Gjenerali gjerman alarmon për gjendjen e ushtrisë: Jemi pak a shumë duarthatë

Bota

Gjenerali gjerman alarmon për gjendjen e ushtrisë: Jemi pak a shumë duarthatë

Më: 24 shkurt 2022 Në ora: 12:14
Alfons Mais

Zyrtari i dytë më i lartë ushtarak i forcave të armatosura të Gjermanisë, Gjeneral Lejtënant Alfons Mais, u shpreh i zemëruar për atë që e vlerëson si neglizhencë afatgjatë ndaj gatishmërisë ushtarake në vendin e tij. Reagimi i tij erdhi disa orë pasi ushtria ruse u fut në Ukrainë, duke shtuar se ushtria gjermane është në formë të keqe.

“Në shërbimin tim 41-vjeçar në kohë paqeje, nuk do të kisha menduar se do ta përjetoja luftën. E Bundeswehr-i (ushtria gjermane), ushtria të cilën kam nderin ta komandoj, po qëndron aty, pak a shumë, duarthatë. Opsionet që mund t’ia ofrojmë qeverisë në përkrahje të aleancës (së NATO-s) janë jashtëzakonisht të kufizuara”, tha ai.

Ai shtoi se territori i NATO-s deri tash nuk është vënë në rrezik, por partnerët e Gjermanisë në Evropën Lindore janë duke ndier vazhdimisht presion në rritje, shkruan Reuters.

“Kur, nëse jo tash, është momenti që ta vendosim misionin në Afganistan prapa në aspektin strukturor dhe të pajisjeve tona dhe ta ndryshojmë qëndrimin tonë? Ndryshe, nuk do të mund ta përmbushim me sukses detyrën tonë kushtetuese dhe detyrimet tona në aleancë”, shtoi Gjenerali Mais.

Një zëdhënës i ushtrisë gjermane refuzoi që t’i komentonte kritikat e gjeneralit, të publikuara në “LinkedIn”. “Nuk kemi asgjë për të shtuar ndaj komenteve të shefit të ushtrisë në Linkedin në këtë moment”, tha zyrtari.

Forcat gjermane ishin pakësuar shumë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe më vonë ishin angazhuar kryesisht në misione si ai në Afganistan, ku armiku ishte i pajisur dobët me armatim dhe jo forcë e armatosur me armë moderne.

Në janar, Gjermania i ofroi Ukrainës 5.000 helmeta ushtarake për t’u mbrojtur nga ndonjë sulm i mundshëm. Kryetari i kryeqytetit ukrainas dhe ish-kampioni i botës në boks, Vitali Klitschko, e cilësoi këtë ndihmë si shaka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat