SHBA-Iran, bisedimet jo të drejtpërdrejta, konstruktive

Bota

SHBA-Iran, bisedimet jo të drejtpërdrejta, konstruktive

Më: 7 prill 2021 Në ora: 15:28
Vjenë

Zyrtarët amerikanë dhe iranianë i kanë quajtur bisedimet që po zhvillohen në Vjenë të frutshme, ndërsa të dyja palët si dhe nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes së vitit 2015 mbi programin bërthamor të Iranit, po punojnë për ringjalljen e saj.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan Shtetit Ned Price tha se aktualisht nuk pritet të zhvillohen negociata të drejtpërdrejta, por shtoi se Shtetet e Bashkuara janë "të hapura për to, pasi janë të hapura për diplomaci".

Ai tha se takimet në Vjenë janë një "hap potencialisht i dobishëm ndërsa po përpiqen të përcaktojmë se çfarë janë të përgatitur të bëjnë iranianët për t'u rikthyer tek kushtet e marrëveshjes", e cila kufizon programin bërthamor të Teheranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja në vitin 2018 me vendim të ish-Presidentit Donald Trump, një veprim që u shoqërua me sanksione ekonomike ndaj Iranit.

Si përgjigje, Irani ndërmori hapa në drejtim të kundërt me angazhimin e lidhur me marrëveshjen, përfshirë pasurimin në nivele të larta të uranimit, ndërsa kërkonte lehtësim nga sanksionet.

Të dyja palët kanë sinjalizuar gatishmëri për t'u kthyer tek marrëveshja, por jo një dëshirë për të ndërmarrë hapin e parë.

Zëvendës Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi e quajti fillimin e bisedimeve të martën një "takim dobiprurës".

Të mërkurën gjatë një takimi të kabinetit Presidenti iranian Hassan Rouhani tha se bisedimet përfaqësojnë një kapitull të ri "dhe se të gjitha palët e përfshira pranojnë se marrëveshja është e vetmja rrugë që duhet ndjekur”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat