Abu Musa, Tunbi i Madh dhe i Vogël konsiderohen veçanërisht kritikë, pasi ato mund të jenë pika sulmi nga motoskafet e Gardës Revolucionare, vendosja e minave ose përdorimi i dronëve.

Zyrtarët iranianë i kanë përshkruar këto ishuj si “transportues avionësh të pafundosshëm ”, duke nënvizuar vlerën e tyre strategjike. Trupat e Gardës Revolucionare Islamike tashmë e kanë forcuar praninë e tyre në këto ishuj, me komandantin e tyre që deklaron se Irani ka aftësinë të godasë bazat , anijet dhe objektivat e armikut në rajon.

Sipas analistëve, që SHBA- të të jenë në gjendje të sigurojnë kalimin e forcave detare në Gjirin Persik – veçanërisht në rast të një operacioni zbarkimi në Kharg – së pari do të duhet të neutralizojnë pozicionet iraniane në këto ishuj.

Forca prej rreth 5,000 ushtarësh janë vënë tashmë në gatishmëri, duke përfshirë njësi detare dhe rreth 1,000 ushtarë nga Divizioni i 82-të Ajror. Vlerësohet se dy njësi zbarkimi mund të përdoren për të arritur “fuqi dërrmuese”. Transferimi i trupave mund të bëhet ose nga deti ose nga ajri. Mjetet zbarkuese përfshijnë anije speciale që mund të afrohen në brigje, por hyrja e tyre në Gjirin Persik paraqet rreziqe, pasi ato duhet të kalojnë nëpër zona të kontrolluara nga forcat iraniane, siç janë ishujt Hormuz, Larak, Qeshm dhe Khengham, si dhe vijën bregdetare kontinentale të Iranit .

Analistët theksojnë se Ishulli Larak, në hyrje të Ngushticës, është një objektiv veçanërisht kritik, pasi që nga atje Irani mund të godasë anijet që përpiqen të hyjnë në Gjirin Persik.

Nga ana tjetër, SHBA-të mund të përpiqen të bëjnë një sulm ajror, por kjo do të thotë më pak pajisje në tokë, ndërsa asetet ajrore janë të ndjeshme ndaj sistemeve antiajrore.

Sipas vlerësimeve, një operacion për kapjen e ishullit mund të zgjasë nga dy ditë deri në dy javë. Nëse do të ketë sukses, kjo do t’i lejonte SHBA-së të instalonte radarë dhe forca ushtarake, duke kontrolluar aktivitetin në Ngushticë dhe duke e privuar Iranin nga bazat kritike të operacioneve.

Megjithatë, ruajtja e kontrollit të këtyre ishujve do të kërkonte një forcë të përhershme pushtimi prej rreth 1,800 deri në 2,000 trupash, të cilët do të ishin të ekspozuar ndaj sulmeve me raketa, dronë dhe artileri nga toka iraniane.

Në të njëjtën kohë, forcat amerikane dhe izraelite kanë nisur tashmë sulme ndaj instalimeve ushtarake iraniane, duke përfshirë infrastrukturën në ishuj si Abu Musa dhe Tunb, duke përgatitur potencialisht terrenin për operacione të ardhshme.

Opsionet ushtarake shoqërohen gjithashtu me sfida politike. Ishujt Abu Musa dhe Tunb kanë qenë objekt mosmarrëveshjeje midis Iranit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe që nga viti 1971, kur Irani mori kontrollin e tyre. Emiratet i janë drejtuar Kombeve të Bashkuara dhe nuk e përjashtojnë mundësinë e ankimit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Në këtë kontekst, një pushtim i mundshëm amerikan i ishujve krijon dilema: nëse i kthehen Iranit, kjo mund të shkaktojë tension me Emiratet; nëse i jepen një pale tjetër, kjo mund të minojë stabilitetin e një qeverie të ardhshme iraniane.

Në të njëjtën kohë, Donald Trump njoftoi se po e zgjaste afatin për sulme të mundshme ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit me 10 ditë , deri më 6 prill, në mënyrë që t’i jepej kohë negociatave. Sekretari i Shtetit i SHBA-së raportoi se ishte bërë përparim, por Sekretari i Mbrojtjes e bëri të qartë se operacionet ushtarake po vazhdonin.

Zhvillimet në Gjirin Persik tregojnë se kontrolli i pikave gjeografike kritike, siç janë ishujt në Ngushticën e Hormuzit, mund të jetë vendimtar, ndërsa çdo opsion ushtarak vjen me kosto, rreziqe dhe pasoja gjeopolitike të konsiderueshme.

Rreth një muaj luftë në Iran/ HRANA: Mbi 1.400 civilë të vrarë në Lindjen e Mesme, mes tyre edhe qindra fëmijë

Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut ka raportuar se të paktën 1,464 civilë, përfshirë 217 fëmijë, janë vrarë në Iran gjatë muajit të parë të konfliktit, i cili nisi më 28 shkurt.

Sipas të dhënave të publikuara, Forcat Mbrojtëse Izraelite kanë hedhur mbi 12,000 bomba në territorin iranian, ndërsa rreth 3,600 prej tyre janë përdorur vetëm në Teheran. Nga ana tjetër, Komanda Qendrore Amerikane ka deklaruar se ka goditur më shumë se 9,000 objektiva në të gjithë vendin.

Objektivat e sulmeve, sipas raportimeve, përfshijnë stacione policie, ndërtesa të milicisë Basij, seli të forcave të sigurisë, universitete ushtarake, si dhe depo dhe pika të dyshuara municionesh. Megjithatë, shumë prej këtyre objektivave ndodhen brenda zonave të banuara, duke rritur rrezikun për popullsinë civile.

Banorë të intervistuar nga BBC kanë shprehur shqetësim se goditjet në lagje të populluara po rrisin pakënaqësinë, madje edhe mes atyre që më parë kanë qenë kritikë ndaj qeverisë iraniane.

IDF ka konfirmuar sulmet, por nuk ka dhënë komente të mëtejshme lidhur me incidentet, ndërsa Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së nuk ka reaguar ndaj pyetjeve të mediave.

Nga ana tjetër, Irani është akuzuar për goditje ndaj infrastrukturës civile në vendet fqinje, përfshirë aeroporte dhe hotele në vendet e Gjirit, të cilat konsiderohen aleate të Uashingtonit.

Aleatët arabë të SHBA-së përballen me dilemë për luftën në Iran

Të gjendur në mes të luftës së Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin, aleatët e Amerikës në Gjirin Persik po përballen me një zgjedhje të vështirë: të mbajnë pozicionin e tyre mbrojtës apo t’i bashkohen luftës kundër Republikës Islamike.

Irani ka gjuajtur mijëra dronë dhe raketa ndaj ushtrisë amerikane dhe ndërtesave diplomatike dhe dëmtuar infrastrukturën kyç të energjisë në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar, Bahrejn dhe Kuvajt që kur nisi lufta më 28 shkurt. Duke ngufatur Ngushticën e Hormuzit, një arterie kryesore për furnizimet botërore me naftë dhe gaz, Teherani po ashtu ka dëmtuar fqinjët e tij sa u përket eksporteve të tyre kyç.

Duke u përballur me atë që e cilësojnë si kërcënim ekzistencial, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – ekonomitë dhe fuqitë ushtarake më të mëdha të Gjirit – po e shqyrtojnë ndryshimin drejt pozicionit më sulmues, sipas raportimeve të mediave, një lëvizje që ekspertët thanë se mund t’i ekspozojë ato ndaj një hakmarrjeje edhe më të ashpër iraniane.

Ekspertët thanë se Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë pak të ngjarë që t’i bashkohen drejtpërdrejt luftës, por mund të zgjerojnë mbështetjen e tyre logjistike për SHBA-në dhe t’i bëjnë presion ekonomik Iranit.

“Në praktikë, ‘bashkimi në luftë’ do të nënkuptonte më shumë mundësi për forcat amerikane për të përdorur bazat dhe hapësirën ajrore, zbatim më të rreptë ndaj rrjeteve tregtare dhe financiare iraniane në Gjirin Persik, dhe veprime mbrojtëse ushtarake të kufizuara – jo një fushatë të hapur bombardimesh mbi Iranin”, tha Christopher Davidson, studiues i politikës së Lindjes së Mesme dhe bashkëpunëtor në Universitetin Durham në Mbretërinë e Bashkuar.

‘Të shantazhuar’ nga Irani

Kjo duket se tashmë po ndodh. Riadi së voni pranoi që forcat amerikane të përdorin bazën ajrore Mbreti Fahd, që gjendet pranë Detit të Kuq në jugperëndim të mbretërisë, raportoi më 23 mars The Wall Street Journal.

Kjo do të shënonte një ndryshim të rëndësishëm. Arabia Saudite, sikurse fqinjët e saj arabë, kishte premtuar se hapësira ajrore dhe objektet ushtarake të saj nuk do të përdoren për të sulmuar Iranin.

Irani ka akuzuar shtetet e Gjirit, shumë prej të cilave kanë baza ushtarake amerikane, për ndihmë në përpjekjet ushtarake të Amerikës. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, tha më 25 mars se ka “dëshmi që tregojnë se amerikanëve u janë ofruar shërbime nga vendet rajonale”.

Riadi urdhëroi dëbimin e atasheut ushtarak iranian dhe katër punonjësve të Ambasadës më 21 mars, duke u thirrur në ato që i quajti sulme të vazhdueshme mbi territorin saudit.

Disa ditë më parë, ministri i Jashtëm saudit, Faisal bin Farhan, u tha gazetarëve se “durimi i shtetit ndaj sulmeve të Iranit nuk është i pakufishëm”. Ai shtoi se: “Çdo besim që vendet e Gjirit nuk janë në gjendjen të përgjigjen është një llogaritje e gabuar”.

Në tre javët e fundit, dronët dhe raketat iraniane kanë goditur rafineritë kryesore të naftës në Arabinë Saudite, eksportuesen më të madhe në botë të naftës. Irani ka sulmuar po ashtu edhe Ambasadën amerikane në Riad.

Ndërkaq, në javët e fundit Emiratet e Bashkuara Arabe kanë shënjestruar institucionet e lidhura me Iranin, duke mbyllur një spital, një klub shoqëror dhe disa shkolla.

Javën e kaluar, Emiratet mbyllën Spitalin Iranian, një institucion shëndetësor i lidhur me shteti, që gjendej në Dubai. Me rreth 700 punonjës dhe i menaxhuar nga Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Iranit, spitali ishte një nga institucionet shëndetësore më të vjetra në vend.

Në kritikën më të ashpër që ka ardhur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ministri i Jashtëm, sheik Abdullah bin Zayed Al Nahyan shkroi në X më 22 mars se shteti “nuk do të shantazhohet nga terroristët”, që duhet se ishte referencë për Iranin.

Komentet e tij erdhën si përgjigje ndaj ish‑ambasadorit francez në SHBA, Gerard Araud, i cili kritikoi deklaratat e bëra nga këshilltari presidencial të Emirateve, Anwar Gargash, i cili tha se fokusi i Abu Dabit nuk duhet të jetë arritja e një armëpushimi me Teheranin, por kufizimi i “kërcënimit bërthamor, raketor, dronëve dhe kërcënimit të rrugëve detare” nga Irani.

Dronët dhe raketat iraniane kanë shkaktuar gjithashtu shkatërrime në Katar, Bahrejn dhe Kuvajt, duke dëmtuar objekte nafte dhe gazi dhe duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po ashtu kanë goditur infrastrukturën civile të Iranit, përfshirë depot e naftës dhe një fabrikë për desalinizimin e ujit.

“Shumë të cenueshëm” ndaj kundërsulmeve

Pavarësisht retorikës përshkallëzuese, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë pak gjasa të rrezikojnë të hyjnë në një përballje të drejtpërdrejtë ushtarake me Iranin, thanë ekspertët.

“Të dy vendet kanë infrastrukturë shumë të cenueshme ndaj sulmeve iraniane – centrale energjetike, impiante për desalinizimin e ujit dhe ndërtesa të larta banimi”, tha Simon Henderson, drejtor i programit për Gjirin Persik dhe Politikën e Energjisë në Institutin e Uashingtonit për Politikën e Lindjes së Afërt.

“Të dyja po ashtu kanë komunitete minoritare myslimane shiite me prirje proiraniane”, shtoi ai.

“Përfshirja më e madhe në luftë vetëm sa do ta përkeqësonte situatën e tyre”.

Nëse Republika Islamike i mbijeton luftës me SHBA-në dhe Izraelin, shtetet e Gjirit Persik do të përballen me një Iran edhe më radikal, thanë ekspertët. Por, nëse regjimi kolapson, kjo mund të shkaktojë kaos dhe ai të përhapet në rajon.

Skenari më i mirë për shtetet e Gjirit nuk është ndryshimi i regjimit, por “një mbështetje kryesisht indirekte dhe e kalibruar me kujdes për SHBA-në, e cila rivendos parandalimin ndaj Iranit, thellon lidhjet e sigurisë me Uashingtonin dhe kufizon ndikimin iranian pa shkaktuar përshkallëzim të madh mbi naftën e Gjirit”, tha Davidson nga Universiteti Durham.

“Rezultati më i keq është përfshirja më e thellë, sidomos ofensive, nga Arabia Saudite apo nga Emiratet ndihmon në nxitjen e një cikli të sulmeve iraniane dhe të bashkëpunëtorëve të tij që dëmtojnë objektet e energjisë, pengojnë kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit, largojnë investimet dhe i tërheqin ata në një luftë të gjatë dhe të kushtueshme rajonale”, shtoi ai.

Imazhet tregojnë tym dhe zjarr në impiantin bërthamor të ujit të rëndë në Iran

Nga: H.O.

Fotot e publikuara së fundmi tregojnë momentin e një sulmi izraelit që synonte kompleksin bërthamor të ujit të rëndë Khondab të Iranit pranë qytetit të Arak.

Imazhet, të vërtetuara nga BBC Verify, tregojnë një top zjarri dhe tymi që ngrihet pranë reaktorit brenda objektit.

Ndërsa është e vështirë të përcaktohet saktësisht objektivi i sulmit, duket se ndërtesat u goditën pranë reaktorit, i cili shihet në imazhin më sipër si një strukturë me kupolë të bardhë.

Izraeli kishte lëshuar një urdhër evakuimi për të gjithë objektin më parë.

Irani thotë se sulmet bien ndesh me 'afatin e zgjatur për diplomaci' të Trump

Nga: H.O.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Seyed Abbas Araghchi, thotë se Izraeli "ka goditur 2 nga fabrikat më të mëdha të çelikut në Iran, një termocentral dhe centrale bërthamore civile, ndër të tjera, infrastrukturë".

Në një mesazh të ndarë në X, ai thotë se "Izraeli pretendon se ka vepruar në koordinim me SHBA-në" dhe sulmi "bie ndesh me afatin e zgjatur të POTUS për diplomaci".

Irani do të "kërkojë një çmim të RËNDË", shton ai.

Kjo vjen më pak se 24 orë pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se do të ndalonte çdo sulm ndaj infrastrukturës energjetike iraniane për 10 ditë të tjera.

Kjo vjen ndërsa ushtria izraelite thotë se ka goditur uzinën e ujit të rëndë në Arak në Iranin qendror.

Gjermania thotë se Rusia po ndihmon Iranin të identifikojë objektivat e sulmit

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka akuzuar Rusinë se po ndihmon Iranin në identifikimin e objektivave të mundshme për sulme, në kuadër të tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme.

Wadephul deklaroi se presidenti rus Vladimir Putin po përpiqet të përdorë përshkallëzimin e konfliktit në rajon si një shpërqendrim nga lufta në Ukraina, transmeton KosovaPress.

“Putini shpreson me cinizëm se përshkallëzimi në Lindjen e Mesme do të na largojë vëmendjen nga krimet e tij në Ukrainë. Ky llogaritje nuk duhet të ketë sukses,” u shpreh ai gjatë një takimi të G7 në Francë.

Kryediplomati gjerman bëri të ditur se ka zhvilluar bisedime me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, lidhur me gatishmërinë e Gjermanisë për të luajtur një rol në Ngushtica e Hormuzit pas përfundimit të armiqësive.

Ministri i Jashtëm gjerman: Po bëhen përgatitje për bisedime të drejtpërdrejta mes SHBA dhe Iran në Pakistan

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka deklaruar se janë duke u bërë përgatitje për bisedime të drejtpërdrejta mes SHBA dhe Iran, raporton Reuters.

Sipas raportimeve Wadephul u shpreh se deri më tani ka pasur “kontakte indirekte” mes dy vendeve.

Ai shtoi se janë bërë përgatitjet për një takim të drejtpërdrejtë.

Sipas tij, takimi pritet të zhvillohet “shumë shpejt” në Pakistan.

Sulme masive izraelite në Teheran gjatë natës, autoritetet: Kemi goditur sistemet e mbrojtjes ajrore dhe baza raketash

Izraeli ka deklaruar se ka kryer sulme ajrore gjatë natës ndaj objektivave ushtarake në të gjithë Iranin, duke shënjestruar sisteme të mbrojtjes ajrore dhe baza raketash.

Sipas ushtrisë izraelite, sulmet përfshinë goditje ndaj raketave dhe infrastrukturës së lidhur me to në disa zona të vendit.

Në Teheran, objektivat përfshinin vende që dyshohet se përdoren për prodhimin e armëve, kryesisht raketa balistike.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit njoftojnë se në pjesën perëndimore të Iranit, forcat ajrore izraelite goditën hedhës raketash dhe depo magazinimi.

Trump zgjat me 10 ditë pezullimin e sulmeve ndaj centraleve energjetike iraniane: Ma kërkoi qeveria e Iranit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar zgjatjen me 10 ditë të pezullimit të sulmeve ndaj centraleve energjetike iraniane.

Njoftimi u bë përmes një postimi në Truth Social, ku Trump theksoi se vendimi vjen pas një kërkese nga qeveria iraniane.

Ai shtoi gjithashtu se bisedimet mes Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë ende në zhvillim dhe, sipas tij, po ecin mirë.

“Sipas kërkesës së qeverisë iraniane, kjo deklaratë shërben për të njoftuar se po zgjas periudhën e pezullimit të goditjeve ndaj termocentraleve me 10 ditë, deri të hënën, më 6 prill 2026, në orën 20:00, sipas orës Lindore. Bisedimet janë duke vazhduar dhe, pavarësisht deklaratave të gabuara nga mediat e lajmeve të rreme dhe të tjerë, ato po shkojnë shumë mirë. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje”, shkruan Trump.

Mes negociatave dhe pushtimit tokësor - Trump shqyrton dërgimin e 10 mijë ushtarëve shtesë në Lindjen e Mesme

The Wall Street Journal raporton se presidenti amerikan, Donald Trump po shqyrton mundësinë e dërgimit të edhe 10 mijë trupave tokësore shtesë në Lindjen e Mesme.

Shtohet se vendosja e mundshme e trupave do t’i japë Trumpit “më shumë opsione ushtarake edhe teksa ai po shqyrton negociata paqeje me Teheranin”.

Forcat ka të ngjarë të përfshijnë këmbësori dhe mjete të blinduara, si dhe do t’u bashkoheshin rreth 5000 marinsave amerikanë që tashmë janë të dislokuar në rajon, raporton reuters.

Nuk është e qartë se ku saktësisht do të vendoseshin këto trupa. Nëse lideri amerikan vendos ta ndërmarrë këtë hap, do të ishte një tjetër sinjal se po përgatitet një operacion tokësor amerikan në Iran.

Rritja masive e numrit të trupave tokësore po shqyrtohet në një kohë kur 79-vjeçari thotë se SHBA-të janë duke negociuar me Iranin për një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.

Zyrtarët iranianë ende nuk janë pajtuar të mbajnë një takim të nivelit të lartë me SHBA-në dhe dyshojnë se presioni diplomatik amerikan është një tjetër manovër. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat