OKB: Mbi 2.6 milionë persona janë larguar nga Ukraina

Bota

OKB: Mbi 2.6 milionë persona janë larguar nga Ukraina

Më: 13 mars 2022 Në ora: 15:36
"Polonia e ndihmon Ukrainën", shkruan në hyrje të një qendre ku po qëndrojnë refugjatët ukrainas. Polonia deri më tani ka pranuar numrin më të madh të refugjatëve që kanë ikur nga lufta në Ukrainë.

Kombet e Bashkuara thanë të dielën se ka arritur në pothuajse në 2.7 milionë numri i refugjatëve që janë larguar nga Ukraina qëkur presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi nisjen e pushtimit të shtetit fqinj më 24 shkurt.

Komisionari i Lartë për Refugjatë i OKB-së tha se 2,698,280 refugjatë janë larguar nga Ukraina deri më tani.

Kjo shifër paraqet rritje prej 100,700 krahasuar me një ditë më parë.

Shefi i Agjencisë për Refugjatë i OKB-së, Filippo Grandi, ka thënë se ky është eksodi më i madh i refugjatëve në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Katër milionë persona mund të largohen nga Ukraina për shkak të dhunës, ka vlerësuar OKB-së. Por, sipas Agjencisë për Refugjatë (UNHCR), ky numër mund të rritet.

Polonia aktualisht ka pranuar mbi gjysmën e refugjatëve, apo 1,655,503 kanë hyrë në këtë shtet që prej nisjes së pushtimit, ka thënë UNHCR.

Refugjatë ka strehuar edhe Hungaria, Sllovakia, Moldavia, Rumania dhe shtetet e tjera, por edhe 106,000 persona nga Ukraina kanë ikur në Rusi.

Para konfliktit, Ukraina kishte një popullsi prej 37 milionë banorësh që jetonin në rajonet e kontrolluara nga Qeveria. Në këtë numër nuk përfshihet popullsia në Gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Rusia, dhe as në rajonet separatiste në lindje të vendit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat