Afganët në SHBA, konfuzë për sistemin e komplikuar të imigracionit

Bota

Afganët në SHBA, konfuzë për sistemin e komplikuar të imigracionit

Më: 17 shtator 2021 Në ora: 18:36
US afghan

Pasi kaluan përvojën traumatike të largimit nga vendi i tyre, mijëra afganë ndihen më mirë tani, që janë në Shtetet e Bashkuara. Por shumë prej tyre janë konfuzë në lidhje me sistemin amerikan të imigracionit si dhe përfitimet që ata kanë prej tij.

Bibi Sara Kamal u largua nga Kabuli, pasi arriti të futej në bordin e një avioni amerikan. Ajo tani ndodhet në SHBA. Në Afganistan ajo ishte në semestrin e fundit të studimeve për t’u bërë dentiste.

“Unë dua të vazhdoj shkollimin tim. Dua te punoj. Unë dua të kem jetën time. Për shembull, unë dua të kem makinën time”, thotë Bibi Sara Kamal, e larguar nga Afganistani.

Kur 23-vjeçrja arriti në SHBA, fillimisht ajo u dërgua në një qendër pritëse pranë aeroportit “Dulles”. Autoritetet i dhanë asaj dokumentet për një qëndrim të përkohshëm 2-vjeçar, por jo statusin e refugjatit.

Njësoj si Bibi Sara Kamal shumë shtetas nga Afganistani u lejuan të futen në SHBA nën kategorizimin e “mbrojtjes së përkohëshme humanitare”, e cila zakonisht jepet për shkak të një arsyeje urgjente ose emergjence humanitare.

Por 23-vjeçarja thotë se me këtë status ajo nuk mund të rifillojë jetën që kishte në Afganistan.

“Kur erdha këtu, ata më thanë që nuk mund të vazhdosh shkollën, apo të nis një punë. Është zhgënjyese”, thotë ajo.

Por dokumentet nga Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare tregojnë të kundërtën. Një individ i cili ka statusin e “mbrojtjes së përkohëshme humanitare” mund të aplikojë për punë, apo të nisë një shkollë.

Por procesin nuk e kuptojnë të gjithë, thotë Andrew Arthur nga Qendra për Studime mbi Imigracionin

“Unë nuk mendoj se vetë administrata Biden e di vërtet se çfarë do të bëjë me këta njerëz. Si avokat imigracioni, nëse do të këshilloja ndonjërin nga këta njerëz, do t’u thoja që të aplikojnë për autorizim punësimi në Shtetet e Bashkuara”, thotë ai.

Organizatat që po ndihmojnë shtetasit e evakuuar nga Afganistani thonë se do të duhet kohë që ata të kuptojnë rregullat në SHBA.

“Shumë prej nesh e përpunojnë informacionin në mënyra të ndryshme. Por nëse ne do t’i informojmë këta njerëz më shumë, ata do t’i kuptojnë rregullat. Kështuqë komunikimi duhet të vazhdojë që ata të marrin informacionin siç duhet”, thotë Krish O'Mara Vignarajah, nga organizata LIRS (Lutheran Immigration and Refugee Service).

Sipas ekspertëve të imigracionit ky process do të kërkojë shumë fonde federale. Deri tani administrata Biden i ka kërkuar Kongresit më shumë se 6 miliardë dollarë për përpunimin e dokumenteve, verifikimin dhe zhvendosjen e afganëve që iu rrezikohej jeta.

Dhe ndërsa përpunimi i dokumenteve kërkon një kohë të gjatë, në Virxhinia 23-vjeçarja Bibi Kamal po lexon për kulturën amerikane dhe përparimet e Amerikës në fushën elektronike. Ajo tani po përshtatet me jetën e saj të re, në pritje që të tjerët të vendosin se kur, ose nëse, do të mundet të marrë titullin “Doktor”. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat