Thirrje nga disa vende të BE-së që të vazhdohet dëbimi i afganëve

Bota

Thirrje nga disa vende të BE-së që të vazhdohet dëbimi i afganëve

Më: 10 gusht 2021 Në ora: 17:19
Foto ilustrim

Gjashtë vende anëtare të Bashkimit Evropian (BE) i kanë bërë thirrje Komisionit Evropian të mos e ndalojë dëbimin e migrantëve afganë, pavarësisht marrjes së kontrollit nga ana e talibanëve të disa pjesëve të vendit, thanë zyrtarët të martën.

Qeveritë e Gjermanisë, Danimarkës, Austrisë, Belgjikës, Greqisë dhe Holandës i shkruan një letër organit ekzekutiv të BE -së duke thënë se atyre duhet t’u lejohet të kthejnë mbrapsht migrantët afganë, nëse nuk miratohen kërkesat e tyre për azil.

Në muajin korrik, Afganistani i bëri thirrje BE -së që të ndalojë dëbimet e detyruara të migrantëve afganë, për tre muaj, derisa forcat e sigurisë po luftojnë kundër talibanëve.

Talibanët filluan një ofensivë kundër forcave qeveritare që kur Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera, në muajin maj, filluan tërheqjen e forcave të tyre nga Afganistani, pas rreth 20 vjetësh të operacioneve luftarake atje.

Tërheqja e plotë pritet të ndodhë deri në fund të muajit gusht.

“Vetëm sepse rajonet e një vendi janë të rrezikshme nuk do të thotë se çdo person nga ai vend ka të drejtën e mbrojtjes” tha ministri belg i Azilit dhe Migracionit, Sammy Mahdi, duke arsyetuar kërkesën e gjashtë shteteve drejtuar KE-së, raporton Rel.

Ministria holandeze e drejtësisë konfirmoi gjithashtu se i kishte kërkuar Brukselit të mos pezullojë dëbimet e detyruara, ndërsa shtoi se "zhvillimet në Afganistan po ndiqen nga afër".

Por, një zyrtar i lartë i BE -së tha se "duke pasur parasysh situatën aktuale, unë nuk pres që operacionet e kthimit të detyruar të ndodhin".

Sipas AFP-së, ky zyrtar ka thënë se këtë vit, 1.200 njerëz ishin kthyer nga BE-ja në Afganistan. Prej tyre, 1.000 ishin "vullnetarë" dhe 200 "të detyruar".

Pas kërkesës së Kabulit drejtuar vendeve të BE -së më 11 korrik, Suedia dhe Finlanda ndaluan dëbimet e detyruara në Afganistan.

Afganët në vitin 2020 përbënin 10.6 për qind të azilkërkuesve në BE, ose pak më shumë se 44.000 nga rreth 416.000 kërkesat e përgjithshme për azil. Shifra është e dyta më e madhe pas sirianëve me 15.2 për qind, sipas statistikave të BE -së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat