Liderët arabë refuzojnë telefonatat e SHBA-së

Bota

Liderët arabë refuzojnë telefonatat e SHBA-së

Më: 9 mars 2022 Në ora: 17:41
Mohammed bin Salman

Liderët e Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe kanë refuzuar të caktojnë biseda telefonike me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Joe Biden dhe aleatët e tij perëndimorë po përpiqen që ta mbajnë nën kontroll rritjen e çmimeve të energjisë, të shkaktuar nga agresioni rus kundrejt Ukrainës.

Princi saudit Mohammed bin Salman dhe sheiku i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed al Nahyan, kanë qenë të pa qasshëm për presidentin Biden, pas kërkesës së ShBA-së për diskutime, shkruan Wall Street Journal.

“Ishin ca pritje për një telefonatë, por nuk ndodhi. Ishte pjesë e lëshimit të rubinetit (të naftës saudite)”, tha një zyrtar amerikan rreth planit që princi saudit dhe presidenti amerikan të bisedonin në telefon.

Biden gjatë ditës së djeshme ndaloi importet ruse të naftës dhe tha se çmimet e benzinës do të rriteshin edhe më shumë pasi të arrinin një nivel mesatar prej 4.17 dollarësh për fuçi.

Shtetet e Bashkuara, për herë të parë në disa vjet, kanë hapur kanale diplomatike me Venezuelën, aleate e Rusisë dhe shteti me rezervat më të mëdha të naftës në botë. Venezuela tashmë ka liruar të paktën dy amerikanë nga burgu si shenjë e qartë e vullnetit të mirë ndaj administratës së Bidenit në një prelud të mundshëm para rritjes së prodhimit për ta qetësuar rritjen e çmimeve.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite janë ftohur gjatë administratës Biden për shkak të politikave amerikane në rajonin e Gjirin Persik.

Në mesin e çështjeve përfshihen ringjallja e marrëveshjes bërthamore me Iranin, mungesa e përkrahjes amerikane për ndërhyrjen saudite në luftën civile të Jemenit dhe refuzimi i Shteteve të Bashkuara që t’i fusë rebelët Houthi në listën e grupeve terroriste.

Më herët këtë javë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se nuk ka plane që Bideni dhe Princi Mohammed të bisedojnë së shpejti dhe se nuk ka plane që presidenti amerikan të udhëtojë për në Riad të Arabisë Saudite.

Yousef Al Otaiba, ambasador i Emirateve të Bashkuara Arabe në Shtetet e Bashkuara, i konfirmoi raportet e tensionuara mes dy vendeve. “Sot, ne po kalojmë nëpër një test stresi, por unë kam besim që do të dalim prej tij dhe do të arrijmë në një vend më të mirë”, tha ai.

Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe konsiderohen si dy furnizueset e vetme globale me kapacitet për të prodhuar më shumë naftë për ta qetësuar rritjen e çmimeve.

Raportohet se zyrtarë të lartë amerikanë nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe Departamenti i Shtetit kanë udhëtuar në Riad dhe Abu Dabi në javët e fundit për të bërë përfaqësime të drejtpërdrejta të Shteteve të Bashkuara.

Gazeta “The Wall Street Journal” raportoi se Bideni dhe babai i Princit Mohammed, Mbreti Salman, kanë biseduar më 9 shkurt. Përmes kësaj telefonate, ata e afirmuan bashkëpunimin strategjik dhe ekonomik të vendeve të tyre. Ministria e Punëve të Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe tha se telefonata mes Bidenit dhe Mohammed bin Zayed al Nahyan-it mund të caktohet për një datë të re.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat