LIVE: Vazhdojnë sulmet, Rubio pret që lufta të përfundojë 'brenda javësh, jo muajsh'

Azia

LIVE: Vazhdojnë sulmet, Rubio pret që lufta të përfundojë 'brenda javësh, jo muajsh'

Nga: Bota sot Më: 28 shkurt 2026 Në ora: 10:24 Përditësuar në ora: 08:14 më 27.03.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

Lufta me Iranin: Kina përmirëson imazhin në Azinë Juglindore

Kërkohet menaxhim i menduar i krizave: pas sulmit të parë të SHBA-së dhe Izraelit, si dhe vrasjes së figurave kryesore të lidershipit,  Irani ka mbyllur rrugën  më të rëndësishme ndërkombëtare tregtare për naftën dhe gazin, Ngushticën e Hormuzit. Qeveritë e Azisë Juglindore tani po i përgatisin buxhetet, linjat ajrore dhe industritë e tyre për t'u përballur me një krizë gjithnjë e më të rëndë të karburantit. Pekini synon të përfitojë nga shqetësimet e rajonit dhe të tregojë se Kina, jo SHBA, është partneri më i mirë për të ardhmen.

"Kina është e gatshme të forcojë koordinimin dhe bashkëpunimin me vendet e Azisë Juglindore për të adresuar së bashku çështjet e sigurisë energjetike", tha këtë javë zëdhënësi i qeverisë kineze Lin Jian.

Sipas të dhënave iraniane, anije kontejnerësh që lundrojnë nën flamujt e vendeve që nuk janë të përfshira në konflikt mund ta kalojnë lehtësisht këtë pengesë, siç është rasti, për shembull, me anijet kineze të mallrave. "Kina po vepron me përgjegjësi dhe si një aktor stabilizues. Pekini po bën thirrje për ulje të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe premton të bashkëpunojë me vendet e Azisë Juglindore për të kapërcyer mungesën e energjisë", tha Li Mingjiang, një profesor në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare S. Rajaratnam në Singapor, në një intervistë me DW.

Azia Juglindore në gjendje krize

Në të gjithë Azinë Juglindore, qeveritë kanë reaguar ndaj krizës me masa të shumta emergjente, të tilla si masat e kursimit të karburantit dhe subvencionet. Në të njëjtën kohë, ato po kërkojnë me dëshpërim burime alternative furnizimi. Disa tashmë i kanë korrigjuar duke i ulur parashikimet e tyre të rritjes për këtë vit.

Pothuajse të gjitha vendet e Azisë Juglindore janë jashtëzakonisht të cenueshme. Shumica janë importuese neto të naftës nga Lindja e Mesme. Malajzia dhe Brunei janë përjashtime dhe kanë prodhimin e tyre të naftës dhe gazit. Megjithatë, edhe ato janë të ekspozuara ndaj inflacionit të përhapur që aktualisht përfshin rajonin. Sipas raporteve të medias, shumë po drejtohen te furnizuesit rusë për të siguruar furnizimet e tyre me naftë.

Filipinet shpallën një emergjencë kombëtare energjitike të martën (24 mars 2026), e cila do të zgjasë për një vit. Manila paralajmëroi për një "rrezik të afërt" për furnizimin me energji të vendit. Në të gjithë vendin, sektori publik tani po punon katër ditë në javë për të ulur konsumin e energjisë. Kompanitë e logjistikës po marrin subvencione të menjëhershme qeveritare për shkak të çmimeve të larta të benzinës. Për shkak të mungesës së benzolit të avionëve, aeroplanët e parë pritet të lihen në tokë së shpejti.

Vietnami ka aktivizuar fondet shtetërore për të stabilizuar çmimet e karburantit dhe i ka nxitur linjat ajrore të përgatiten për rregullimet e orarit të fluturimit. Importuesit e naftës paralajmërojnë se furnizimet me karburant për avionë mund të garantohen vetëm deri në mars.

Indonezia është zotuar të kompensojë disa nga kostot shtesë përmes buxhetit të shtetit dhe rritjes së subvencioneve. Tailanda po shqyrton masa të mëtejshme ndihme, pasi rritja e çmimeve të naftës po ndikon rëndë në sektorë të tillë si peshkimi. Shumë anije së shpejti mund të detyrohen të qëndrojnë në port. Malajzia ka rritur shpenzimet për subvencione për të mbajtur të qëndrueshme çmimet në pikat e karburantit.

Kina paraqitet si superfuqi e paqes

Ashtu si qeveritë e Azisë Juglindore, Pekini gjithashtu dëshiron të parandalojë që gjithnjë e më shumë vende të përfshihen në luftën e Lindjes së Mesme. Qeveria kineze dëshiron që Ngushtica e Hormuzit të rihapet sa më shpejt të jetë e mundur, tha për DW Chin-Hao Huang, bashkëdrejtor i Qendrës për Azinë dhe Globalizimin në Shkollën e Politikave Publike Lee Kuan Yew në Singapor. Askush nuk dëshiron të mbajë anë.

"Për aq sa ka reaguar publikisht, ka bërë vetëm me thirrje për përmbajtje, për një armëpushim.""Ne duhet të angazhohemi në dialog: këto janë të gjitha pika të përbashkëta të shumicës së qeverive të Azisë Juglindore”, shtoi Huang.

Kriza paraqet një situatë të favorshme për narrativën e Pekinit se Kina është e vetmja superfuqi e përkushtuar ndaj paqes, tregtisë së lirë dhe multilateralizmit. Kina po e pozicionon veten si alternativë ndaj një superfuqie amerikane që aktualisht perceptohet si agresive dhe egoiste. Në fjalimin në Forumin Boao, samit ekonomik i mbajtur të enjten (26.03.2026) në ishullin tropikal Hainan në Kinën jugore, Zhao Leji, kryetar i Parlamentit Kinez dhe i treti në hierarkinë e partisë, pas Presidentit Xi Jinping dhe Kryeministrit Li Qiang, deklaroi: "Ne duhet të refuzojmë konfliktin dhe konfrontimin dhe t'i japim paqes një të ardhme më të mirë.”

Kryeministri i Singaporit Lawrence Wong, i cili gjithashtu mori pjesë në Forumin Boao, deklaroi se Kina mund të luajë "një rol vendimtar" në formësimin e ngjarjeve botërore dhe "një rol edhe më të madh në promovimin e prosperitetit dhe stabilitetit rajonal". Ai i kërkoi Pekinit të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri tregtinë e hapur dhe të bazuar në rregulla.

"Sulmet ushtarake të SHBA dhe Izraelit ndaj Iranit kanë shkaktuar shqetësim të madh në disa vende të Azisë Juglindore. Në realitet, Kina nuk ka nevojë të bëjë asgjë tjetër për të përkeqësuar më tej ndjenjat ndaj SHBA në rajon", tha për DW Enze Han, profesor në Universitetin e Hong Kongut. "Në mënyrë të ngjashme, rritja e çmimeve të gazit në shumë vende të rajonit po dëmtonimazhin e SHBA-së. Përsëri, Pekini nuk ka nevojë të bëjë asgjë për t'ua hedhur fajin SHBA-së."

Kina nuk jep naftë, por ka energji diellore

Megjithatë, në praktikë, Kina nuk dëshiron të ndajë asnjë pikë nafte me vendet e Azisë Juglindore. Kohët e fundit, Kina ndaloi eksportin e karburanteve të rafinuara për të garantuar furnizimin e saj të brendshëm.

Megjithatë, në plan afatgjatë, kriza mund të forcojë pozicionin e Kinës. Kriza e naftës do të përshpejtonte kalimin në energji të rinovueshme. Kjo është një fushë në të cilën kompanitë kineze janë jashtëzakonisht konkurruese ndërkombëtarisht, shpjegoi Profesor Li nga Singapori. Kina është tashmë shumë e përfshirë në tranzicionin e gjelbër të Azisë Juglindore. Kompanitë kineze janë ndër investitorët më të mëdhenj në sektorët në zhvillim e sipër të automjeteve elektrike dhe ruajtjes së energjisë në rajon. Për më tepër, Pekini është financuesi kryesor i hidrocentraleve dhe impianteve të mëdha diellore në të gjithë Azinë Juglindore.

Kryeministri i Singaporit Wong deklaroi në Forumin Boao se Federata e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) duhet të shfrytëzojë pikat e forta të Kinës në energjinë e rinovueshme për të përshpejtuar zhvillimin e rrjetit energjetik të ASEAN-iz. Lufta e Iranit është një arsye bindëse për këtë. Wong-u theksoi angazhimin e Azisë Juglindore për të diversifikuar përzierjen e saj të energjisë. Në plan afatgjatë, Kina mund të presë lidhje më të ngushta me fqinjët e saj të Azisë Juglindore. / DW

Trump paralajmëron Iranin që të bëhet serioz për bisedimet për përfundimin e luftës

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se negociatorët iranianë “duhet të bëhen seriozë shumë shpejt” lidhur me bisedimet me Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës “para se të jetë shumë vonë”, teksa afati i vendosur ndaj Teheranit për hapjen e Ngushticës kyç të Hormuzit po afrohet.

“Ata po na ‘luten’ që të arrihet një marrëveshje, gjë që duhet ta bëjnë pasi janë shkatërruar ushtarakisht, kanë zero shans të rimëkëmben, dhe prapë publikisht deklarojnë se thjeshtë po ‘e shohin propozimin tonë’”, shkroi Trump në rrjetet sociale më 26 mars.

Deklaratat e tij vijnë një ditë pasi Irani tha se po shqyrton planin e paqes prej 15 pikash të paraqitur nga SHBA-ja, që thotë se duhet të plotësohen pesë kushte në mënyrë që konflikti të përfundojë.

Detajet e planit amerikan nuk janë bërë publike, por mediat perëndimore kanë raportuar se propozimi përfshin disa nga kërkesat kyç të Uashingtonit që i ka pasur edhe para se të niste konflikti aktual përmes sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt.

“Bëjnë mirë që të bëhen seriozë shumë shpejt, para se të jetë shumë vonë, sepse nëse ndodh kjo, nuk ka më kthim prapa dhe nuk do të jetë e bukur”, shtoi Trump.

Lexo shkrimin e plotë këtu.

Kanadaja vendos sanksione shtesë kundër Iranit

Otava njoftoi sot sanksione shtesë kundër biznesmenëve dhe kompanive iraniane të lidhura me Trupat e Gardës Revolucionare Islamike, ushtrinë ideologjike të Iranit.

“Pesë individë dhe katër subjekte të synuara nga sanksionet, akuzohen për mbështetjen e milicive joshtetërore dhe grupeve terroriste të lidhura me Teheranin dhe për furnizimin e tyre me armë dhe teknologji që kontribuojnë në destabilizimin e Lindjes së Mesme”, sipas një deklarate nga Ministria kanadeze e Punëve të Jashtme.

“Kanadaja do të vendosë pasoja ndaj atyre që kontribuojnë në aktivitetet destabilizuese të Iranit”, thuhet në deklaratë, duke specifikuar se vendi tani po vendos sanksione ndaj 227 individëve dhe 260 subjekteve iraniane.

Në të kundërt, dhe me shpresën për të ndaluar rritjen e çmimeve të energjisë të shkaktuara nga lufta në Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara lehtësuan sanksionet e tyre kundër naftës iraniane të premten e kaluar.

Ndërkohë, kryeministri kanadez Mark Carney theksoi sot se vendi kishte arritur objektivin e NATO-s për të ndarë 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për shpenzimet ushtarake përpara afatit.

“Ky është niveli ynë më i lartë i shpenzimeve të mbrojtjes, në krahasim me madhësinë e ekonomisë sonë, që nga rënia e Murit të Berlinit”, deklaroi ai nga një bazë ushtarake në Halifax, në Kanadanë Lindore.

Lufta në Lindjen e Mesme, Pakistani zyrtar zbulon disa nga detajet e negociatave SHBA-Iran

Negociatat indirekte midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë duke u zhvilluar me ndërmjetësimin e Pakistanit, sipas një konfirmimi zyrtar nga Ministri i Jashtëm Ishaq Dar, ndërsa paralelisht vazhdojnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit, me Islamabadin që vepron si ndërmjetës për shkëmbimin e mesazheve midis dy palëve.

Dar, i cili mban edhe pozicionin e zëvendëskryeministrit, e përshkroi çdo spekulim në lidhje me bisedimet e paqes si “të panevojshëm”, duke sqaruar se ka komunikim dhe ai po zhvillohet përmes mesazheve të transmetuara.

“Në fakt, bisedimet indirekte SHBA-Iran po zhvillohen përmes mesazheve të transmetuara nga Pakistani”, tha ai në një postim në X.

Siç vuri në dukje ai, SHBA-të kanë përcjellë 15 pika për shqyrtim nga pala iraniane, ndërsa “vendet vëllazërore” si Turqia dhe Egjipti po ndihmojnë gjithashtu në këtë iniciativë.

Deklaratat e Darit janë konfirmimi i parë zyrtar nga Islamabadi se Pakistani po luan një rol aktiv si ndërmjetës midis dy vendeve.

Dy zyrtarë të lartë i kishin thënë më parë AFP-së se plani i SHBA-së “i ishte transmetuar Iranit nëpërmjet Pakistanit”, por u kërkua të mbeteshin anonimë pasi nuk ishin të autorizuar të bënin deklarata publike.

Pakistani shihet si një ndërmjetës i përshtatshëm për shkak të marrëdhënieve të tij të gjata me Iranin fqinj dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe kontakteve të tij me vendet në rajon.

Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif dhe Ishaq Dar janë në kontakt të rregullt me ​​zyrtarë të lartë të qeverisë iraniane, si dhe me aleatët e tyre në Gjirin Persik, veçanërisht Arabinë Saudite.

Përpjekjet diplomatike thuhet se po udhëhiqen gjithashtu nga shefi i ushtrisë së Pakistanit, Marshal Asim Munir, i cili zyrtarët thanë se foli me Presidentin e SHBA-së Donald Trump të dielën e kaluar.

“Po shkëmbehen mesazhe përmes vendeve mike”, thotë Aragchi.

Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi mohoi se po zhvilloheshin negociata zyrtare me administratën e Uashingtonit, por pranoi se mesazhet po shkëmbeheshin përmes “vendeve mike”.

“Politika jonë për momentin është të vazhdojmë rezistencën”, tha ai për televizionin shtetëror. “Ne nuk kemi ndërmend të negociojmë – deri më tani nuk ka pasur negociata”, shtoi më tej.

SHBA-të dhe Izraeli sulmojnë Universitetin në Iran

Një sulm amerikano-izraelit shënjestroi një ndërtesë në Universitetin e Teknologjisë Isfahan më 6 mars, duke shkaktuar dëme materiale, por jo viktima, raportoi Agjencia e Lajmeve të Studentëve Iranianë.

Sipas zyrës së marrëdhënieve me publikun të universitetit, sulmi goditi një ndërtesë në kampus dhe dëmtoi strukturat përreth.

Nuk u raportua për të lënduar ose viktima në incident.

Në deklaratë, universiteti dënoi grevën, duke thënë se sulmet ndaj institucioneve akademike bien ndesh me parimet humanitare dhe të drejtën ndërkombëtare, dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të marrë përgjegjësi.

I gjithë rajoni i Lindjes së Mesme ka qenë në gatishmëri që kur SHBA-të dhe Izraeli nisën një ofensivë të përbashkët kundër Iranit më 28 shkurt, duke vrarë deri më tani mbi 1,340 njerëz, përfshirë udhëheqësin e atëhershëm suprem Ali Khamenei.

Teherani është hakmarrë me sulme me dronë dhe raketa që synojnë Izraelin, së bashku me Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë, ndërsa kanë prishur tregjet dhe aviacionin global.

Zyrtarët amerikanë: Pentagoni po përgatitet për ‘sulmin përfundimtar’ ndaj Iranit

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes po shqyrton opsionet ushtarake për të kryer një “sulm përfundimtar” ndaj Iranit, i cili mund të përfshijë një operacion tokësor dhe një fushatë të gjerë bombardimi , raportoi të hënën faqja e internetit amerikane e lajmeve Axios, duke cituar zyrtarë amerikanë dhe burime të njohura me çështjen.

Një shfaqje force mund të forcojë pozicionin e Uashingtonit në negociatat e mundshme ose t’i lejojë Presidentit Donald Trump të shpallë fitoren.

Sipas këtyre burimeve, po shqyrtohen skenarë të ndryshëm, siç janë:

pushtimi ose bllokada e ishullit Kharg , terminali kryesor i naftës i Iranit;

pushtimi i ishullit të Larak;

pushtimi i ishujve strategjikë pranë Ngushticës së Hormuzit;

si dhe ndalimin e anijeve që eksportonin naftë iraniane.

Janë marrë në konsideratë edhe plane për operacione tokësore kundër objekteve bërthamore brenda Iranit , megjithëse sulmet ajrore të gjera konsiderohen më pak të rrezikshme. Ende nuk është marrë asnjë vendim dhe Shtëpia e Bardhë i ka përshkruar këto opsione si “hipotetike”, duke sugjeruar se Uashingtoni mund të përshpejtojë veprimet e tij nëse bisedimet nuk përparojnë shpejt.

Të mërkurën, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt, paralajmëroi se Presidenti Trump është gati të godasë “më fort se kurrë” nëse nuk arrihet një marrëveshje, ndërsa përforcimet ushtarake amerikane, përfshirë avionë luftarakë dhe disa mijëra trupa, janë duke shkuar drejt Lindjes së Mesme.

Ministri i Jashtëm i Pakistanit konfirmon rolin e vendit si ndërmjetës midis SHBA-së dhe Iranit

Ministri i Jashtëm i Pakistanit ka konfirmuar se vendi i ka dorëzuar Iranit një plan paqeje me 15 pika, i cili vepron si ndërmjetës midis Teheranit dhe SHBA-së.

“Bisedimet indirekte SHBA-Iran po zhvillohen nëpërmjet mesazheve që transmetohen nga Pakistani”, shkroi Ministri i Jashtëm Ishaq Dar në X.

“Në këtë kontekst, Shtetet e Bashkuara kanë ndarë 15 pika, të cilat po shqyrtohen nga Irani.”

Ai pohoi se Turqia dhe Egjipti, ndër vende të tjera, gjithashtu “po e zgjerojnë mbështetjen e tyre për këtë iniciativë”.

CNN raportoi më parë se Pakistani ka vepruar si një ndërmjetës kyç në periudhën aktuale diplomatike midis SHBA-së dhe Iranit, duke paraqitur një plan prej 15 pikash të propozuar nga Uashingtoni që adreson çështje si ambiciet bërthamore të Teheranit dhe programin e tij të raketave balistike.

Zyrtarët e administratës Trump po punojnë për të organizuar një takim në Pakistan këtë fundjavë për të diskutuar një dalje nga lufta në Iran, thanë për CNN dy zyrtarë të lartë të administratës.

Mohammad Baqer Qalibaf - njeriu me të cilin SHBA-ja mund të jetë duke komunikuar në Iran

Raportimet e kësaj jave sugjerojnë se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po e shqyrton në heshtje kryetarin konservator të Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, si partner të mundshëm për negociata - e ndoshta edhe si lider të ardhshëm të Iranit.

Uashingtoni ishte në kërkim të një kanali komunikimi për bisedime që prej vdekjes së udhëheqësit suprem, Ali Khamenei, në ditën e parë të sulmeve ajrore amerikane-izraelite kundër Iranit.

Djali i Khameneit është përmendur si pasardhës, por ai nuk është parë në publik që nga dita e vdekjes së të atit dhe raportohet se ka mbetur gjithashtu i plagosur në sulm.

Në këtë kontekst qarkullojnë edhe spekulime për Qalibafin si figurë që disa në Shtëpinë e Bardhë e shohin si partner të pranueshëm për negociata.

Vetë Qalibafi, 64 vjeç, i ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke shkruar në platformën X se “nuk ka pasur asnjë negociatë me SHBA-në”, ndërsa raportimet i ka cilësuar si “lajme të rreme”, të dizajnuara për të manipuluar tregjet financiare dhe ato të naftës.

Pavarësisht nëse ekzistojnë ose jo kontakte të fshehta, shfaqja e tij si figura më e dukshme e nivelit të lartë në një sistem që po përjeton shpërbërje strukturore në vendimmarrje, e ka bërë - për herë të parë gjatë një karriere të mbushur me mundësi të humbura - njeri me peshë reale në skenën politike.

Qalibaf është një politikan konservator dhe ish-komandant ushtarak, i cili për dekada të tëra ka ndërtuar lidhje të forta me udhëheqjen më të lartë të Iranit dhe me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

Megjithatë, pas një karriere të shoqëruar nga skandale korrupsioni dhe kandidime të pasuksesshme për presidencën, ai e gjen veten - në mënyrë paradoksale - si figura ndoshta më e fuqishme që ka mbetur në Republikën Islamike.

I lindur në vitin 1961, Qalibaf iu bashkua IRGC-së në moshën 18-vjeçare dhe u ngjit në hierarki gjatë luftës Iran-Irak të viteve 1980-1988, duke u bërë komandant njësie.

Më vonë, ai shërbeu si komandant i Forcave Ajrore të IRGC-së - para se ato të riemërtoheshin si Forca Hapësinore-Ajrore - një post që iu besua drejtpërdrejt nga udhëheqësi i atëhershëm suprem, Ali Khamenei, dhe një shprehje besimi që do ta përcaktonte trajektoren e tij politike për tri dekadat në vijim.

Brutalitet dhe korrupsion

Në vitin 1999, Mohammad Baqer Qalibaf ishte ndër komandantët e IRGC-së që nënshkruan një letër paralajmëruese drejtuar presidentit reformist, Mohammad Khatami, duke theksuar se protestat studentore të asaj kohe po kërcënonin sigurinë kombëtare dhe se mund të nxisnin ndërhyrjen e njëanshme të IRGC-së.

Në vitin 2000, Ali Khamenei e emëroi 39-vjeçarin në krye të policisë kombëtare të Iranit.

Mandati i tij si shef policie u karakterizua nga brutaliteti: një regjistrim i rrjedhur më vonë e nxori atë duke u mburrur se kishte urdhëruar përdorimin e armëve të zjarrit kundër studentëve gjatë protestave të vitit 2003, si dhe duke pranuar se kishte rrahur personalisht studentë gjatë protestave në vitin 1999.

Në vitin 2005, Qalibaf u largua nga policia dhe hyri në politikë, duke u renditur i katërti në garën presidenciale të atij viti.

Megjithatë, zgjedhja e populistit Mahmud Ahmadinejad hapi rrugën për postin e kryetarit të bashkisë së Teheranit, të cilin Qalibaf arriti ta siguronte.

Ai qëndroi në këtë post deri në vitin 2017, duke shënuar mandatin më të gjatë në historinë e Teheranit.

Gjatë udhëheqjes së tij u zgjerua rrjeti i metrosë së qytetit dhe u ndërtuan godina të mëdha shumëkatëshe, por, njëkohësisht, kishte edhe akuza për korrupsion.

Një hulumtim i vitit 2022 nga Radio Farda e REL-it zbuloi se ai kishte tentuar të mbulonte zhdukjen e miliona dollarëve nga një fondacion i lidhur me IRGC-në.

Qalibaf e forcoi reputacionin e tij si figurë e linjës së ashpër në fillim të këtij viti, kur forcat e sigurisë ndërmorën veprime vdekjeprurëse kundër protestuesve.

Mijëra iranianë humbën jetën në trazirat e shkaktuara nga kushtet e vështira të jetesës.

Në një seancë parlamentare gjatë krizës, ai lavdëroi policinë dhe IRGC-në, veçanërisht forcat paraushtarake Basij, për qëndrimin “e palëkundur” në “luftën kundër terroristëve”.

Analisti politik, Hossein Razzaq, thotë se lidhjet e tij me sistemin nuk janë dobësi, por përparësi, sepse figura të tilla shpesh mbështeten nga regjimi pasi interesat e tyre janë të lidhura me mbijetesën e tij.

Qalibaf kandidoi për president në vitin 2013 dhe doli i dyti. Në vitin 2017 u tërhoq nga gara për të mbështetur Ebrahim Raisin.

Sipas Razzaqut, këto kandidime nuk ishin përpjekje reale për pushtet, por mënyrë për të treguar besnikëri ndaj udhëheqjes.

E njëjta gjë ndodhi edhe në zgjedhjet e vitit 2024, kur ai kandidoi sërish, por humbi ndaj Masud Pezeshkianit.

Në vitin 2020, ai hyri në Parlament dhe doli i pari në Teheran - në zgjedhjet ku shumë kandidatë reformistë u përjashtuan. Më pas u zgjodh kryetar i Parlamentit.

Nën drejtimin e tij, Parlamenti miratoi ligje për përshpejtimin e programit bërthamor të Iranit.

Afër zyrës së udhëheqësit suprem

Një element kyç në karrierën e Mohammad Baqer Qalibafit ishte afërsia e tij me Mojtaba Khamenein, djalin e Ali Khameneit.

Kjo marrëdhënie u shfaq qartë që në vitet 1980 dhe, me kalimin e kohës, u bë gjithnjë e më e rëndësishme.

Në zgjedhjet e njëpasnjëshme presidenciale, mbështetja e rrethit të ngushtë të Mojtabas dhe e disa njësive të IRGC-së të lidhura me të, shfaqej vazhdimisht rreth kandidaturave të Qalibafit.

Kjo lidhje mori një rëndësi të re pas zhvillimeve të fundit, veçanërisht pas vdekjes së Ali Khameneit më 28 shkurt, duke e vënë Qalibafin në një pozicion me ndikim potencial në krizën e udhëheqjes iraniane.

Vdekja e udhëheqësve të lartë të Iranit - përfshirë komandantin e përgjithshëm të IRGC-së, ministrin e Mbrojtjes, shefin e stafit të Forcave të Armatosura dhe shumë figura të tjera të rëndësishme - krijoi një krizë të thellë të autoritetit politik.

Mojtaba Khamenei u emërua udhëheqës i ri suprem, por ai nuk është parë kurrë publikisht.

Nuk ka imazhe, regjistrime zëri dhe vetëm disa deklarata të shkruara i atribuohen atij - gjë që ka krijuar pasiguri edhe për gjendjen e tij fizike.

Në këtë boshllëk, Mohammad Baqer Qalibaf ka dalë në pah si figura më e dukshme, që lidh pushtetin politik, të sigurisë dhe atë klerik.

Sipas analistit Hossein Razzaq, Qalibaf ka qenë gjithmonë “pjesë e aprovuar e shtëpisë së udhëheqësit suprem”, dhe tani, pas eliminimit të figurave kyç, “roli që ai luan për sistemin, është bërë shumë më i rëndësishëm”. / REL

Çfarë përmbajnë planet për paqe me Iranin?

Plani i Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës me Iranin përmban 15 pika, ndërsa ai i Teheranit vetëm pesë, por, secili prej tyre shkel vijat e kuqe të palës tjetër.

Hollësitë e planit amerikan nuk janë bërë të ditura, por është raportuar bujshëm për to. Besohet se ai është i ngjashëm në shumë mënyra me propozimet e bëra para se të fillonte lufta e tanishme kur Izraeli dhe SHBA-ja nisën bombardimet më 28 shkurt.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u ka thënë gazetarëve se “ka elemente të së vërtetës” në raportimet e mediave për 15 pikat.

Në planet konkurruese, elementet e reja mendohet se përfshijnë kërkesa nga të dyja palët lidhur me Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për furnizimet globale me naftë, gaz dhe mallra të tjera, të cilën Irani tani po e mban të bllokuar.

Kërkesat e SHBA-së

Kërkesa më e rëndësishme e SHBA-së është ajo që presidenti amerikan Donald Trump e ka theksuar vazhdimisht. Ai gjithashtu thotë se Irani është pajtuar me të.

“Ata duan të bëjnë marrëveshje”, u tha ai gazetarëve në Zyrën Ovale më 24 mars. “Ata janë pajtuar se nuk do të zotërojnë kurrë ndonjë armë bërthamore”.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, përfshirë Izraelin dhe vendet kryesore evropiane, për shumë vite kanë shprehur shqetësim për mundësinë që Irani të zhvillojë armë bërthamore.

Por, Irani gjithmonë e ka mohuar se dëshiron ta bëjë këtë.

Edhe sikur kjo do të ishte e vërtetë, Irani tani ka udhëheqje të re dhe ka qenë shënjestër e sulmeve të mëdha nga SHBA dhe Izraeli, që nisën dy luftëra: e para në qershor të vitit të kaluar. Synimet e udhëheqësit suprem, Mojtaba Khamenei, i cili ende nuk është parë qëkurse u emërua më 8 mars, mbeten të paqarta.

Po ashtu, nuk është plotësisht e qartë se deri në çfarë mase ai apo aktorë të tjerë po marrin vendime në Teheran, apo në çfarë mase zyrtarët e lartë iranianë janë në gjendje të komunikojnë mes vete në mes të bombardimeve të vazhdueshme që kanë vrarë shumë figura të larta.

Trump tha më 25 mars se zyrtarët iranianë kanë “frikë” ta pranojnë se po bisedojnë me amerikanët, “sepse mendojnë se do të vriten nga njerëzit e vet”.

Plani me 15 pika besohet se përfshin një armëpushim njëmujor derisa të përpunohen hollësitë. Ai përfshin shumë kërkesa të tjera amerikane, si çmontimi i objekteve bërthamore iraniane, dorëzimi i rezervave të uraniumit të pasuruar tek Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), dhe pajtimi për të mos pasuruar uranium në të ardhmen.

Pika të tjera thuhet se vendosin kufizime mbi kapacitetet raketore të Iranit dhe ndalimin e mbështetjes së tij për forcat rajonale, si Hezbollahu, grupi libanez i shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni.

Derisa shumë nga këto ishin kërkesa amerikane edhe para luftës, disa, si rihapja e Ngushticës së Hormuzit dhe ndalimi i sulmeve iraniane ndaj objekteve energjetike rajonale, do të ishin përgjigje ndaj veprimeve të Iranit gjatë luftës që nga 28 shkurti.

Në këmbim, Irani do të përfitonte heqjen e sanksioneve dhe ndihmë nga SHBA-ja për një program civil të energjisë bërthamore.

“Parametrave të propozimit amerikan nuk u mungon ambicia: lehtësim sanksionesh në këmbim të lëshimeve të mëdha nga Irani”, tha për Radion Evropa e Lirë Naysan Rafati, analist për Iranin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

“Por, nëse e kaluara është tregues, realizueshmëria e tij do të varej nga gatishmëria e republikës islamike për t’iu nënshtruar trysnisë në çështje që kanë qenë prej kohësh vijat e saj të kuqe. Në frontin bërthamor, për shembull, Teherani ka vazhduar të këmbëngulë në të drejtën për pasurimin e uraniumit… Ai gjithashtu e ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve për programin e tij raketor”, shtoi ai.

Qëndrimi i Iranit

Zyrtarët iranianë jo vetëm që kanë thënë se bisedimet nuk po zhvillohen, por edhe janë tallur me deklaratat e amerikanëve për këtë çështje, si për shembull, kur zëdhënësi ushtarak Ebrahim Zolfaqari tha se administrata Trump po “negocion me veten”.

“Asnjeri sikur ne nuk do të bëjë marrëveshje me ju. As tani. As kurrë”, theksoi ai më 25 mars.

Ndërkohë, disa nga kërkesat e Teheranit bien ndesh me qëndrimet amerikane.

Ndër to janë njohja e kontrollit ose autoritetit të Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit, së bashku me të drejtën për të vendosur tarifa kalimi, dhe të drejtën për një program të pakufizuar raketor.

Kërkesat e Iranit gjithashtu shkelin qartë vijat e kuqe të SHBA-së, sepse duan që Uashingtoni t’i mbyllë bazat e tij ushtarake në Gjirin Persik, të paguajë dëmshpërblime lufte dhe të garantojë se nuk do ta sulmojë më Iranin.

“Tani, të paktën, premtimi për lehtësim ekonomik dhe dhimbja nga sulmet e vazhdueshme duket se nuk do ta nxisin Iranin për të bërë ndonjë lëshim në shkallën që kërkon Uashingtoni”, tha Rafati.

“Regjimi në tërësi ende nuk e sheh pozicionin e tij në luftë si mjaftueshëm të dëshpëruar për t’i pranuar kushtet e SHBA-së”.

Fred Fleitz, nënkryetar i Qendrës për Sigurinë Amerikane në America First Policy Institute, ka një vlerësim të ngjashëm.

“Mendoj se sfida më e madhe është ta bindim regjimin iranian të pajtohet për diçka. Ne jemi ende në pikën ku duhet t’i bëjmë ata të pranojnë të ulen për bisedime. Mendoj se kemi bërë disa përparime me disa kërkesa fillestare, por duhet të kemi një përfaqësues iranian që ulet me SHBA-në ose me një ndërmjetës për të filluar bisedimet”, i tha ai Radios Evropa e Lirë.

Izraeli vret komandantin e Marinës së Gardës Revolucionare

Një zyrtar izraelit ka deklaruar se komandanti i Marinës së Gardës Revolucionare Islamike, Alireza Tangsiri, është vrarë në një sulm ajror në Bandar Abbas. Sipas burimit, Tangsiri ishte një figurë kyçe në strategjinë detare të Iran, përfshirë përgjegjësinë për mbylljen e Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë. Deri më tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga autoritetet iraniane apo nga ushtria e Izraeli.

Tangsiri kishte një karrierë të gjatë ushtarake, duke shërbyer si komandant brigade gjatë Lufta Iran-Irak dhe më pas duke drejtuar Distriktin e Parë Detar të Marinës së Gardës Revolucionare në Bandar Abbas. Ai njihej për retorikën e tij të ashpër ndaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2007, kishte deklaruar se në rast përballjeje, forcat iraniane do t’i “ndiqnin deri në Gjirin e Meksikës”.

Më 23 gusht 2018, udhëheqësi suprem Ali Khamenei e emëroi atë komandant të Marinës së Gardës Revolucionare. Në vitin 2025, Tangsiri prezantoi atë që e cilësoi si projekti më i madh detar ushtarak i Iranit, një aeroplanmbajtëse e ndërtuar mbi bazën e një anijeje tregtare të ripërdorur.

Ai ishte gjithashtu subjekt i sanksioneve amerikane. Në vitin 2019, Departamenti i Thesarit i SHBA-së e shpalli “Terrorist Global të Caktuar Posaçërisht”, duke ngrirë asetet e tij dhe ndaluar çdo marrëdhënie biznesi me të. Në vitin 2024, ai u përfshi edhe në sanksione të tjera për lidhjet me një kompani iraniane të zhvillimit të dronëve. Ngjarja vjen në një kohë tensionesh të larta në rajon dhe mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë detare dhe tregjet globale të energjisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat