LIVE: Vazhdojnë sulmet, Rubio pret që lufta të përfundojë 'brenda javësh, jo muajsh'

Azia

LIVE: Vazhdojnë sulmet, Rubio pret që lufta të përfundojë 'brenda javësh, jo muajsh'

Nga: Bota sot Më: 28 shkurt 2026 Në ora: 10:24 Përditësuar në ora: 09:58 më 26.03.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

Bombardimet po vazhdojnë mes pasigurisë rreth planeve për paqe me Iranin

Derisa pasiguria rreth bisedimeve tërthorazi midis Uashingtonit dhe Teheranit po rritet, bombardimet kundër Iranit, Izraelit dhe shteteve përreth janë duke vazhduar njëkohësisht të enjten.

Ndërkohë, Pentagoni, pa i pranuar raportimet e mediave për mungesa, tha se ka arritur marrëveshje me disa kontraktorë amerikanë të mbrojtjes për t’i rritur rezervat e municioneve, përfshirë pjesë për raketa të sistemit të mbrojtjes ajrore, THAAD, të cilat po përdoren bujshëm në luftë në Lindjen e Mesme.

Në të njëjtën kohë, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti amerikan, Donald Trump, është i gatshëm t’ia bëjë “jetën ferr” Iranit, nëse nuk e pranon marrëveshjen e tij për t’i dhënë fund luftës.

Por, Teherani tha se nuk e ka ndër mend të bisedojë.

Duke folur para ligjvënësve republikanë të mërkurën vonë, Trump këmbënguli se Teherani po merr pjesë në bisedimet për paqe, pavarësisht se po e mohon.

“Ata po negociojnë, meqë ra fjala, dhe duan shumë të bëjnë marrëveshje. Por, kanë frikë ta thonë, sepse mendojnë se do të vriten nga vetë njerëzit e vet”, tha Trump.

Ndërkohë, një ultimatum i vendosur nga Trump për Iranin për ta “hapur plotësisht” Ngushticën e Hormuzit, po soset. Trump e vendosi më 21 mars një afat 48-orësh, por të nesërmen e zgjati atë me pesë ditë.

Hollësitë e propozimit më të fundit për paqe nga SHBA-ja, të raportuara nga media duke cituar burime anonime më 24 mars dhe të dorëzuara Iranit përmes Pakistanit, nuk janë bërë të ditura.

Megjithatë, besohet kushtet se janë në shumë mënyra të ngjashme me propozimet e bëra para se konflikti të fillonte me sulmet ajrore izraelite dhe amerikane më 28 shkurt.

Pa armë bërthamore

Kërkesa më e rëndësishme e SHBA-së është ajo që Trump e ka thënë vazhdimisht. Ai thotë se Teherani është pajtuar me të.

“Ata duan të bëjnë marrëveshje”, u tha Trump gazetarëve më 24 mars. “Ata janë pajtuar se nuk do të zhvillojnë kurrë armë bërthamore”.

Përgjigjja e Iranit, e dhënë përmes televizionit shtetëror më 25 mars, ishte se kushtet e SHBA-së janë të tepruara dhe se Teherani do ta përfundojë luftën kur të vendosë vetë dhe nëse plotësohen kushtet e tij.

Megjithatë, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, la të kuptohej se zyrtarë të lartë po shqyrtonin propozimet amerikane, duke treguar se deri tani Irani nuk ka kundërshtuar plotësisht.

Shtetet e Bashkuara “kanë paraqitur ide në mesazhet e tyre që u janë përcjellë autoriteteve të larta [iraniane], dhe nëse është e nevojshme, ata do ta japin një qëndrim”, tha Araqchi.

Ai hodhi poshtë idenë se Irani është mposhtur, duke theksuar se administrata amerikane nuk i ka arritur synimet e saj në luftë.

Kushtet e Iranit përfshijnë ndërprerjen e armiqësive në të gjitha frontet rajonale dhe ndaj të gjitha “grupeve të qëndresës”, duke iu referuar grupit libanez Hezbollah, i cili mbështetet nga Teherani.

Teherani gjithashtu kërkon njohje ndërkombëtare dhe garanci për të drejtat e Iranit për të ushtruar sovranitetin mbi Ngushticën e Hormuzit.

“Në këtë kohë, politika jonë është vazhdimi i qëndresës”, tha ai, duke shtuar: “Nuk e kemi ndër mend të negociojmë”.

Zyrtarisht, Shtëpia e Bardhë nuk komentoi mbi raportimet e mediave për detajet e planit të propozuar të paqes.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se kishte parë raportime për një plan me 15 pika. “Shtëpia e Bardhë nuk e ka konfirmuar kurrë atë plan të plotë”, tha ajo.

Megjithatë, ajo theksoi se kontaktet diplomatike vazhdojnë. “Ato janë frytdhënëse, siç tha presidenti më [23 mars], dhe vazhdojnë të jenë”.

Ky shkëmbim deklaratash erdhi ndërsa forca shtesë amerikane - përfshirë Divizionin elitar të 82-të Ajror - raportohet se janë nisur drejt Lindjes së Mesme për të përforcuar praninë amerikane dhe për t’u dhënë udhëheqësve politikë dhe ushtarakë amerikanë opsione shtesë.

Në frontin e betejës, dhuna po vazhdon dhe, përveç Iranit dhe Izraelit, objektiva në Liban, Bahrejn, Kuvajt, Jordani dhe Arabinë Saudite u goditën.

Mes raportimeve për mungesë armatimesh në sektorët ushtarakë dhe civilë iranianë, Financial Times raportoi se Rusia është pranë përfundimit të një dërgese dronësh, ilaçesh dhe ushqimesh për Iranin.

Gazeta citoi të dhëna të inteligjencës perëndimore që përshkruajnë përpjekjet e Kremlinit për ta mbajtur në këmbë aleatin e tij.

Thuhet se dërgesat ishin nisur në fillim të këtij muaji dhe pritet të mbërrijnë brenda disa ditësh.

Bombardime në Teheran

Izraeli tha se ka goditur në zemër të kryeqytetit, Teheran, dhe se ka shënjestruar një objekt për zhvillimin e nëndetëseve në qytetin qendror të Isfahanit.

AFP citoi dëshmitarë brenda Teheranit që thanë: “Ka benzinë, ujë dhe energji elektrike. Por, ekziston një ndjenjë pafuqie tek të gjithë ne. Nuk dimë çfarë të bëjmë dhe në fakt nuk mund të bëjmë asgjë”.

Një burrë drejton një motoçikletë pranë rrënojave të një vendi të dëmtuar nga një sulm izraelit në Nabatieh, Liban, më 25 mars.

Në Izrael, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se forcat e vendit të tij po zgjeronin një “zonë të sigurisë” në Libanin jugor ndërsa ushtria po e vazhdon fushatën kundër Hezbollahut.

“Kemi krijuar një zonë të vërtetë sigurie që parandalon çdo infiltrimin drejt Galilesë dhe kufirit verior”, tha Netanyahu.

Kur u pyet nëse Izraeli kishte ndryshuar përpjekjet e tij ushtarake pasi Trump tha se po zhvillohen bisedime për paqe, ai u përgjigj se po “pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar”.

Mes gjithë kësaj, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se lufta ka dalë “jashtë kontrollit”.

Ai tha se ka emëruar një të dërguar të posaçëm për të punuar drejt përfundimit të konfliktit, diplomatin francez Jean Arnault./REL

Fred Fleitz: SHBA-ja mund të godasë infrastrukturën energjetike të Iranit nëse dështojnë bisedimet

Fred Fleitz, nënkryetar i Qendrës për Siguri Amerikane në Institutin America First Policy, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se është “optimist i kujdesshëm” për mundësinë e bisedimeve SHBA-Iran për përfundimin e luftës, por shtoi se Uashingtoni po e forcon praninë e tij ushtarake për ta shtyrë Teheranin drejt një marrëveshjeje.

Fleitz, ish-shef i stafit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, tha se Shtetet e Bashkuara duket se po kërkojnë zyrtarë iranianë që janë të gatshëm t’i japin fund konfliktit, ndërsa po përpiqen t’i anashkalojnë linjat e ashpra të Gardës Revolucionare Islamike, ndoshta përmes kryetarit të Parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf, dhe ndërmjetësve rajonalë.

Fleitz tha se reagimi i parë publik i Iranit ndaj planit të raportuar amerikan me 15 pika nuk duhet interpretuar tej mase, duke e përshkruar atë si shenjë të përçarjeve brenda udhëheqjes iraniane. Ai shtoi se, nëse diplomacia dështon dhe Irani vazhdon të kërcënojë kalimin e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit, presidenti amerikan, Donald Trump, mund ta përshkallëzojë situatën duke goditur infrastrukturën energjetike të Iranit.

Raportohet se Uashingtoni i ka dërguar Iranit një propozim me 15 pika, i cili përfshin armëpushim, mbajtjen e hapur të Ngushticës së Hormuzit, çmontimin e programit bërthamor iranian, ndërprerjen e mbështetjes për grupet përfaqësuese dhe heqjen e sanksioneve ndaj Iranit.

Mediat iraniane raportuan se Teherani ka paraqitur kushtet e veta për t’i dhënë fund luftës.

Lexo shkrimin e plotë këtu!

Më shumë se 1,750 persona janë vrarë nga lufta në Iran, mbi 22 mijë të plagosur

Më shumë se 1,750 njerëz janë vrarë në Iran që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael më 28 shkurt, raportoi sot Agjencia Shtetërore e Lajmeve të Republikës Islamike (IRNA), duke cituar një zyrtar iranian.

Ky përditësim është numri i parë i plotë i të vdekurve i publikuar nga ndonjë zyrtar iranian prej disa javësh. Zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Iranit, Pouria Kolivand tha se 22,800 persona janë plagosur dhe qindra spitale dhe shkolla janë shkatërruar.

Rreth tre milionë njerëz brenda vendit janë zhvendosur dhe 500,000 kanë mbetur pa strehë. Më herët sot, ministria e shëndetësisë e vendit tha se 208 fëmijë janë vrarë në konflikt, sipas IRNA-s.

Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) me seli në SHBA tha të marten se të paktën 1,455 civilë, përfshirë 217 fëmijë, dhe 1,167 personel ushtarak janë vrarë që nga 28 shkurti. 669 persona të tjerë janë vrarë, tha HRANA, por ende nuk është përcaktuar nëse ata ishin civilë apo ushtarakë.

Kryetari i parlamentit të Iranit kërcënon të shënjestrojë "infrastrukturën jetësore" të vendit rajonal nëse ishulli pushtohet

Nga: H.O.

Llogaria e lidhur me Mohammad Bagher Ghalibaf, kryetarin e parlamentit iranian, ka thënë në X se "bazuar në disa informacione, armiqtë e Iranit, me mbështetjen e një vendi rajonal, po përgatiten të pushtojnë një nga ishujt iranianë".

Postimi nga llogaria e Ghalibaf ka thënë se "të gjitha lëvizjet e armikut janë nën mbikëqyrjen e ngushtë të forcave tona të armatosura. Nëse ata dalin jashtë vijës, e gjithë infrastruktura jetësore në atë vend rajonal, pa kufizime, do të bëhet cak i sulmeve të vazhdueshme".

Postimi nuk ka specifikuar se cili vend ose cili ishull.

Disa raporte të pakonfirmuara sugjeruan se administrata Trump po e konsideronte Ghalibaf si një partner të mundshëm dhe ndoshta edhe një udhëheqës të ardhshëm.

2,000 familje mbeten pa strehë për shkak të sulmeve amerikane-izraelite - kryebashkiaku i Teheranit

Nga: H.O.

2,000 familje në Teheran, kryeqytetin e Iranit, kanë mbetur pa strehë që kur SHBA-të dhe Izraeli filluan bombardimin e qytetit, thotë kryebashkiaku i tij.

"Ata i vranë bashkëqytetarët tanë të zakonshëm të Teheranit", thotë Alireza Zakani në një deklaratë fillimisht në persisht.

Ai thotë gjithashtu se grave, fëmijëve dhe të moshuarve u janë shkatërruar shtëpitë.

Ligjvënësja republikane thotë se nuk do të mbështesë trupat amerikane në Iran

Nga: H.O.

Kongresmenja republikane Nancy Mace thotë se nuk do të mbështesë vendosjen e trupave amerikane në Iran pasi u largua nga një informim nga Komiteti i Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve mbi konfliktin.

Përfaqësuesja për Karolinën e Jugut thotë në një postim në X: "Unë nuk do të mbështes trupat në terren në Iran, aq më tepër pas këtij informimi."

Ajo shton në një postim tjetër se hendeku midis asaj që iu prezantua publikut amerikan dhe objektivave ushtarake të paraqitura sot është "thellësisht shqetësues".

Çfarë dëgjuam nga Shtëpia e Bardhë mbi një marrëveshje të mundshme me Iranin

Nga: H.O.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, sapo foli gjerësisht për Iranin në konferencën e saj të rregullt informative.

Ja çfarë dëgjuam:

Leavitt pretendon se Trump është ende i angazhuar në "biseda produktive" me Iranin pavarësisht deklaratës së Teheranit se ka hedhur poshtë një plan paqeje nga SHBA-të.

Ajo thotë se një plan 15-pikësh që qarkullon në mediat sociale është "spekulativ", por me "elemente të së vërtetës", duke refuzuar të hyjë më tej në detajet "e imëta" se si po zhvillohen bisedimet.

Ndërkohë, në SHBA, konsumatorët vazhdojnë të ankohen për rritjen e çmimeve të gazit. Leavitt siguron se Trump po i mban ato "sa më të ulëta të jetë e mundur" gjatë luftës.

Sekretarja e shtypit gjithashtu refuzoi t'u përgjigjej pyetjeve në lidhje me potencialin për "ushtrime ushtarake amerikane në terren" në Iran - por ajo tha se autorizimi formal nga Kongresi për ta bërë këtë nuk do të ishte i nevojshëm.

Pyetja e madhe që përsëritet - sa afër fundit të luftës jemi? Leavitt përsëriti qëndrimin e Shtëpisë së Bardhë se jemi "përpara afatit" dhe vlerësoi atë që administrata e quan një operacion shumë të suksesshëm.

Kriza në Ngushticën e Hormuzit, rreth 2,000 anije dhe 20 mijë marinarë të bllokuara

Situata në Ngushticën e Hormuzit po krijon probleme serioze për transportin detar global.

Rreth 20 mijë marinarë janë bllokuar në zonë dhe afërsisht 2 mijë anije nuk mund të lundrojnë, sipas Arsenio Dominguez, sekretar i përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO).

Dominguez tha se ekuipazhet vuajnë nga stresi, lodhja dhe mungesa e furnizimeve, ndërsa kompanitë e sigurimeve po refuzojnë të mbulojnë kostot ose vendosin prime shumë të larta.

Aktualisht, një krizë humanitare po shmanget falë ndihmës nga vendet përreth, por IMO kërkon krijimin e një korridori humanitar për të lejuar anijet të dalin nga zona.

Irani i përgjigjet planit 15-pikësh të SHBA-ve: Kërkesat janë të tepërta, ja 5 kushtet për fundin e konfliktit

Irani ka shqyrtuar propozimin prej 15 pikash të presidentit amerikan Donald Trump, ndërsa ka deklaruar se “i konsideron kërkesat të tepërta”, sipas një zyrtari të cituar nga televizioni shtetëror iranian.

Zyrtari tha: “Irani do ta përfundojë luftën në një kohë që e zgjedh vetë vetëm nëse plotësohen kushtet e veta.”

“Irani nuk do të lejojë që Presidenti i SHBA-së Trump të diktojë kohën e përfundimit të luftës.”

Ai shtoi se Teherani i tha SHBA-së nëpërmjet një ndërmjetësi se do të vazhdonte të mbrohej, duke përcaktuar pesë kushte sipas të cilave Irani do t’i jepte fund luftës:

-Një ndalesë ndaj “agresionit dhe vrasjeve”;

-Mekanizma konkretë për të siguruar që Irani nuk do të sulmohet përsëri ;

-Pagesa e dëmeve dhe reparacioneve të luftës ;

-Një fund të luftës në të gjitha frontet dhe për të gjitha grupet e rezistencës të përfshira në të gjithë rajonin;

-Njohje dhe garanci ndërkombëtare në lidhje me autoritetin e Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit.

Deklarata erdhi pasi zyrtarët pakistanezë konfirmuan më parë se Irani kishte marrë propozimin prej 15 pikash të Amerikës për t’i dhënë fund sulmit SHBA-Izrael.

Trump kishte deklaruar se SHBA-të po negocionin me Iranin për një armëpushim, duke thënë se Uashingtoni po fliste me “njerëzit e duhur” në Iran dhe “ata duan shumë të bëjnë një marrëveshje”.

Teksa konflikti me Iranin po përshkallëzohet, Ukraina i thotë SHBA-së: Jemi sprovuar me këtë

Në një kohë kur sulmet me dronë dhe raketa iraniane po e vënë në provë mbrojtjen amerikane në Lindjen e Mesme, një delegacion vizitor nga Ukraina thotë se Shtetet e Bashkuara tani po përballen me një të vërtetë në fushëbetejë, më të cilën Kievi është mësuar qysh nga muajt e parë të pushtimit të plotë nga Rusia.

“Sulmet e mëdha dhe në shkallë të gjerë me dronë të lirë… ndryshojnë vërtet mënyrën se si veprojnë sistemet”, tha Maryna Hrytsenko, drejtoreshë ekzekutive e Institutit Snake Island me bazë në Kiev, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë gjatë një vizite në Uashington më 24 mars.

Paralajmërimi i saj vjen derisa zyrtarët ukrainas po përpiqen ta bartin përvojën e tyre në vijën e frontit tek partnerët perëndimorë, duke argumentuar se lufta e Ukrainës i ka vënë në provë të vërtetë sistemet moderne të mbrojtjes ajrore.

Në qendër të këtij mesazhi është një pabarazi e theksuar ekonomike. Sistemet e avancuara, si sistemi i mbrojtjes ajrore Patriot, mbeten shumë efektive, por përdorimi i tyre kundër valëve të dronëve me kosto të ulët është i paqëndrueshëm në afat të gjatë.

“E kemi kuptuar prej kohësh që nuk është ekonomikisht efektive të përdoren raketa në vlerë prej 4.5 milionë dollarësh të Patriotit për ta rrëzuar një dron Shahed që kushton 500.000 dollarë”, tha Hrytsenko.

Një luftë që Ukraina e njeh mirë

Vizita e delegacionit ukrainas në SHBA - pas pjesëmarrjes në një forum sigurie në Majami dhe vazhdimit të takimeve në Uashington - vjen në një kohë kur konfliktet që përfshijnë Iranin po nxjerrin në pah dobësi që Ukraina i ka dokumentuar qysh nga viti 2022.

Grupi përfshin jo vetëm staf politik dhe analitik nga Instituti Snake Island, por edhe praktikues ushtarakë ukrainas të përfshirë drejtpërdrejt në operacionet e mbrojtjes ajrore.

Mes tyre janë një përfaqësues i forcave ajrore që punon ngushtë me sistemet amerikane dhe një oficer i lartë nga Korpusi i Ushtrisë përgjegjës për zbatimin e mbrojtjes ajrore përgjatë vijës së frontit.

Sipas Hrytsenkos, roli i tyre është të ofrojnë njohuri “të verifikuara në fushëbetejë” mbi mënyrën se si performojnë sistemet perëndimore nën sulme të vazhdueshme dhe në shkallë të gjerë, diçka në të cilën SHBA-ja ka pasur përvojë të kufizuar deri së voni.

“Mendoj se ajo me të cilën Amerika është përballur për herë të parë është sulmi masiv me dronë të lirë… që vërtet ndryshon mënyrën se si funksionojnë sistemet”, tha ajo.

Hrytsenko tha se Lindja e Mesme ende nuk po e përjeton të gjithë spektrin e kërcënimeve me të cilat përballet Ukraina sot, por zhvillimet e fundit i ngjajnë fazave të hershme të luftës.

“Mendoj se Lindja e Mesme nuk po përballet me gjithçka që ne po përballemi tani”, tha ajo, duke theksuar dallimet në kapacitetet detare dhe dinamikat e fushëbetejës.

Megjithatë, ajo nxori paralele në përdorimin e sulmeve masive me dronë dhe në shënjestrimin e sistemeve të zbulimit.

“Jo vetëm sistemet e mbrojtjes ajrore janë të rëndësishme, por edhe radarët, apo jo? Aftësia për të kuptuar se nga vjen ky [kërcënim]”, tha ajo, duke kujtuar se sfida të ngjashme u shfaqën në Ukrainë pasi dronët e projektuar nga Irani u përdorën në numër të madh.

Përgjigjja e Ukrainës ka qenë ndërtimi i një sistemi të shtresëzuar të mbrojtjes ajrore, duke kombinuar platformat perëndimore me teknologji të reja si dronë mbrojtës, sensorë akustikë dhe madje rrjete raportimi nga qytetarët.

Kjo qasje përshkruhet në një raport të fundit të Institutit Snake Island, “Holding Back the Sky”, i cili përshkruan evolucionin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës nga sistemet e epokës sovjetike në vitin 2022 në një arkitekturë hibride deri në fillim të vitit 2026.

Pa partneritet, s’ka ndihmë

Në takimet me Shtëpinë e Bardhë, Kongresin, Pentagonin dhe institutet kërkimore, delegacioni po ngulë këmbë në një mesazh të qëndrueshëm: Ukraina duhet të trajtohet si partnere sigurie, jo thjesht si përfitues e ndihmës.

“Nuk besojmë në ndihmë”, tha Hrytsenko. “Besojmë se bashkëpunimi afatgjatë ndërtohet përmes partneritetit”.

Ajo argumentoi se Ukraina mund ta ndihmojë SHBA-në të përballet me sfida më të gjera strategjike - nga Evropa deri në Indo-Paqësor - duke ndarë zgjidhje të sprovuara në fushëbetejë dhe duke ulur barrën mbi forcat amerikane.

“Ukraina mund të jetë në fakt fuqia… që mund ta ndihmojë Amerikën t’i përmbushë qëllimet e saj dhe ta ulë praninë e saj në Evropën nëse është e nevojshme”, tha ajo.

Delegacioni po kërkon gjithashtu bashkëpunimin praktik, përfshirë testimin e vazhdueshëm të teknologjive ukrainase të dronëve dhe mbrojtjes në SHBA, si dhe nevojën për të integruar trajnimin së bashku me prokurimin.

“Tashmë ka disa sisteme ukrainase që po testohen këtu”, tha ajo, duke shtuar se zbatimi, jo vetëm blerja, është thelbësor.

Vëmendje të ndryshme, kërcënime të përbashkëta

Konflikti që po zgjerohet me Iranin ka pasoja të përziera për Ukrainën, tha Hrytsenko.

Nga njëra anë, ai ka përforcuar paralajmërimet e Kievit për qasje gjithnjë e më të lehtë në luftën me dronë, madje edhe për aktorë joshtetërorë.

“Pragu për të hyrë në… luftë ushtarake… është ulur shumë, shumë”, tha ajo, duke vënë në dukje se komponentët tani mund të sigurohen lirë dhe të montohen gjithandej.

Nga ana tjetër, zhvendosja e vëmendjes dhe burimeve të SHBA-së paraqet rreziqe. Stoqet e raketave mbrojtëse - veçanërisht për sisteme si Patriot - janë zvogëluar, duke kufizuar potencialisht dërgesat afatshkurtra për Ukrainën.

“Amerikanët kanë përdorur shumë nga rezervat e tyre”, tha ajo, duke shtuar se Ukraina vazhdon të eksplorojë alternativa, por përballet me sfida në prodhimin e sistemeve të krahasueshme brenda vendit.

Në të njëjtën kohë, ajo e nënvizoi atë që Kievi e sheh si një bashkërendim gjithnjë e më të madh mes kundërshtarëve të SHBA-së.

“Mendoj se lidhja mes kundërshtarëve nuk ka qenë kurrë më e qartë se tani”, tha ajo, duke përmendur bashkëpunimin mes Rusisë, Iranit, Kinës dhe Koresë së Veriut.

Sipas Hrytsenkos, Rusia tashmë po mbështet Iranin në mënyra që t’i prekë drejtpërdrejt interesat amerikane.

“Qeveria jonë thotë se Rusia po u jep të dhëna të inteligjencës iranianëve, duke ndikuar dhe duke i ndihmuar ata të vrasin amerikanë dhe izraelitë”, tha ajo.

Lufta dhe diplomacia, të ndërthurura

Në fushëbetejë, Ukraina vazhdon t’i baraspeshojë operacionet ushtarake me përpjekjet diplomatike.

Hrytsenko konfirmoi se Kievi po kërkon përfitime për të forcuar pozicionin e tij negociues, derisa po përshtatet me një luftë gjithnjë e më të mbizotëruar nga dronët.

“Tani për tani, gjithçka ka të bëjë më shumë me dronët”, tha ajo, duke theksuar rëndësinë në rritje të mbrojtjes ajrore në vijën e frontit.

Në të njëjtën kohë, Ukraina ka ndryshuar qasjen e saj të komunikimit, duke u përqendruar më pak në njoftimin paraprak të kundërofensivave dhe më shumë në befasitë operacionale.

“Ne po kalojmë nga thjesht të folurit për masa kundërofensive, drejt kryerjes së tyre”, tha ajo.

Pavarësisht luftimeve të vazhdueshme, ajo përsëriti se Ukraina mbetet e hapur për negociata, por në kushte të formësuara nga forca.

“Rusia kupton vetëm forcën”, tha ajo.

Mësime që duhet zbatuar

Për Institutin Snake Island, qëllimi i vizitës në Uashington nuk është vetëm të ndajë njohuri, por të ndikojë mënyrën se si ato zbatohen.

“Është një rrugë e gjatë nga thjesht leximi dhe njohja… deri te marrja e vendimeve”, tha Hrytsenko.

Ajo theksoi se bashkëpunimi duhet të shkojë përtej prokurimit dhe të përfshijë trajnimin dhe integrimin e sistemeve ukrainase në strukturat ushtarake amerikane.

“Nuk mjafton vetëm të blihen armë ukrainase”, tha ajo. “Trajnimi, mënyra se si i zbaton këto… është kyç”.

Kjo përfshin bashkëpunimin e vazhdueshëm në teknologjitë e dronëve, luftën elektronike dhe sistemet detare, disa prej të cilave tashmë po testohen në kuadër të bashkëpunimeve të përbashkëta.

Derisa SHBA-ja po përballet me kërcënime në rajone të shumta, zyrtarët ukrainas thonë se përvoja e tyre ofron një pamje paraprake të asaj se si duket lufta moderne dhe një argument për bashkëpunim më të thellë të ndërtuar mbi këtë përvojë./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat