Udhëheqësit e SHBA, Japonisë, Australisë dhe Indisë takohen në Uashington

Bota

Udhëheqësit e SHBA, Japonisë, Australisë dhe Indisë takohen në Uashington

Më: 24 shtator 2021 Në ora: 19:14
Foto ilustrim

Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Japonisë, Australisë dhe Indisë do të takohen të premten në Uashington për të diskutuar mbi bashkëpunimin në rajonin Indo-Paqësor përballë fuqisë në rritje të Kinës.

Udhëheqësit e Dialogut Katërpalësh të Sigurisë, ose Katërshja - Presidenti amerikan Joe Biden, Kryeministri i Australisë Scott Morrison, Kryeministri i Indisë Narendra Modi dhe Kryeministri i Japonisë Yoshihide Suga – kishin patur një takim virtual në mars, por e premtja shënon herën e parë që ata takohen ballë për ballë.

"Udhëheqësit e Katërshes do të përqëndrohen në thellimin e lidhjeve dhe avancimin e bashkëpunimit praktik në fusha të tilla si lufta ndaj COVID-19, trajtimi i krizës klimatike, partneriteti në teknologjitë në zhvillim dhe hapësira kibernetike si edhe promovimi i një Indo-Paqësori të lirë dhe të hapur", tha në një deklaratë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jenn Psaki.

Kina ka ngritur në mënyrë të vazhdueshme pika ushtarake në rajon dhe i përdor ato për të mbështetur pretendimet se kontrollon zona jetike detare.

Takimi në Uashington vjen pas një marrëveshjeje të shpallur kohët e fundit midis Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Australisë për të furnizuar Australinë me nëndetëse bërthamore.

Marrëveshja indinjoi Francën pasi Australia u tërhoq nga një marrëveshje që kishte me Parisin për nëndetëse me naftë.

Kina e dënoi marrëveshjen, duke e quajtur atë të dëmshme për paqen rajonale.

Takimi i Katërshes vjen gjithashtu ndërsa SHBA dhe aleatët e saj kanë shtuar retorikën në mbështetje të Tajvanit, të cilin Kina e konsideron si një provincë të vetën, dhe një përpjekje të përtërirë nga Bashkimi Evropian për të "rritur" praninë detare në rajon./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat